AGK reagon pasi Nait Hasani largoi mediat pa arsyetim nga mbledhja e Komisionit

18:03 | 17 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi kryetari i Komisionit për Administratë Publike dhe Media, Nait Hasani i ka larguar gazetarët pa asnjë arsyetim nga mbledhja që ishte duke u mbajtur, ku pikë e rendit të ditës ishin takimi i Bordit të RTK-së dhe të ndryshme.

Hasani kur ka arritur te pika “të ndryshme” i ka larguar gazetarët pa asnjë arsyetim dhe pa e vënë në votim për anëtarët e tjerë këtë vendim.

“AGK e ka marrë me shqetësim njoftimin nga gazetarët për largimin pa arsye nga mbledhja e Komisionit parlamentar për Media, ku Bordi i Radio Televizionit të Kosovës raportoi lidhur me anulimin e konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së. Gazetarët kanë njoftuar se kryetari i komisionit, Nait Hasani e ka mbyllur takimin pa u dhënë sqarim medieve, madje pa e vënë në votim vendimin e tij”, thotë AGK.

Për AGK-në, ky fakt paraqet censurë e cila ndikon drejtpërdrejt në punën e medieve, duke u shkaktuar pengesë në marrjen e informacioneve.

“Një gjë e tillë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, me të cilët përcaktohet qartë se kur një komision mund të mbyllet për publikun. Kujtojmë se diskutimi për transmetuesin publik paraqet interes të veçantë për të gjithë qytetarët dhe gazetarët në përgjithësi, kur dihet se RTK-ja financohet nga paratë e tatimpaguesve të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.

AGK ka shtuar se mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjitha institucioneve dhe beson në parimet bazë të profesionit, “po ashtu angazhohet për një ambient të favorshëm dhe të sigurt për gazetarët në ushtrimin e punës profesionale. Kujtojmë se nuk është hera e parë që ky komision mbyllet për media kur diskuton për çështjet e televizionit publik të Kosovës”.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit u diskutua rreth anulimit të konkursit për drejtor gjeneral të RTK-së, ku të ftuar kanë qenë anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme