AGK me propozim ndryshim për projektligjin e RTK-së

15:36 | 7 Qershor 2019
Arbresh.info

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në mbledhjen e sotme ka kërkuar që të kthehet kufizimi i përqindjes për RTK-në.

AGK në reagimin e saj ka bërë të ditur se me heqjen e konkursit publikon eliminohet edhe konkurrenca e drejtë dhe favorizohen produksione të caktuara pa iu nënshtruar kritereve të konkursit publik.

Më poshtë mund të gjeni të plotë reagimin e AGK-së.

Në draftligjin e ri është hequr kufizimi i përqindjes që duhet ta ketë RTK, si prodhim nga producentët e pavarur.

Propozimi i AGK-së është që të kthehet ky kufizim sepse tani me draftligj programi i jashtëm mund të përbëj shumicën e përqindjes së programit të RTK-së pa kufizim. Kjo e dëmton stafin e brendshëm duke mos e angazhuar në prodhim.

Në draftligj nuk figuron më institucioni i Konkursit për blerjen e veprave audiovizuele, që ishte në ligjin e RTK-së 2012 gjegjësisht nenin 12.

AGK propozon që të kthehet ky nen pasi heqja e konkursit publik eliminon konkurrencën e drejtë dhe të barabartë ndërsa mundëson favorizime për produksione të caktuara pa iu nënshtruar kritereve të konkursit publik.

Tek neni 19, pika 6 e draftligjit pos tjerash thuhet që:

“së paku dy (2) anëtar të Bordit të jenë të gjinisë femërore”

Rekomandimi i AGK-së është që pika 6 e nenit 19 të ndryshohet dhe së paku 5 anëtarë të bordit të jenë të gjinisë femërore.

Poashtu rekomandim i AGK-së është ndryshimi i pikës 2 të po këtij neni ku pos tjerash thuhet:

  1. Anëtarët e Bordit të RTK-së janë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, kinematografia, gazetaria, drejtësia, biznesi dhe menaxhmenti, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie ndërkombëtare, universiteti, media dhe teknikës.

AGK rekomandon largimin e mundësisë së përzgjedhjes së ndonjë anëtari nga fusha e biznesit dhe mundësinë e zëvendësimit të fushës së biznesit me njohës të fushës së ekonomisë.

AGK poashtu konsideron që përmes një pike të veçantë, tek neni që parasheh zgjedhjen e menaxhmentit, të përcaktohet kuota gjinore sikurse në bord. Të paktën 2 pozita të larta menaxheriale AGK konsideron se duhet t’i takojnë gjinisë femërorë.

Ndërkaq që së paku 30 përqind e pozitave udhëheqëse në departamente tjera të RTK-së poashtu t’i rezervohen gjinisë femërore.

Poashtu AGK rekomandon që përzgjedhja e Bordit të RTK-së nuk do të duhej të bëhej drejtpërdrejt nga Kuvendi, por ndërmjet Kuvendit dhe Bordit të ketë një organ ose këshill jopartiak, i cili do të hartonte listën e ngushtë të kandidatëve të cilën do t’ia dorëzonte Kuvendit për miratim. Kjo gjë ka qenë e përcaktuar edhe me herët me ligjin për RTK te vitit 2008 por është praktikë që ndiqet edhe në rajon. Psh Maqedonia ku bordi i transmetuesit publik zgjidhet nga një këshill qe përbehet nga personalitete te institucioneve, organizatave dhe shoqatave te ndryshme te pavarura.

AGK vlerëson se kjo do të ndikonte që Bordi të jetë jo politik politik dhe profesional.

Sipas draftligjit, përkatësisht nenit 26 thuhet se

“Mandati i drejtorit të përgjithshëm do të jetë pesë (5) vjet, me mundësi rizgjedhjeje”

Rekomandimi i AGK-se është që pika 1 e nenit 26 të ndryshohet dhe të vendoset për dy mundësi që janë pjesë e ligjeve për transmetuesit publik edhe në shtetet me zhvillim të lartë demokratik.

Mandati i drejtorit gjeneral të jetë 5 vjet pa mundësi rizgjedhjeje ose 3 vjet me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat shtesë, siç ka qenë e rregulluar në ligjin e kaluar të RTK-së.

Mundësia që një njëri të udhëheqë për më shumë se një dekadë me transmetues publik është e paparë në vendet me demokraci të zhvilluar.

Hartuesit e ligjit kanë vepruar shumë mirë kur në nenin 20, pika 3 e kanë paraparë që :

Mandati i anëtarëve të Bordit do të jetë pesë (5) vjeçar, në pamundësi të rizgjedhjes në vazhdimësi.

Pra i njëjti standard duhet të vlejë edhe për pozitat menaxheriale të RTK-së, nëse vlen edhe për organin më të lartë të transmetuesit publik e që është bordi.

AGK poashtu konsideron që neni 21, pika 8 ku thuhet se:

Drejtori i kanalit televiziv në gjuhën shqipe, drejtori i kanalit televiziv në gjuhën serbe si dhe drejtori i radios zgjedhën me mandate katër (4) vjeçar.

AGK propozon që drejtorët e TV, Radios dhe zëvendësdrejtorët të kenë mandat me kohëzgjatje të njëjtë me drejtorin gjeneral.

AGK poashtu rekomandon që përmes një neni të veçantë, siç ka qenë në ligjin e RTK-së nenin 34 pika 1 dhe 2 të miratuar në vitin 2012, të specifikohet mënyra e zgjedhjes së zëvendësdrejtorëve të RTK-së përmes konkursit të hapur publik dhe të qartësohet që numri i zëvendësdrejtorëve të jetë vetëm 1 ose jo më shumë se dy.

Mungesa e një neni të veçantë krijon mundësinë e shfrytëzimit të zbrazëtirës ligjore dhe zgjedhjen e një numri më të madh zëvendësdrejtorësh dhe si rrjedhojë bashkë me të rritet edhe kostoja financiare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme