Google ADS

Agjencia e Statistikave të Kosovës shkel kriteret e konkursit, anulohet konkursi

13:25 | 29 Nëntor 2018
V. S.

L.H., kandidate e cila kishte konkurruar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në konkursin e shpallur me 13 shtator 2018, për pozitën zyrtar i lartë i regjistrit të popullsisë, nuk ishte përzgjedhur si kandidate e suksesshme.

Ajo tregon për KALLXO.com, se pas hulumtimeve të bëra për kandidaten e përzgjedhur, ka paraqitur ankesë në ASK, si palë e pakënaqur duke pretenduar se ASK ka përzgjedhur një kandidate tjetër, e cila nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit.

Një ndër kriteret e konkursit për këtë pozitë ishte që kandidatët të kenë Diplomë universitare në Shkenca kompjuterike.

Këtë kriter, ankuesja L.H. e kishte plotësuar, kurse kandidatja e suksesshme kishte të përfunduar Fakultetin Ekonomik, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë.

Pas kësaj ankese, KALLXO.com, ka kërkuar nga ASK qasje në dokumente dhe CV-të e kandidatëve të cilët kishin konkurruar.

Por, në përgjigje të ASK-së me 30 tetor është thënë se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se ASK-ja nuk do të nënshkruajë Kontratë mbi Marrëdhënien e Punës (Akt emërimi për Shërbyes Civil) derisa të përfundojnë të gjitha shqyrtimet nga Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave KZKA dhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës KPMSHCK (Komisione këto të pavarura).

“ASK-ja është e obliguar që të veprojë sipas afateve ligjore të lëshimit/nënshkrimit të kontratës mbi marrëdhënien e punës, që është brenda 30 ditësh. Por, në ndërkohë ASK-ja ka pranuar ankesën me shkrim kundër përzgjedhjes së kandidates dhe njëkohësisht kjo Ankesë është dorëzuar në KZKA në ASK, Komision i cili e shqyrton secilën ankesë, që i drejtohet ASK-së”, thuhet në përgjigje të ASK-së.

“Me qëllim të shmangies së ndonjë lëndimi eventual të procesit gjatë vendimmarrjes së Komisioneve dhe Institucioneve të pavarura (derisa çështja e ankesave është në proces), ASK-ja kërkon mirëkuptimin tuaj, lidhur me kërkesën tuaj për informata më të hollësishme”, thuhet në përgjigje të ASK-së.

Ndërkaq, me 23 nëntor, ASK ka drejtuar përgjigje për KALLXO.com, ku thuhet se Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave me 22 nëntor ka anuluar procedurën e rekrutimit dhe është aprovuar ankesa e L.H.

“Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave (KZKA) në ASK, më 22 nëntor 2018,  ka marrë Vendim lidhur me ankesën e znj. L.H. ku sipas këtij vendimi: Aprovohet ankesa e znj. L.H. dhe Anulohet procedura e rekrutimit për pozitën ‘Zyrtar i Lartë i Regjistrit të Popullsisë’”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, KALLXO.com ka siguruar vendimin e ASK-së, ku thuhet se KZKA në ASK ka konstatuar se ankesa është pjesërisht e bazuar për shkak të mos qartësisë në kriteret e konkursit.

“KZKA në ASK ka konstatuar se kandidatja e pranuar nuk ka të plotësuar tërësisht kriterin e konkursit kualifikimin personal meqë konstatohet se kandidatja e përzgjedhur e ka përfunduar drejtimin Menaxhment dhe Informatikë Bachelor në Fakultetin Ekonomik që nuk përkon plotësisht me kriterin e vendosur në konkurs”, thuhet në vendim.

Më tutje thuhet se KZAK ka konstatuar që komisioni përzgjedhës i rekrutimit në ASK për vendin e punës zyrtar i lartë i regjistrit të popullsisë, ka vepruar sipas kriterit të konkursit ku është bazuar në Menaxhment dhe Informatikë, ku sipas tyre ka qenë drejtim i përafërt me konkursin e shpallur dhe i ka zhvilluar procedurat e rekrutimit në rastin e përpilimit të listës së ngushtë pasi  që shkencat kompjuterike janë term i gjerë dhe drejtime të shkencave kompjuterike gjinden edhe në fakultete të tjera.

“Gjithashtu për këtë pozitë kërkohet edhe njohja e gjuhës angleze kriter të cilin ankuesja L.H. nuk e ka plotësuar”, thuhet në vendim.

Por, L.H. duke qenë e pakënaqur me vendimin e këtij komisioni në ASK, ka dërguar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës duke kërkuar që ky Këshill të ndërmerr inspektimin dhe mbikëqyrjen e fazave të rekrutimit, fazën e testit me shkrim, fazën e testit me gojë kualifikimet, përvojën e punës dhe ta rizgjedhë kandidatin e suksesshëm në vendin e punës “Zyrtar i lartë i Regjistrit të Popullsisë”./kallxo.com/

Të ngjashme