Mekanizmat të cilët merren me luftimin e korrupsionit, thotë se janë duke shqyrtuar raste të ndryshme të dyshuar për korrupsion.
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) vetëm në gjashtëmujorin e parë ka dërguar në Prokurori rreth 50 raste të dyshuara për korrupsion.
Blerim Kelmendi, drejtor i Departamentit për Luftimin e Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, tha për Radion Evropa e Lirë, se rastet e dërguara në Prokurori kanë të bëjnë me veprat penale për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe që lidhen me zyrtarët, të cilët mbajnë funksione publike.
“Kallëzimet e dorëzuara kanë të bëjnë kryesisht me elementet e veprave penale që lidhen me korrupsionin zyrtar edhe veprat penale kundër detyrës zyrtare. Kryesisht janë çështje rreth punësimeve në mënyrë të kundërligjshëm, raste që lidhen me aktivitete të prokurimit publik si dhe natyra të tjera, duke filluar nga dhëniet e lejeve të ndryshme në kundërshtim me parashikimet ligjore”, tha Kelmendi.
Edhe në Prokurorinë e Shtetin, thanë se lidhur me raste të dyshuar të korrupsionit kanë pranuar disa raste të kallëzimeve penale nga Agjencia Kundër Korrupsionit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, nga Prokuroria e Shtetit thuhet se kallëzimet penale të pranuara për grupin e veprave penale, veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, të cilësuara sipas kallëzimit penal dhe sipas parashtruesit të kallëzimit penal, ka pranuar 36 raste me 38 persona.
Kurse, informatat e pranuara me të cilat pretendohet se janë kryer veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsionin ne nivele të tjera, janë pranuar nga agjencia dhe janë tri raste me katër persona.
Praktikat e vazhdueshme korruptive në sektorin publik e privat në Kosovë dhe mosfunksionimi siç duhet i sistemit të drejtësisë për të luftuar këtë dukuri, përbëjnë titujt kryesorë të raporteve dhe vlerësimeve vendore e ndërkombëtare tash e sa kohë.
Në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) thonë se korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të bashkëjetojnë në të gjitha nivelet e organizimit të shtetit dhe në percepcionin publik, ndërsa luftohen me retorikë dhe integritet deficitar të subjekteve politike.
Arben Kelmendi nga KDI-ja, tha për Radion Evropa e Lirë se Agjencia Kundër Korrupsionit është një mekanizëm i rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit, por sipas tij, agjencia ka mungesa serioze për një luftë të mirëfilltë kundër korrupsionit.
“AKK-ja ka numër të vogël hetuesish të cilët do të kryenin hetimet paraprake, do të grumbullonin fakte dhe prova dhe do të përpilonin kallëzime penale të cilat do të ishin të vështira për t’u refuzuar nga Prokuroria e Shtetit apo për hedhjen poshtë të tyre nga Gjykatat gjatë shqyrtimeve gjyqësore. Fundi i fundit, korrupsioni është vepër penale, së cilës, si dukuri, i kushtohet një kapitull i tërë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Si i tillë, adresa për luftimin e korrupsionit janë sistemi prokurorial dhe gjyqësori, në bashkëpunim të plotë me organet e rendit dhe sigurisë”, tha Kelmendi.
Kelmendi thekson po ashtu, gjatë qeverisjes së koalicionit të Partisë Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, është vërejtur thellim i mëtejmë i korrupsionit.
“Një ndër format më të shpeshta të korrupsionit është klientelizmi, pra siç është: dhënia e ofertave publike për bizneset e afërta me partitë politike në pushtet, falja e borxheve dhe lehtësira tjera adminstrative dhe nepotizmi që përfshin punësimet masive në baza partiake nëpër ministri dhe ndërmarrje publike. Favoret për njerëzit e afërt kanë evoluar tutje përmes parregullsive të shumta që e kanë përcjellë provimin e fundit të noterisë, kur familjarë dhe miq të personaliteteve të ndryshme politike, kanë kaluar me sukses provimin dhe aktualisht janë në proces të rekrutimit të tyre në shërbimin e noterisë nga një ministër në dorëheqje i Drejtësisë”, tha Kelmendi.
Sipas të dhënave nga Agjencisë Kundër Korrupsionit, gjatë vitit 2018, AKK ka zhvilluar hetimeve preliminare në gjithsej 390 raste, prej të cilave 139 kanë qenë të bartura nga viti paraprak. Prej tyre 114 raste janë përcjellë në Prokurori, Polici dhe Administratën Tatimore të Kosovës për procedim të mëtutjeshëm, 12 raste janë përcjellë në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore. Ndërkaq, 162 raste janë mbyllur, ndërsa 102 raste janë ende në procedurë.
Në Kosovë ekzistojnë mekanizma dhe organe për luftimin e dukurisë së korrupsionit, por bazuar në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore, luftimi i kësaj dukurie mbetet ende në një shkallë mjaft të ulët.
Përpjekjet për ta parandaluar dhe luftuar korrupsionin në mënyrë efikase, sipas analistëve, varet para se gjithash nga vullneti politik për të krijuar bazën ligjore dhe mekanizma adekuatë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...