Injorimi i thirrjeve ndërkombëtare për pezullimin e taksës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, mund t’i sjellë pasoja Kosovës në planin e jashtëm dhe të brendshëm, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.
Sipas tyre, Kosova mund të humbë, tash për tash, mbështetjen ndërkombëtare në përshpejtimin e procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, kurse në planin e jashtëm pasojat shihen te thellimi i izolimit dhe ngecjet në integrimet evropiane.
Ndërkohë që kanë rezerva nëse taksa mund të shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke rikujtuar se ky dialog ishte ndërprerë edhe para vendosjes së tarifës.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pasojat nga taksa mund të jenë në disa drejtime, dhe siç thotë ai, ato mund t’i bëjë dëme vendit.
“Konsideroj se Kosova do të ketë pasoja nëse nuk e pezullon taksën, në izolimin ndërkombëtar me integrimet evropiane, në qasjen në fondet ndërkombëtare dhe plotë gjëra të tjera që ekzistojnë si sanksione ndërkombëtare ndaj një vendi i cili nuk i respekton rregullat, konventat ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe i cili merr masa të njëanshme”, tha Tahiri.
Tahiri mendon se deri më tani Kosova nuk është duke i hetuar shumë pasojat si në marrëdhëniet multilaterale ashtu edhe bilaterale, ose siç thotë ai, politikanët po dinë t’i menaxhojnë pasojat që ato të mos kuptohen në opinionin e gjerë.
“Unë konsideroj se Kosova nuk mund të sillet e vetme në arenën ndërkombëtare dhe nuk mund të imponojë kushte që ajo konsideron se janë të drejta, përderisa deri sot asnjë shtet individual nuk i ka përkrahur masat e Kosovës karshi Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës”, tha Tahiri.
Kurse, analisti Shkëlzen Maliqi mendon se pasojat për Kosovën mund të jenë evidente, sidomos nëse thuhet se taksa e vendosur për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina është pengesë për dialogun.
“Sigurisht që fillimisht dukej se po i dëmton shumë raportet e Kosovës me aleatët kryesor, por tash edhe ata siç duket e kanë zbutur qëndrimin dhe këto dy javët e fundit ata nuk po insistojnë aq shumë në heqjen e taksës, veç Bashkimit Evropian, i cili vazhdon ta kërkojë këtë, pra heqjen e taksës”, tha Maliqi.
Në anën tjetër, analisti dhe kryeredaktori i të përditshmes “Epoka e Re”, Muhamet Mavraj, konsideron se Kosovës i është bërë edhe një lloj dënimi për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por siç thekson ai, nuk mund të ketë dënime të tjera.
Mavraj tha për Radion Evropa e Lirë, se tash në këtë fazë duhet që Kosova ta forcojë interpretimin e taksës.
“Nuk ka arsye që të ketë pasoja nëse ne unifikohemi rreth një interpretimi unik rreth çështjes së taksës dhe dialogut. Është krejt e qartë, ata që janë më të fortë në interpretim, ata edhe heqin fajin nga vetja. Këtu lufta duhet të jetë ta heqim fajin nga Kosova. Kosova nuk ka kurrfarë parametri që të konsiderohet fajtore nëse ajo dinë t’i interpretojë veprimet e veta”, tha Mavraj.
Përkundër interpretimeve nga Bashkimi Evropian si lehtësues në bisedimet Kosovë – Serbi, se pa pezullimin e taksës nuk mund të vazhdojë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, analisti Mavraj mendon se taksa nuk e ka ndërprerë dialogun.
“Kjo taksë nuk është fajtore për ndërprerjen e dialogut, kjo taksë ka qenë e nevojshme si kundërmasë ndaj veprimeve të Serbisë”, tha Mavraj.
Qeveria e Kosovës nuk ka pezulluar ende tarifat doganore ndaj Serbisë, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në paraqitjen e tij para mediave ka thënë se nga takimet e fundit që ka pasur me zyrtarët e lartë amerikanë, por edhe ata të shteteve të BE-së, është kërkuar nga ai që tarifa doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina të pezullohet. Por, përkundër këtyre kërkesave, Haradinaj vazhdon të mbajë qëndrimin se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që prej se Kosova vendosi taksën doganore prej 100 për qind dhe cila është vendosur më 21 nëntor të viti 2018.
Erion Veliaj ia uron ditëlindjen Rita Orës: Super goca jonë,...
Kurti: Idealet e Metush Krasniqit janë ideale edhe të kohës ...
Kryeshefi i IPK-së po merr pjesë në Konferencën Profesionale...
Victoria Beckham zbulon arsyen pse nuk buzëqesh kurrë në fot...
Rusia sulmon me një numër rekord dronësh 17 rajone të Ukrain...
“Ishalla nuk shymesh tash ti”, i thotë Xheneta-Drilonit