Takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 29 prill në Berlin, po shihet edhe si një mundësi e mirë që vendet e këtij rajoni të përfitojnë nga projektet e përbashkëta që do të mbështeten nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Gjermania.
Po ashtu, ky samit, edhe pse joformal, shihet edhe si mundësi që në margjinat e tij, të diskutohen edhe mundësitë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke diskutuar fillimisht çështjet që po e pengojnë vazhdimin e tij, siç është edhe taksa doganore e vendosur nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Nikoqirë të samitit do të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Ani pse takim tradicional dhe joformal, kësaj radhe po paralajmërohet se nuk do të jetë takim i zakonshëm.
Ndonëse nuk është paralajmëruar zyrtarisht ndonjë takim i veçantë ndërmjet liderëve nga Prishtina dhe Beogradi, një gjë e tillë edhe nuk është përjashtuar si mundësi.
Takimi i presidentëve, të Kosovës dhe atij të Serbisë, nuk është vendimtar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por është një shans për të biseduar, ka thënë ish-zëvëndësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee.
“Librat e historisë në Ballkan janë plot me momente ‘tani ose kurrë’. Mendoj se takimi në Berlin nuk është një prej tyre, por është një shans”, ka thënë Hoyt Yee në një diskutim në Institutin Ndërkombëtar Republikan në Uashington, me temën “Zgjidhja e së pazgjidhurës në Ballkanin Perëndimor”.
Ai ka thënë se shpreson se në Berlin do të diskutohet sinqerisht dhe në detaje për hapat e ardhshëm të Serbisë dhe Kosovës dhe se do të bëhet përparim.
“Mendoj se ideja për ndarje të territoreve në vija etnike nuk është e mirë, as pragmatike, as politike, as diplomatike. Nuk është diçka, për të cilën duhet folur”, ka thënë Hoyt Yee.
Diplomati amerikan, po ashtu, ka thënë se Serbia duhet të vendosë “nëse do që të ulet në karrigen ruse apo atë evropiane”.
Ndërkaq, zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, kanë thënë se nga takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor presin një takim konstruktim për të biseduar për çështje të caktuara në rajon.
Këshilltarja për media e kryeministrit Ramush Haradinaj, njëherësh edhe zëdhënëse e Qeverisë së Kosovë, Donjeta Gashi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se takimi nuk është thirrur për të biseduar për dialogun politik Kosovës – Serbi, por për çështje të tjera.
“Ky është një rast i mirë për dialog, platformë kjo të cilën kryeministri e ka përkrahur duke thënë se vetëm dialogu mund të çojë përpara të gjitha proceset në rajon”, ka thënë Gashi.
Ajo ka shtuar se në këtë takim mund të diskutohet për çështje të caktuara dhe përfaqësuesit e Serbisë mund të hedhin në diskutim edhe çështjen e taksës, por siç është shprehur ajo, qëndrimi i kryeministrit tashmë për këtë rast dihet.
“Dihet qartë qëndrimi i kryeministrit pikërisht për këtë temë dhe temat e tjera që kanë të bëjnë me raportet bilaterale me Serbinë. Do të thotë taksa është vendim i Qeverisë së Kosovës dhe ajo mund të hiqet në momentin kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ky moment mund të vijë vetëm me një dialog reciprok dhe përmbajtjesor mes dy vendeve”, është shprehur Gashi.
Kurse, sipas politologut Ramush Tahiri, në Samitin e 29 prillit mund të këtë takime bilaterale dhe mund të diskutohen çështje të ndryshme.
Ai ka theksuar se në këtë takim nuk priten ndryshime apo kushtëzime sa i takon çështjes së taksës doganore që Kosova ka vendosur për produktet nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.
Sipas Tahiri, shumë shtete të BE-së, duke përfshirë edhe Francën dhe Gjermaninë janë të interesuara që Kosova të heqë taksën doganore, por ka thënë ai, nuk pritet ndonjë kushtëzim.
“Çfarëdo sugjerimi ose presioni, prapë [kryeministri] do ta mbajë qëndrimin, sepse e ka qëndrim politik edhe e lidh me funksionin e vet si i pari i Qeverisë. Nuk besoj që pala kosovare, aq më parë që presidenti Hashim Thaçi është prezent, do të ketë ndonjë kusht. Askush nuk e di sa çka do t’u sugjerohet si kusht për heqjen e taksës, sepse taksa ka të bëjë vetëm me dy vendet anëtare të CEFTA-s dhe jo me Bashkimin Evropian dhe nuk besoj se lidhet, as me integrimet evropiane, e as me liberalizimin e vizave”, ka vlerësuar Tahiri.
Ai ka thënë se temë kryesore në takimet shumëpalëshe, e sidomos në takimet dypalëshe dhe ndërmjetësuesve, do të jetë çështja e zgjidhjes së problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë thënë se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të shtrohet në takimin e Berlinit.
Presidenti Thaçi ka theksuar se për këtë takim “nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi” dhe se “nuk ka agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, më herët ka deklaruar se një marrëveshje me Kosovës, bazuar në zhvillimet e tanishme, është larg për tu arritur.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Thaçi, ka thënë se “marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mundur të arrihet gjatë vitit 2019, pavarësisht pengesave në muajt e fundit”.
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore
Anisa ia kap flokët Xhenetës – përplasje e ashpër mes tyre
Kanada, Kryeministri Trudeau dënon protestat e dhunshme në M...
Sulmohet me raketa agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Liban
Stuhi, reshje shiu dhe dëbore godasin Shtetet e Bashkuara
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...