Zgjatja e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, mund ta dëmtojë buxhetin e vendit më të varfër në rajon për miliona euro. Madje, me kontratën për zgjatjen e kësaj piste, 53 milionët që iu falën “Bechtel&Enkas” duket se do të mbesin nën hije.
Rreth 500 metra pistë, pritet ta “tkurrin” arkën e shtetit për rreth 84 milionë euro, ndonëse kostoja e kontratës në fillim ishte paraparë të jetë rreth 34 milionë euro.
Qeveria po synon të bëjë një marrëveshje, ashtu që 34 milionë euro, aq sa është edhe kostoja e kësaj kontrate ta paguajë vet “Limaku”, ndërsa vet të heq dorë për pesë vjet nga pagesa që Limak-u ia bën Qeverisë në emër të shfrytëzimit të Aeroportit, që sipas një përllogaritje i bie që vlera e taksës për pesë vite pritet të jetë rreth 84 milionë euro.
Ndërkohë, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se kjo është në kundërshtim me Ligjin për Prokurorimin Publik dhe Ligjin për Financim. Derisa deklarojnë se Ministria e Infrastrukturës nuk po investon në ANP, por po e subvencionon një kompani private, siç është “Limaku”.
Kështu po deklaron njohësi i ekonomisë, Hekuran Murati, i cili së fundmi ka publikuar raport analizën “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit “Adem Jashari”.
Në bazë të këtij raporti, Qeveria e Kosovës po planifikon që të shpërblejë me 84 milionë euro kompaninë “Limak” në një proces siç e quan Murati, jo transparent e favorizues për një kompani private e në dëm të interesit publik.
Sipas Muratit, Qeveria aktuale synon që koston e Kontratës për Zgjatjen e Pistës të mos i’a paguajë Koncesionarit nga buxheti, por në vend të saj të bëjë marrëveshje kompenzimi ashtu që Koncesionari e bartë koston e investimit, kurse Qeveria në kompenzim heq dorë nga të hyrat e taksës koncesionare për 5 vitet e ardhshme.
Deklaron se me një marrëveshje të tillë, Kosova do të humbte rreth 84 milionë euro të hyra, dhe do ta dëmtonte rëndë buxhetin e shtetit.
Zgjidhja e vetme sipas tij është që ky projekt të ndalet menjëherë dhe që kontrata e nënshkruar të shpallet e pavlefshme.
“Në një rast të tillë, Republika e Kosovës do t’i humbte rreth 84 milionë euro të hyra potenciale nga taksa koncesionare. Kjo do të shënonte rastin e dytë të dëmtimit të buxhetit, pas atij të ndodhur në fillim të këtij viti, ku Qeveria morri përsipër t’i paguante kompanisë Bechtel&Enka 53 milionë euro shtesë për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup”, thuhet në raport.
Murati thotë se çdo vazhdim i zbatimit të kësaj kontrate, rrezikon shpenzimin e parasë publike për investime në biznese private dhe u hap rrugë humbjes së 84 milionë eurove.
“Çdo vazhdim eventual i zbatimit të kësaj kontrate rrezikon të shënojë precedent të rrezikshëm të shpenzimit të parasë publike për investime në biznese private, si dhe hap rrugën për humbjen e 84 milionë eurove në dëm të buxhetit”, thotë Murati.
Por, pretendimet e Muratiti po i hedh poshtë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Lekaj i ka thënë Gazetës Express se vlera e kontratës për këtë projekt është rreth 34 milionë euro, derisa thotë se ky investim është paraparë si e domosdoshme për shkak të ngritjes së kapaciteteve të ANP “Adem Jashari”.
Deklaron se Kosova do të paguajë vetëm shumën e kontratës dhe asnjë cent më shumë.
E kostoja e kontratës, sipas Lekajt do të paguhet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës. Por thotë se për formën dhe mënyrën e pagesës nuk janë përcaktuar ende.
“Kostoja do të paguhet nga buxheti i MI-së, forma e pagesës dhe mënyra nuk janë përcaktuar ende. Kosova do të paguaj vetëm shumën e kontratës rreth 34 milionë euro, dhe asnjë cent më shumë”, ka thënë Lekaj.
Ndërsa sa i përket asaj që kontrata ishte bërë pa shpallur tender, ai thotë se kështu i ishte rekomanduar. Derisa shton se nuk ekziston asnjë arsye ligjore për moszbatim të kontratës.
“Opinioni ligjor i Departamentit për PPP në MF kishte rekomanduar të vazhdohet pa tenderim për shkak të aplikimit të marrëveshjes së PPP me partnerin privat dhe të drejtave ekskluzive nga kjo marrëveshje e koncesionimit.
Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar këtë kontratë në mbështetje të opinionit ligjor të Dep PPP në MF i cili ka konstatuar se kontrata është në pajtim me LPP. Prandaj nuk ekziston asnjë arsye ligjore për moszbatim të kontratës”, ka thënë Lekaj për Express.
Për mospublikimin e kësaj kontrate, kishte reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu.
Sejdiu kishte thënë se ka kontrata të shumta të cilat nuk janë bërë publike dhe klauzolat konfidenciale duhet me u hequr dhe me u bërë publike të gjitha kontratat.
Ndërsa, analisti Haki Abazi ishte shprehur se vullneti politik është i kriminalizuar dhe kontrata e dëmshme e aeroportit për pistën ishte dashur të ndalet nga kabineti i ministrit Pal Lekaj.
Ndryshe, Kontrata për zgjatjen e Pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ishte nënëshkruar në kohën sa Kryeministër i Kosovës ishte Isa Mustafa.
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Konjufca: Luftimi i dhunës në familje dhe bazë gjinore është...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Kurti: Puna për një shoqëri gjithëpërfshirëse po vazhdon, ar...
Pasivizimi i adresave në Luginë drejt Gjykatës së Strasburgu...
Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë – arrestohen katë...