“Deri në muajin e katërt janë evidentuar 505 raste të reja me kancer në Kosovë, që i bie diku 3-4 deri në 5 për qind më shumë se vitin e kaluar. Dominon patologjia e kancerit të gjirit tek femrat, ndërkaq tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive, dhe në vendin e dytë vjen kanceri i zorrës së trashë dhe kanceri tek organet gjenitale tek femrat”, thotë Kurteshi.
Megjithatë, onkologu Kurteshi thotë se ky numër nuk përbën shqetësim, pasi që është në suaza të normales.
“Numri nuk është në rritje shumë, nuk është një numër alarmantë dhe po shpresojmë që ky numër edhe këtë vit të jetë si dy vitet e kaluara të mos kalojë shifrën mbi 1600 raste të reja në vit të sëmur me kancer në Kosovë”.
Kurtishi thotë se për trajtimin e këtyre rasteve kanë barna të mjaftueshme, por nuk mohon fakti që nganjëherë edhe ka mungesa të ndonjërit medikament që nevojitet për shërimin e kësaj patologjie.
“Furnizimi me ilaçe, dy muajt e fundit në Onkologji është shumë më e mirë, herë pas here ka mungesë të ndonjë prej ilaçeve, mirëpo me ilaçet bazike të kimioterapisë ne jemi të furnizuar rregullisht, për momentin kemi mungesë të njërit nga këto ilaçe që jepet për probleme në kocka, shpresojmë edhe ky ilaq të vie këto ditë dhe jemi të mbuluar mirë. Ato të domosdoshmet janë të gjitha këtu”, thotë ai.
Për shërimin e rasteve me kancer, janë ndarë rreth 8 milionë euro, por marr parasysh rastet e shumta, ky buxhet del të jetë i pamjaftueshëm.
“Sa i përket buxhetit nga viti në vit ka pas rritje këtë vit është buxheti për kimioterapi sillet rreth 8 milionë, 8 milion e dyqind-mijë euro, që shpresojë me këto furnizime të rregullta me mbartjen e kompetencave prej Ministrisë së Shëndetësisë në ShSKUK, furnizimi pritet të jetë në gjashtëmujorin e dytë më i mire sesa që ka qenë në gjashtëmujorin e parë. Ky buxhet për barnat bazike dhe ato çfarë janë të planifikuara, i mbulon përjashtim bëjnë barnat e reja, barnat e mençura dhe Imuno-terapia e cila kërkon buxhet shtesë”, thotë ai.
Kurtishi bën të ditur se në institutin e Onkologjisë, trajtohen të gjitha rastet, duke bërë apel tek të gjithë qytetarët që të mos kërkojnë shërim jashtë vendit, përjashtuar rasteve të cilat nuk trajtohen në Kosovë.
“Ne i trajtojmë të gjitha rastet në Kosovë të tumorit solid te personat adult, do të thotë prej moshës 18 vjeçare deri në moshat e shtyra nëse janë tumore solide të çfarëdo organi ne i mjekojmë me ilaçet bazike dhe ilaçet e domosdoshme së bashku me rrezatimin, për trajtimin jashtë vendit në Kosovë ne nuk rekomandojmë gati asnjë rast përjashtim të disa formave të veçanta të rrezatimit të cilat nuk bëhen në Kosovë, por shpresojmë se këtë vit edhe ato do të jenë këtu”, thotë ai.
Bazuar në shtimin e pacientëve të prekur nga kanceri dhe sëmundjet tjera malinje, drejtori Kurtishi thotë se Onkologjia ka nevojë për hapësira të reja, teknologji dhe furnizim me të gjitha llojet e barnave.
“Klinika e Onkologjisë për momentin problemet janë që të kem nevojë për hapësira të reja, shtim të hapësirave kemi nevojë për furnizim me ilaçe të reja që i kemi bërë rekomandimet me qenë në hap me vendet e tjera te rajonit dhe normalisht ne nuk asnjëherë të kënaqur kemi kërkesa të vazhdueshme që shërbimi të përmirësohet të jetë më kualitativë më i mirë dhe adekuat proporcional me vendet e tjera të rajonit”, thotë ai.
Kanceri është një emër i përgjithshëm i një grupi prej më shumë se 100 sëmundjesh. Megjithëse ka shumë lloje kanceri ,të gjitha fillojnë si rezultat i rritjes anormale dhe të pakontrolluar të një qelize të vetme.
Kjo sëmundje e rëndë që mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit është përgjegjëse për një përqindje të lartë të vdekjeve që ndodhin në botë.
Çdo vit në botë, me miliona raste të reja diagnostikohen me kancer, që do të thotë se kanceri mbetet sëmundja e dytë me numrin më të lartë të vdekjeve, pas patologjive kardiovaskulare.