Punësimet mbi baza partiake e kanë degraduar administratën

09:54 | 2 Prill 2019
V. S.

Njohësit e çështjeve politike i kanë bërë thirrje krerëve të institucioneve të vendit që ta ndalojnë punësimin mbi baza partiake.

Punësimet mbi baza partiake nëpër institucione publike e kanë degraduar administratën e shtetit të Kosovës, vlerëson Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Këtë e thotë edhe Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ata u kanë bërë thirrje krerëve të institucioneve të vendit që ta ndalojnë këtë dukuri.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se punësimi mbi baza partiake e familjare në institucionet dhe ndërmarrjet publike, e ka degraduar në tërësi institucionin e konkursit.

Betim Musliu, nga ky institut, tha për Radio Kosovën se ky lloj i punësimit i lë jashtë kandidatët që mund t’i plotësojnë kriteret e konkursit.

“Kjo është dëshmia më e mirë se në Kosovë vetëm përmes këtyre lidhjeve mund ta gjesh një vend pune. Por që në këtë rast kemi një administratë publike të degraduar dhe me integritet të kontestuar sa që ka ardhur një situatë që duhet të bëhet një filtrim i tërësishëm, në mënyrë që të kemi shërbime të cilat thjesht janë të nevojshme për qytetarët”, ka thënë Musliu.

Sipas Musliut, punësimi mbi baza familjare e partiake dhe duke e anashkaluar konkursin, e ka dëmtuar administratën e vendit, pasi, siç ka thënë ai, ky lloj punësimi shfrytëzohet edhe për kryerjen e veprave korruptuese.

“Dëmi më i madh që u shkaktohet institucioneve dhe ndërmarrjeve publike janë: Në aspektin e performansës së këtyre institucioneve, dhe po ashtu mundësive që të kemi një veprimtari korruptuese nga këto institucione, të cilat mund të keqpërdoren nga individë që kanë interesa përmes njerëzve që i delegojnë në këto institucione, që i punësojnë pra, mbi bazën e këtyre lidhjeve të kundërligjshme”.

Ndërsa, Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se çdo punësim jashtë rregullave të përcaktuara me ligj është dëmtues për vetë institucionin.

Sipas tij, ky lloj i punësimit i kontribuon krijimit të një administrate të dobët dhe jo profesionale.

“Shumë procese mund të presin pa u kryer, shumë procese nuk përfundohen me kohë, duhet mësuar punën prej fillimit, ose nëse në çështje të caktuara nuk kanë kompetencë për ta përfunduar një çështje, ajo shkakton edhe telashe të tjera, sepse zyrtarët e tjerë duhet kryer edhe punën të cilët ata janë të detyruar për ta kryer. Kështu që një pjesë e stafit mbingarkohen me punë kurse të tjerët mbesin të lirë dhe marrin rroga të pamerituara”.

Ditëve në fundit në Kosovë është raportuar në medie për punësime të shumta të familjarëve të zyrtarëve shtetërorë nëpër institucione e ndërmarrje publike.

Por, deri më tani asnjë rast nuk është hetuar nga organet e drejtësisë./RadioKosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme