Google ADS

35 persona vdiqën këtë vit në aksidente trafiku

11:11 | 9 Qershor 2019
A Z

Për pesë muaj në Kosovë (janar-maj 2019), në aksidente të rënda trafiku në cilësinë e shoferëve, pasagjerëve dhe këmbësorëve kanë vdekur 35 persona. Nga 5217 aksidente sa ndodhën në total gjatë kësaj kohe, janë lënduar 3569 persona, raporton Gazeta Express.

Mijëra aksidente ndodhën gjysmën e parë të 2019-ës. Sa i përket aksidenteve me fatalitet ka më pakl viktima këtë vit krahasur me pesë mujorin e parë të 2018-ës. Vjet për pesë muaj vdiqën në komunikacion 42 persona, këtë vit 35, apo 7 më pak, tha policia në statistikat dhënë Gazetës Express.

Për shkelësit e rregullave të komunikacionit policia ka shqiptuar mbi 170.300 mijë tiketa trafiku.

Në statistikat e Policisë së Kosovë, bëhet e ditur se gjatë periudhës janar-maj 2019 kanë ndodhur 29 aksidente fatale në të cilat jetën e kanë humbur 35 persona. 1924 aksidente me lënime, në të cilat lëndime trupore kanë pësuar 3569 persona dhe 3264 aksidente me dëme materiale.

“Në total kanë ndodhur 5217 aksidente”, tha policia për Gazetën Express.

Nëse i krahasojmë aksidentet me periudhën e njejtë kohore të vitit të kaluar aksidentet kanë pësuar rënie. Aksidentet me fatalitet, me të lënduar dhe me dëme materiale janë në rënie në gjysmën e parë të këtij viti.

“Bazuar në të dhënat e pasqyruara, gjendja e sigurisë rrugore për këtë periudhë kohore vlerësohet se ka pasur rënie të aksidenteve fatale, ndërsa numri i personave të vdekur është i njëjte me periudhën e njëjte të vitit të kaluar, po ashtu  ka pasur rënie në aksidentet me lëndime, persona të lënduar, aksidente me dëme si dhe në numrin e përgjithshëm të aksidenteve për ketë periudhë kohore”, tha policia.

Së fundmi, Policia e Kosovës, konkretisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor, në përkrahje nga Departamenti Koordinues i Këshillit për Siguri Rrugore – Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ka lansuar fushatën vetëdijesuese “Të gjithë jemi këmbësore”.

“Shpërndarja e fletushkave që kanë për qëllim sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafik, sidomos këmbësorëve, të cilët janë kategoria më e rrezikuar në trafikun rrugor.Përdorimi i rrugës duhet të përdoret në mënyrë sociale, që nënkupton se këmbësorët duhet respektuar vendkalimet për këmbësorë dhe vendet tjera të lejuara. Gjithashtu edhe shoferët duhet të lëvizin konform rregullave të trafikut duke mos penguar pjesëmarrësit tjerë”, thuhet në përgjigjet e policisë.

Sidoqoftë, Policia e Kosovës, vazhdimisht bën thirrje për kujdes në komunikacion.

Apeli i plotë i policisë:

Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica.

Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme