Serbia e Kosova ka disa muaj që nuk janë ulur në tavolinën e bisedimeve.
Ramush Haradinaj, javën që e lamë pas ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale si i dyshuar.
Haradinaj sot është nisur për në Hagë i cili gjatë ditës së nesërme pritet të intervistohet nga Dhomat e Specializuara të kësaj gjykate.
Mirëpo, dorëheqja e papritur e Haradinajt ka ndikuar edhe në proceset e politikës së jashtme të Kosovës, përfshirë këtu dialogun me Serbinë.
Njohësit e çëshjtve politike dhe ndërkombëtare në vend kanë theksuar se në bazë të situatës politike të krijuar në vend, i vetmi institucion legjitim për udhëheqjen e politikave të jashtme përfshirë këtu edhe dialogun është Presidenca.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka deklaruar për lajmi.net, ka thënë se, pas dorëheqjes së Haradinajt vështirë se mund të rikthehet dialogu apo të arrihet një marrëveshje me Serbinë
“Brenda kompetencave kushtetuese presidenti përmbush rolin e tij si shef i shtetit dhe përfaqësues në marrëdhëniet e jashtme, por procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është temë specifike të cilën e ka sqaruar së fundmi edhe Gjykata Kushtetuese. Në rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj nuk mendoj se mund të rikthehet dialogu dhe aq më pak të arrihet marrëveshja me Serbinë”, ka theksuar Fetoshi për lajmi.net.
Sipas tij, edhe nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme apo një marrëveshje politike për mundësinë e vazhdimit të një qeverie të re dhe se dialogu është temë kryesore e subjekteve politike dhe prioritet i ndërkombëtareve.
“Në ditët në vazhdim do të sqarohet situata në qoftë se do të kemi shpërndarjen e parlamentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, ose një marrëveshje të re politike që do të siguronte shumicën dhe do të mundësonte vazhdimin e një qeverie të re. Megjithatë, bazuar në deklarimet e subjekteve parlamentare duket që vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe vetëm pas formimit të qeverisë së re do të rikthehet dialogu si tema kryesore dhe prioritet i angazhimit të faktorit ndërkombëtar”, u shpreh Fetoshi, i cili shtoi se as përpjekjet e Francës e Gjermanisë gjatë kohës së Qeveria e Kosovës ishte funksionale nuk arriti që të gjej një zgjidhje apo marrëveshje përfundimtare të dialogut.
“ Përndryshe, dialogu është i pezulluar prej 8-9 muajsh për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe dhe as nisma e dy udhëheqësve kryesorë të BE-së nuk solli ndonjë ndryshim të rëndësishëm, përveç qartësimit deri në një masë të rrugës për marrëveshjen finale. Pra, në qoftë se faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë do të unifikohen kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, atëherë opsioni i dytë mbetet asociacioni i komunave me shumicë serbe, përkatësisht sfida e kompetencave të këtij asociacioni”, theksoi Fetoshi.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend Imer Mushkolaj, ka thënë se në bazë të situatës së krijuar në vend, i vetmi institucion legjitim është Presidenca.
Ai ka thënë se dialogu me Serbinë vështirë se do të kthehet në pikën zero mirëpo, arritja e një marrëveshje përfundimtare mund të kthehet në pikën zero.
Sipas tij ndërkombëtarët e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosur që të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Nuk besoj që dialogu mund të kthehet në pikën zero, por mund ta kthej në pikën zero në kuptimin e arritjes së një marrëveshje edhe nuk është që janë zhvilluar shumë takime sa i përket arritjes së një marrëveshjeje. Në njëfarë forme ende ka qenë një fazë parapërgatitore, e pat krijuar Kosova platformën e tjera e tjera, por po them se qëndrimi i SHBA është shumë decidiv në këtë aspekt”, theksoi Mushkolaj.
Mushkolaj ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka qartësuar që është kryeministri ai që duhet të udhëheq dialogun mirëpo, siç u shpreh ai, duke e parë situatën politike në vend dhe nëse ndërkombëtarët kërkojnë që dialogu të rikthehet, atëherë presidenti është i vetmi institucion legjitim në vend.
“Logjikisht Gjykata Kushtetuese ka thënë që duhet kryeministri me e udhëheq. Në anën tjetër duke e pas parasysh që presidenti veç është në dialog edhe deri tash e ka vazhdua ka marrë pjesë në disa takime, unë nuk isha befasu nëse ai do të marrte pjesë në dialog gjithnjë me idenë se ende nuk janë krijuar institucionet e reja, por kërkohet që dialogu të vazhdojë dhe presidenti është i vetmi institucion legjitim që mundet me e vazhdu dialogun dhe mundet me ndodhë dhe nuk do të isha befasuar nëse ndodhë duke e pas parasysh edhe personalitetin e Thaçit dhe mënyrën se si ai funksionon”, theksoi Mushkolaj për lajmi.net.
Në anën tjetër, në pajtim me parimin e ndarjes së pushteteve, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka bërë një ndarje të qartë të kompetencave të institucioneve kushtetuese edhe në raport me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.
Në bazë të kompetencave kushtetuese, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbikëqyr politikën e jashtme, Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme të vendit, Qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme të vendit kurse Kryeministri këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.
Pra, Presidenti udhëheq politikën e jashtme të vendit, Kuvendi mbikëqyr politikën e jashtme, Qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme të vendit ndërkaq Kryeministri këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.
Në bazën e këtyre kompetencave, të gjitha palët duhet t’i bashkërendojnë veprimet e tyre dhe këto kompetenca kushtetuese nuk mund të shtrihen në trupa tjerë të cilët nuk janë të paraparë me Kushtetutë dhe secili prej institucioneve duhet të kryejë mandatin e tyre kushtetues. /Lajmi.net/
Kosova nikoqire e FIBA Kampionatit Evropian U16 për vajza
Sveçla: Përulemi para familjes emblematike të lirisë sonë, f...
Bekimi i flamurit kombëtar në Korçë, vijon tradita edhe pas ...
Festa e 28 Nëntorit, qytetarët në Tiranë shprehen të kënaqur...
UEFA publikon formacionin e javës së pestë në Ligën e Kampio...
Gjykata urdhëron rinumërimin e votave të zgjedhjeve në Ruman...