Shefi i NATO-s komenton korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë

13:28 | 3 Dhjetor 2018
V. S.

NATO mbështet fuqimisht dialogun Prishtinë- Beograd dhe kur bëhet fjalë për “korrigjimet e mundshme kufitare”, shpresohet që të dyja palët do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, raporton “B92”, transmeton “Zëri.info”.

Kështu u shpreh në Bruksel sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Ai e tha këtë në prag të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, ku të mërkurën së bashku me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Federica Mogherini do të diskutohet për “marrëdhëniet e NATO-s me Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur nga një gazetar nëse Aleanca Atlantike ka frikë se mund të rrezikohet siguria nëse në dialogun Beograd-Prishtinë do të përfshihej ndonjë “korrigjim kufiri”, Stoltenberg tha se “NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun Beograd-Prishtinë, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur përgjigjen për çështjet e pazgjidhura”.

Kreu i Aleancës së Atlantikut rikujtoi se kohët e fundit në Beograd vuri në dukje rëndësinë e dialogut Beograd-Prishtinë.

“Kur bëhet fjalë për harmonizimin e mundshëm të kufijve, duke theksuar se NATO mbështet dialogun dhe shpresoj që të dyja palët të gjejnë një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për Beogradin dhe Prishtinën”, ka thënë Stoltenberg.

Sipas Stoltenberg, “është e rëndësishme që të gjithë faktorët të përmbahen nga lëvizjet sfiduese dhe mesazhet provokuese dhe të përpiqen të zvogëlojnë tensionin dhe të bëjnë përparim”.

Ai theksoi se “NATO do të vazhdojë të jetë prezentë në Kosovë, atje është misioni ynë operativ KFOR- i cili është i rëndësishëm për stabilitetin”./Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme