Google ADS

Qeveria nuk rritë, sikur vetës, pagat e minatorëve me taksa të qytetarëve

15:58 | 9 Janar 2019
V. S.

Kanë kaluar më shumë se dy orë bisedime por prape se prape minatorët e “Trepçës”, nuk kanë arritur të gjejnë pajtueshmëri me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka , gjatë ditës se sotme.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, në një prononcim për arbresh.info, ka treguar se kanë qenë dy pika ku ata nuk janë pajtuar me ministrin Lluka.

“Këshilli grevistë ka marr vendim që të vazhdojë greva, dhe nga nesër do vendosim se si do ta vazhdojmë grevën. Pikat që s’jemi pajtua me Ministrin pas takimit ishte rritja e pagave prej 20% dhe shkarkim i  bordit të Trepçës sepse Ministri tha se nuk ka kompetenca për këto dy çështje. Dhe ka mbetur që të diskutojë më Qeverinë. Greva do të vazhdoj si çdo ditë dhe nga nesër pas koordinimit, të gjithë minatorët do të vendosim se si do të vazhdojmë grevën në çfarë  mënyre”.

Sadiku tutje ka treguar se grevës së minatorëve të Trepçës ju kanë bashkuar edhe dy minierat  tjera, Artana dhe Kishnica.

“Ne kemi parë deklaratën e Kryeministrit dhe ai ka deklaruar se procesi i Trepçës do të zgjidhet në Mitrovicë dhe jo në Bruksel dhe ka thënë se kërkesat janë të arsyeshme dhe të drejta, dhe besoj që ai mundet mi shty këto procese dhe të na i realizon këto kërkesa, na shpresojmë te Qeveria. Greva është rrit dhe grevës ju kanë bashkangjitur edhe Miniera e Artanës dhe e Kishnicës dhe ne nuk do të kthehemi pas”.

E kërkesat e tyre për shkarkim të bordit dhe rritje prej 20% të pagës, janë kërkesa të cilat nuk mund të realizohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thotë këshilltari i ministrit,  Sami Borovci.

Në një përgjigje për arbresh.info, Borovci ka thënë se në këtë fazë ku ministria prioritet e ka statusin e “Trepçës”, këto dy kërkesa në këto momente nuk mund të realizohen.

“Ka pasë kërkesa të reja nga Minatorët. Është shkarkimi i bordit dhe rritja e pagës prej 20%. Këto kërkesa normalisht që ministria nuk mundet mi realizua. Pasi Trepça operon me humbje dhe nuk mund të ketë rritje të pagave. Ndërsa bordi nuk mundet mu shkarkua. Na kemi kërku dhe kemi njoftu për statusin e ri të Trepçës, që presim të kaloj në janar ose shkurt, dhe pastaj Trepça do të regjistrohet si ndërmarrje e re, apo shoqëri aksionare dhe mandej ka hapsirë më i shiku këto çështje. Ne kemi thanë se në momentin kur Trepça i rrit të hyrat dhe prodhimin mund të shqyrtojmë këtë mundësi dhe jo me taksa të qytetarëve të rriten pagat, edhe ashtu paga mesatare është 770 euro për dallim prej rajoni ku është 480 euro. Kërkesat e tyre janë të parealizueshme në këtë kohë”, ka përfunduar Borovci.

E të drejtë ketë grevë e mendon, Lulzim Beqiri, njohës i çështjeve ekonomike.

Në një prononcim për arbresh.info, Beqiri, ka thënë se qeveritë deri tash kanë luajtur me dinjitetin e minatorëve andaj dhe duhet reflektim më i shpejt për këtë kategori.

“Iniciativa e minatorëve te Trepçës për të hyrë në grevë mendoj se është plotësisht e drejtë, të gjitha qeveritë e kaluara kanë luajtur me dinjitetin e minatorëve, andaj duhet reflektim i menjëhershëm i Qeverise dhe i Kryeministrit për t’i plotësuar kërkesat e minatorëve, janë kategoria që e kanë shkruar historinë e Kosovës nëpër dekada dhe të lihen anash nuk është etike. Pra, plotësimi i kërkesave të tyre nuk e ngarkon buxhetin e shtetit përderisa qeveria rritë pagat vetës dhe kabinetit të tij, e një minator vdes me pagën e njëjte edhe pse pjesën më të madhe e kalon 1000 metra nën tokë. Kosova është shquar në ish-Jugosllavi për industrinë e rëndë dhe rëndësinë e kësaj industrie në mirëqenien e qytetarëve të saj. Është evidente se gjiganti ‘Trepça’ ka kontribuar gjeneratë mbas gjenerate në zhvillimin ekonomik jo vetëm të Kosovës, por edhe të Serbisë dhe ish-Republikave tjera të Jugosllavisë”, ka përfunduar Beqiri.

Qeveria e Kosovës me Ligjin për pagat parasheh rritje të pagave për pjesën më të madhe të  qeveritarëve me taksa të qytetarëve./V.Selimi/Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme