Google ADS

Propozimi i Veselit për pezullim 120 ditësh është i paefektshëm

08:16 | 30 Janar 2019
V. S.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur qëndrimin se taksa 100% e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk duhet të hiqet, por të pezullohet për 120 ditë si mirëbesim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

E, njohësit e rrethanave politike në vend, thonë se edhe nëse pezullohet taksa për 120 ditë Serbia nuk do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Analisti, Faton Abdullahu, thotë se kushtëzimi i taksës me njohje nga Serbia është gabim logjik, sepse Serbia nuk do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës pavarësisht që pezullohet taksa për 120 ditë.

“Serbia nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës pavarësisht se a do të pezullohet taksa apo jo, aq më pak nëse ajo pezullohet për 120 ditë apo për 30 ditë. Këto janë manovrime të koalicionit PAN, i cili nuk është unik në shumë segmente e më së paku kundër Serbisë. Kushtëzimi i taksës me njohje nga Serbia është gabim logjik. Nuk duhet kafshuar atë që nuk ta mban nofulla”, ka thënë ai.

Sipas Abdullahut, grevat janë dëshmi se këto politika janë afat shkurta.

“Jo me njohje, por kushtëzime me segmente tjera që do të ishin në barasvlere me taksat, do të ishte shumë më pragmatike dhe do ta mundësonin ndihmën eventuale që do të vinte në këtë drejtim nga Brukseli apo aleatët tanë si përpjekje për ta hequr taksën. Ky koalicion po dëshmon se gjithnjë e më shumë e ka të vështirë ta kuptoj Brukselin dhe Uashingtonin dhe kompensimin për këtë e gjen tek politikat populiste. Grevat janë dëshmi se këto politika janë afatshkurta. Ashtu duket se do të jetë edhe jetëgjatësia e këtij koalicioni”, thotë ai.

Sipas analistit, Ramush Tahiri, propozimi i Veselit duhet të bëhet në formën e shkruar dhe t’i dërgohet qeverisë dhe të merret vendim me votim.

“Pezullimi është masë e përkohshme është një lloj moratoriumi në masën e ndërmarr nga Qeveria e Republikës së Kosovës për taksimin e të gjitha mallrave që importohen nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina. Është propozuar pezullimi i afatizuar prej 120 ditësh nga ana e kryeparlamentarit njëherësh kryetar i PDK Kadri Veseli i cili pezullim hiqet automatikisht kur të plotësohen kushtet e vëna apo të kërkuara  ose kur përfundon afati kohor i proklamuar. Propozimi i Veselit i cili në cilësinë e funksionit të tij zyrtar duhet të bëhet në formën e shkruar dhe t’i dërgohet Qeverisë e cila duhet me votim të deklarohet dhe të merr vendim me votim”, vlerësoi ai.

Tahiri taksën e vlerëson edhe nga ana ekonomike. Ai thotë se me ketë pezullim do të përfitonin tregtarët për të importuar sasi të madhe për të mbush depot se paku për dy vite.

“Pezullimi që ndoshta është iniciuar me sugjerimin e ndërkombëtarëve ka për qëllim të shtensionojë marrëdhëniet Kosovë -Serbi dhe t’i jep shanse dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare që normalizon marrëdhëniet ndërmjet të dyja shteteve dhe të dy popujve. Nëse në ndërkohë proceset marrin udhë të mirë drejt zgjidhjes pezullimi i taksës  mund të vazhdojë edhe për një periudhë të caktuar. Nga ana ekonomike pezullimi i taksës së importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnjës e Hercegovina mund të shfrytëzohet nga tregtarët e ndërmjetësit për të importuar sasi të mëdha dhe për të mbushë depot së paku për një dy vite”, përfundoi ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se qëndrimi i tij dhe i qeverisë rreth taksës ndaj produkteve Serbe dhe Boshnjake, nuk ka ndryshuar dhe nuk do ta përfillë as kërkesën e partnerit më të madh të koalicionit, konkretisht të liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kasri Veseli, për pezullimin 120 ditësh./Ardita Zeka/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme