Policia e Kosovës thotë se protestat e serbëve në veri ishin të qeta

15:42 | 23 Nëntor 2018
V. S.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për protestat e mbajtura sot në Graçanicë, Shtërpcë e të tjera lokacione në veri të Mitrovicës, ku qytetarët serb kanë protestuar kundër taksës.

Përmes një kumtese për media, Policia ka thënë se me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.

Më poshtë njoftimi i plotë i Policisë:

Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestat e mbajtura sot në disa lokacione të ndryshme të vendit si, në Graçanicë, Shtërpcë dhe në disa lokacione në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestave.

Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Protestat kanë filluar rreth orës 12:00 dhe kanë përfunduar rreth orës 13:00, përderisa gjatë kësaj periudhe kohore në disa rrugë ku është mbajtur protesta në Veri, qarkullimi i automjeteve ka qenë i ndërprerë përkohësisht.

Vlen të potencohet se protestat kanë qenë të qeta dhe pas shpërndarjes së protestuesve rrugët janë liruar për qarkullim të automjeteve

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planifikimeve policore, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme