Transparenca rreth financimit të partive politike ka qenë dhe mbetet një prej ngecjeve të vazhdueshme të Kosovës, që është evidentuar gati se në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian.
Së fundmi, po tentohet që përmes ndryshim-plotësimit të Ligjit për financimin e subjekteve politike, financat e partive politike të bëhen më transparente.
Por, edhe përkundër ndryshimeve që po i bëhen ligjit, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, ai do të vazhdojë të lë hapësirë për fshehje të burimeve të financimit.
Partitë politike thuhet se bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës çdo vit, e që arrijnë vlerën e më shumë se 4 milionë euro dhe bëhen mbi bazën e përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financim e subjekteve politike i aprovuar nga Qeveria e Kosovës, përveç tjerash përcakton edhe masat ndëshkuese për subjektet që nuk respektojnë kërkesat e dala nga ky ligj.
Aty është kërkuar që të sqarohen disa nga dispozitat ligjore, me theks të veçantë te kontrolli i financimit të subjekteve politike, auditimit të raporteve financiare dhe publikimi i tyre.
Rasim Alija hulumtues në Institutin Demokraci për Zhvillim thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe me këto ndryshime, ky ligj vazhdon t’iu mundësojë subjekteve politike t’iu ikin përgjegjësive.
“Instituti Demokraci për Zhvillim ka qenë pjesë e draftimit të Ligjit për financimin e subjekteve politike. Financimi i subjekte politike ka qenë një nga problemet më të mëdha prej viti 2011- 2012, ku asnjë pasqyrë nuk është audituar sipas Ligjit për financimin e subjekteve politike. Ne kemi dhënë komentet tona, por edhe pse bën hapa para drejt avancimit të transparencës se partive politike, ka shumë zbrazësi në ligj dhe lejon që subjektet politike t’i ikin përgjegjësisë. Për shembull, në një pjesë të ligjit nuk saktësohet qartë se çfarë është kontribut që Ligji për financimin e subjekteve politike e adreson dhe nuk specifikohet kush mund të bëjë kontribut”, thotë Alija.
Ndryshimet aktuale që janë bërë në projektligjin për financimin e subjekteve politike, thotë Arton Demhasaj, drejtor i organizatës “Çohu”, janë pozitive, por që nuk kanë prekur të gjitha çështjet që do të mundësonin një transparencë më të lartë.
Ai thekson se me këto ndryshime të bëra nuk është ndalur financimi i jashtëm i partive politike.
“Këtu ka qenë problemi kryesor që partitë politike kanë marrë donacione nga bizneset dhe pastaj këto biznese kanë qenë pjesë e marrjes së një numri të madh të tenderëve përmes procedurave të prokurimit publik. Kjo nuk është ndalur dhe në të ardhmen do të përsëritet kjo lidhja mes partive politike dhe bizneseve, pasi që ligji nuk e ka ndaluar këtë”, thekson Demhasaj.
Një nga problemet më të theksuara në financimin e partive politike ka qenë auditimi i pasqyrave financiare. Për shkak të problemit të zgjedhjes së auditorëve, që ka qenë kompetencë e Kuvendit të Kosovës, për 4 vjet financat e partive politike nuk ishin audituar.
Me ndryshimin e ligjit, auditimi i rikthehet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Disa auditime të bëra pas zgjedhjes së auditorëve, sipas Rasim Alija hulumtues në Institutin Demokraci për Zhvillim, ishin gjetur parregullsi të shumta në raportet financiare të partive politike.
“Kemi parë ato pasqyrat që janë audituar prej vitit 2012 deri në vitin 2016, ku ka pasur një mal me parregullsi, është bërë shkelje e ligjit, ku një subjekt politik operon me 16 llogari bankare, që është shkelje e ligjit dhe një mori gjërash tjerash, dhe shumica e subjekteve donatorë kryesorë i kanë bizneset e fuqishme, ku ato donacione përkthehen në tenderë që subjekteve politike i japin bizneseve që kanë financuar fushatat e tyre”, thekson Alija.
Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë.
Raportet e fundit financiar të subjekteve politike: Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë të vitit 2016. Derisa në ueb faqen e Partisë Demokratike të Kosovës nuk figuron asnjë raport financiar.
Subjektet politike në Kosovë, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje, nuk kanë të publikuar as raportin financiar për fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008./REL/
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...