Përveç rastit “Kleçka” Fatmir Limaj paralajmëron padi ndaj shtetit edhe për rastin MTPT

08:32 | 7 Korrik 2019
arbresh.info

Ish- ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), tashmë zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj mund të kërkoj kompensim dëmi për përballjen e tij prej një dekade me procesin gjyqësor në rastin e njohur si rasti “MTPT”, raporton arbresh.info.

Kjo pasi ditë më parë Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, në të cilin Limaj dhe të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm në procesin gjyqësor ndaj tyre.

Mbrojtësi i zëvendëskryeministrit Limaj, avokati Tahir Rrecaj nuk e përjashton mundësinë e padisë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës(KGjK).

Ai thotë se është në pritje të vendimit me shkrim nga Gjykata e Apelit.

Megjithatë avokati Rrecaj, thotë se ende nuk është konsultuar për këtë çështje me klientin e tij pasi ende nuk e kanë pranuar me shkrim vendimin e Gjykatës së Apelit, mirëpo shprehet se Limaj mund të kërkoj kompensim edhe për rastin MTPT , ose ta zgjeroj padinë ekzistuese që ka bërë për rastin “Kleçka”.

“Procesi gjyqësor ndaj Limajt ka zgjatur prej vitit 2010 e deri tash, pra 9 vjet është përballur klient im për këtë proces gjyqësor të gjatë. Nuk jam konsultuar ende me z.Limaj, por nëse ai  është i interesuar për një padi me një kompensim të dëmit,  për një gjykim të padrejtë  plotësisht, do t’a bëjmë , ose do t’a zgjerojmë  padinë ekzistuese  që e kemi në rastin “Kleçka”. Mirëpo ende nuk  kemi marr qëndrim, sepse  nuk i kemi marr vendimin me shkrim nga gjykata  e Apelit”, është shprehur avokati Rrecaj.

Ai thotë se ende nuk dihet shuma që Limaj mund të kërkoj si dëmshpërblim për padrejtësinë që i është bërë për 10 vjet të përballjes së tij më këtë rast.

“Nuk e di se sa do të jetë shuma, por do të bisedojmë dhe do të shikojmë paraprakisht, për të gjitha detajet”, thotë Rrecaj.

 Tri vjet nga dorëzimi i padisë së Rastit “Kleçka”, asnjë seancë e caktuar

 Edhe pse janë bërë rreth tri vjet nga dorëzimi i padisë së Fatmir Limajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku si dëmshpërblim për përballjen e tij të padrejtë me rastin “Kleçka”, ai ka kërkuar hiq më pak se 7 milion euro, kjo gjykatë ende nuk ka caktuar asnjë seancë.

Avokati Tahir Rrecaj thotë se ende nuk kanë pranuar ndonjë thirrje nga gjykata për padinë e rastit “Kleçka”.

Ai, ankohet se gjyqësori po vonohet në mënyrë të paarsyeshme.

“Kemi paraqitur padi, por gjykata ende nuk e ka caktuar seancën  gjyqësore, kurse gjyqësori fatkeqësisht  po vonohen, në mënyrë të paarsyeshme, por ende nuk  kemi marr thirrje për seancë, pra nuk është caktuar ende seanca fillestare, por jemi në pritje”, shprehet Rrecaj.

Historiku i përballjes së Limajt me rastin “Kleçka” dhe “MTPT”

 Ndryshe, në nëntor të vitit 2017 Gjykata Themelore e Prishtinës, e udhëhequr  me shumicë gjyqtarësh të Eulex-it, kishte liruar ish-ministrin e MTPT-së, Fatmir Limaj dhe të tjerët nga të gjitha akuzat. Kështu në fund të vitit 2017 kishte përfunduar maratona e procesit gjyqësor, në të cilin Limaj ngarkohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krim të organizuar, gjatë kohës sa ishte ministër i Ministrisë së Transportit në vitin 2008.

Bashkë me Limajn, në rastin MTPT akuzoheshin edhe Shpëtim Telaku, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi e Florim Zuka.

Ndërkohë afër 7 milionë euro është shuma që ish-komandant “Çeliku”, Fatmir Limaj ka kërkuar kompensim nga shteti për procesin e padrejtë gjyqësor ndaj tij në rastin “Kleçka”.

Përballja e tij tri herë radhazi me drejtësinë në rastin “Kleçka”, në të cilin rast akuzohej për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe vërtetimi i pafajësisë, ka bërë që Limaj të kërkoj kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e që arrin vlerën 6 milionë e 987 mijë e 314 euro.

Kjo padi erdhi pasi Limaj ka refuzuar ofertën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për dëmshpërblimin e kërkuar për rastin e njohur si rasti “Kleçka”.

Refuzimi i ofertës nga ana e Limajt kishte ardhur, pasi shuma e ofruar nga KGJK, nuk arrinte as 1 përqindëshin nga shuma prej 7 milionë që kishte kërkuar.

Oferta e Komisionit për Kompensim të dëmit të KGJK-së ishte në vlerë rreth 7 mijë e 305 euro , shifër kjo që u cilësuar si ofertë simbolike nga ana e Limajt.

Përveç Limajt, edhe ish-kreu i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ka paditur shtetin për përballjen e tij me procesin gjyqësor në rastin “Drenica”.

Lushtaku në fund të vitit 2018 kishte dorëzuar kërkesën e tij për dëmshpërblim për mbajtjen e tij në paraburgim, përballjen pa asnjë fakt me procesin gjyqësor në rastin  “Drenica”, mbajtjen e tij në paraburgim dhe shpenzimet tjera gjatë procesit.

Ish-kreu i Skenderajt ka kërkuar hiq më shumë se 4 milion euro./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme