Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka shkruar se qëndrimi i fundit në Vjenë dëshmoi se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi kanë të gatshëm planin për ta futur në kasaphane të re territorin e Kosovës.
Ai në një opinion të gjatë ka shkruar ne facebook, ka thënë se siç u pa, Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga kjo rrugë me shumë rreziqe për popullin e Kosovës dhe më gjerë.
Postimi i plotë:
Ideja për “Korrigjimin e Kufijve”- zhbërje e procesit të pavarësimit të Kosovës!
Muajt e fundit debati rreth dialogut me Serbinë është intensifikuar shumë, duke marrë një dinamikë dhe vëmendje publike që nuk e ka pasur deri para pak kohe. U tha se kjo do të jetë faza finale e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë edhe do të prodhojë marrëveshjen finale mes dy vendeve. Meqë, me përjashtim të emërtimit “Fazë Finale”, askush nuk e kishte idenë se për çka do të flitet në këtë proces të dialogut, atëherë pashmangshëm debati u përqendrua rreth asaj se kush do të duhej ta udhëheqë këtë fazë të dialogut me Serbinë!
Kohëve të fundit, Hashim Thaçi, i cili përkundër insistimit të vazhdueshëm, herë publik e herë jo publik, nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr dialogun, me qëllim të zëvendësimit të temës së debatit publik nëse është apo nuk është personi i duhur për ta udhëhequr dialogun, doli me idenë e “Korrigjimit të Kufijve” me Serbinë, në fazën e fundit të dialogut! Me këtë “ide të re”, Hashim Thaçi arriti ta zhvendosë debatin aty ku deshi, dhe çështja e përfaqësimit në këtë dialog u hesht tërësisht!
Për të fituar simpatitë e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar të Luginës së Preshevës, Hashim Thaçi përsëriste në çdo konferencë të organizuar kohëve të fundit se kinse “Korrigjimi i Kufirit me Serbinë” nënkupton bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes me Kosovën. Ai, në asnjë rast nuk tregoi se sipas marrëveshjeve sekrete që ka me Beogradin, cilat pjesë të Kosovës parashihen t’i jepen Serbisë.
Me gjithë kundërshtitë e mëdha që pati kundër idesë që vë në rrezik integritetin territorial të Kosovës, Hashim Thaçi jo vetëm që nuk u tërhoq nga qëndrimi i tillë, por ai këmbëngulë për të mbajtur gjallë këtë ide. Edhe pse nuk e dimë përmbajtjen reale të “Korrigjimit të Kufijve”, ideja e tillë e kthen çështjen e përfunduar të Kosovës në pikën fillestare të propagandës serbe, që të konsiderohet si “problem që kërkon zgjidhje në mes serbëve dhe shqiptarëve”.
Përkundër asaj se mund të duket si diçka që tanimë e dinë shumica e atyre që janë marrë me historinë e Kosovës, në vazhdim të këtij shkrimi do të ndalem në disa momente kyçe të rrugëtimit politik të Kosovës, sepse është e vetmja mënyrë që na bën të qartë rreziqet e mëdha që i kanosen vendit tonë nga ideja e moçme serbe që aktualisht trumbetuar nga Thaçi dhe Vuçiqi!
Më duket e rëndësishme të përsëris se në “Parimet Orientuese të Grupit të Kontaktit” theksohet se “rregullimi i statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Çdo zgjidhje e njëanshme që rezulton nga përdorimi i forcës nuk do të jetë e pranueshme. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve regjional do të respektohet plotësisht”.
Rezultati i këtyre bisedimeve dihet. Po përmend vetëm epilogun e tyre. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të datës 26 mars 2007, Ban Ki-mooni, shtroi për shqyrtim “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, që ishte përgatitur nga Martti Ahtisaari dhe ekipi i tij. “Martti Ahtisaari kishte bindjen e fortë se ishin shterur të gjitha mundësitë që të gjendej një rrugëdalje e negociuar dhe e pranueshme nga të dyja palët. Vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak. Ka ardhur koha që të rregullohet statusi i Kosovës!”
Në fund të raportit të vet, Martti Ahtisaari përfundoi se “duke shqyrtuar historinë e re të Kosovës dhe realitetin e tanishëm dhe duke zhvilluar negociata me të dyja palët, kam arritur te përfundimi se opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj. Fillimisht kjo pavarësi duhet të jetë e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare”.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Po e përsëris edhe një herë: në fund të udhëheqjes së bisedimeve në mes Serbisë dhe Kosovës, i ngarkuari i Kombeve të Bashkuara, z. Martti Ahtisaari deklaroi se “Vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak. Ka ardhur koha që të rregullohet statusi i Kosovës”.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe legjitimimit të aktit të shpalljes së kësaj pavarësie nga GJND-ja, njohjes ndërkombëtare të shtetit të pavarur të Kosovës nga shumica e shteteve të botës, hapja e bisedimeve të reja me Serbinë nuk do të thotë asgjë tjetër pos ta fusësh Kosovën në një qorrsokak të rrezikshëm me pasoja shumë të mëdha.
Për këtë arsye, mbështetja që po i bën Hashim Thaçi, nga pozita e presidentit të Kosovës, idesë serbe për të vendosur në tavolinë bisedimesh territoret shqiptare është ideja më e rrezikshme për paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Dhe më gjerë.
Fatkeqësisht, pas refuzimit absolut që iu bë në Kosovë idesë së vjetër serbe për ndarjen e Kosovës, të prezantuar si “Korrigjim Kufijsh”, në vend që të tërhiqej nga qëndrimet e veta, Hashim Thaçi vazhdoi aventurën me partnerin e tij Aleksandër Vuçiqin për të kërkuar nga Vjena mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-ve për copëtimin e Kosovës!
Qëndrimi i fundit në Vjenë dëshmoi se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi kanë të gatshëm planin për ta futur në kasaphane të re territorin e Kosovës. Siç u pa, Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga kjo rrugë me shumë rreziqe për popullin e Kosovës dhe më gjerë.
Është koha e fundit që të gjitha forcat politike dhe institucionale të Kosovës të dalin me qëndrim të qartë se në përpjekjet për të vënë në tryezë bisedimesh integritetin territorial të Kosovës, Hashim Thaçi nuk përfaqëson askënd tjetër pos vetes së vet. Është obligim kushtetues i çdonjërit prej nesh që të sensibilizojmë institucionet e BE-së dhe të SHBA-ve se asnjë marrëveshje e nënshkruar në këtë drejtim nuk do të ketë vlerë për shtetin e pavarur të Kosovës.
Kosova dhe tërë rajoni kanë nevojë për paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Çdo përpjekje për të kthyer në tavolinë bisedimesh çështjet tanimë të përfunduara inkurajon forcat reaksionare dhe luftënxitëse në Serbi, për të mbajtur nën kërcënim të vazhdueshëm paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës!/arbresh.info/
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...
Aksident mes tri automjeteve në Prishtinë, lëndohen dy perso...
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...