“Afrimit i kërkoj falje publikisht nëse e ka marrë personalisht, unë kam familje dhe nuk jam rrugaç me e kërcënu”, ka deklaruar Zeka para gjykatës.
Zeka në fjalën e tij ka deklaruar se është i shokuar nga kërkesa për paraburgim.
“Në radhë të parë arsyeja se pse jam shokuar nga kërkesa. Unë personalisht e kam ditur se do të ndodhë një gjë e tillë sepse një ditë më parë një portal kriminal me emrin Insajderi, i cili ju paraprinë të gjitha akuzave të prokurorisë në Kosovë, është i vetmi portal se ka konstatuar se unë gjoja e kam kanosur prokurorin Afrim Shefkiu. Kur kam thënë prokurori jem në mënyrë absolute nuk kam aluduar tek Afrim Shefkiu, por kam aluduar tek presidenti Thaçi, tek Aleksandër Lumezi, tek Kadri Veseli. Sepse prokurori i cili ma ka ngrit aktakuzën de facto është Aleksandër Lumezi, por kam thëne tekstualisht do të i shkojë deri në fund kësaj pune juridikisht me kanun dhe privatisht”, ka deklaruar Zeka.
Ai tutje ka thënë se përmendja e kanunit nuk nënkupton kërcënim.
“Vetë presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar publikisht se do te merrem vesh me kanun me familjen e Gani Gecit, Haki Imerit e plotë. Dmth kanuni nuk nënkupton kërcenim. Unë kam dëgjuar edhe gjatë procesit tim gjyqësor 4 vjeçar me EULEX-in edhe gjyqtarët e EULEX-it ju kanë referuar kanunit si e drejtë zakonore dhe aty edhe ose se kam kuptuar mirë kanunin për mua kanuni nënkupton marrëveshje dhe pajtim”, ka thënë ai.
Zeka ka theksuar se te çështja privatisht ai ka dashur të thotë se “përmes Këshillit Prokurorial edhe Gjykata vendore me padi private kam me i ndjek të gjithë akterët që ma kanë montuar rastin e vizave”, tha Zeka.
Ai para gjykatës tha se kurrë nuk do të përmend emrin Afrim Shefkiu derisa të përfundojë procesi gjyqësor ndaj tij.
“Për hir të respektit ndaj Gjykatës deri sa të përfundoj procesi im gjyqësor që do të filloj me 2 tetor në jetën time nuk do ta përmend emrin e prokurorit Afrim Shefkiu dhe prapë po them kurrë në jetë nuk kam kërcënuar e as që do të kërcënoj dhe nuk kam kurrfarë pretendimi ndaj tij” tha Zeka, duke shtuar se ‘krejt kjo fjali është nxjerrë në kontekst”.
Deputeti Milaim Zeka, tha se nuk ka asgjë kundër prokurorit Afrim Shefkiu dhe se po të kishte do të kërkonte përjashtimin e tij nga rasti.
“Unë atë natë kam fol për Aleksandër Lumezin. Për hir të respektit ndaj Gjykatës deri sa të përfundoj procesi im gjyqësor që do të filloj me dy tetor në jetën time nuk do ta përmend emrin e prokurorit Afrim Shefkiu. Dhe prapë po them kurrë në jetë nuk kam kërcënuar, e as që do të kërcënojë dhe nuk kam kurrfarë pretendimi ndaj tij. Po të kisha diçka ndaj tij do të kërkoja nga avokatet e mi që të kërkohet përjashtimi i tij nga procesi”, u deklaruar Zeka.
Avokati i Milaim Zekës, Florent Latifaj tha se kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e kundërshtojnë në tërësi si të pabazuar.
“Fjalët në diapozitivin e kërkesës të cilat edhe ashtu të shtrembëruara ‘se unë do të ndjek prokurorin tim me gjyq e me kanun po ashtu edhe privatisht’, nga ana e prokurorisë ju ka dhënë një interpretim i tillë se kinse i mbrojturi im ka kërcënuar s`po dimë çka prokurorin, jetën, trupin, integritetin pasurinë, s`po dimë çka. Asnjë nga kërkesat e dispozitës së lartëcituara nuk është përmbushur në rastin konkret që të ekzistoj dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer vepër penale”, deklaroi avokati i Zekës Florent Latifaj .
Latifaj tha se po të kishte pasur qëllim të ndikoj tek prokurori i çështjes deri tash atë do të kishte tentuar ta bëjë.
“Është marrë në pyetje dy herë nga i njëjti prokuror dhe asnjëherë prokurori nuk ka pasur vërejtje nga Milaim Zeka dhe asnjëherë nuk ka thënë se ka tentuar me e pengu punën e tij. Kohëve të fundit kemi pasur një serë paraqitjesh publike. Duke i fyer në mënyrën me të vrazhdë të mundshme duke i quajtur “djem të kudrave”, se do të i ndjekim në tërë botën. Por nuk kemi parë asnjë lëvizje të asnjë institucioni që të ndërmerren veprime ndaj këtyre personave. E këtë më rastin tonë mund ta quajmë drejtësi selektive. Nga ju nuk do të kërkoj caktimin e ndonjë mase alternative ngase konsideroj se kjo kërkesë duhet të refuzohet si e pabazuar, nuk përmbushet asnjë nga elementet e kërkuara për caktimin e masës së kërkuar, por është një kërkesë tërësisht qesharake e pa bazuar me asnjë provë të vetme”, tha mbrojtësi i Milaim Zekës, Avokati Florent Latifaj.
Prokurori Rexhep Maqedonci tha se kërkesën e tij për caktimin e paraburgimit e ka të bazuar në vet deklaratën e prokurorit Afrim Shefkiu, i cili në këtë rast është si palë e dëmtuar.
“Kërkesën e kemi parashtruar për shkak të dyshimit të arsyeshëm që ka kryer veprën penale të kanosjes. Pas vlerësimit të kallëzimit penal, provave materiale të siguruara nga policia, deklaratën e të dëmtuarit prokurorit Afrim Shefkiu ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri e ka kryer veprën penale të lartpërmendur andaj kërkojmë që të pandehurit të i caktohet paraburgimi”, tha prokurori Maqedonci.
Izraeli arreston 240 palestinezë, përfshirë mjekë pas bastis...
Rizvanolli i quan “gënjeshtra” pretendimet se pajisjet efiçi...
Inter e mbyll me stilin vitin 2024 – mposht me rezultat komo...
Këmbësori goditet nga vetura te Bill Clintoni në Prishtinë
KOSTT: Rikthehet furnizimi me rrymë në Gjilan
Rriten rastet e norovirusit në ShBA