Gërvalla: Mustafa me kastën e tij LDK-në po e shndërron në parti pa vlera

08:15 | 1 Qershor 2016
Arbresh.info

E njohur si vajza e veprimtarit të shquar Jusuf Gërvallës, ajo njëherit është edhe përfaqësuese e Degës së LDK-së në Gjermani. Është kjo Donika Gërvalla e cila u bë lajm i disa skenave të shumta nga partia të cilës i takon, skena këto të cilat nga analistë të ndryshëm u cilësuan si jo të drejta. Në një intervistë për portalin Arbresh.info, Gërvalla ka folur rreth çështjeve të fundit që ndodhën në LDK ku nuk u lejua të marr pjesë në mbledhjet dhe në kuvendin e kësaj partie, për zgjedhjet e degës që përfaqëson dhe për të arriturat e saj. Ajo ndër të tjera tregoi edhe arsyen se përse e quan frikacak Mustafën, Gërvalla foli edhe për dallimin kur ish presidenti Rugova ishte në krye të LDK-së dhe tani që është Mustafa e poashtu edhe për të ardhmen e LDK-së. Ndër të tjera Gërvalla foli edhe për çështjen e 3% ku kërkoi llogari nga Mustafa për ato fonde.

 Arbresh.info: Si një figurë e shquar që njihet babai yt ndërsa ju që jeni pasardhësja e tij, përse zgjodhët të kyçeni në politikë më saktësisht në LDK, mos ishte kjo një porosi e babait tuaj që në një far forme vizionin e tij për vendin ta ndiqni duke kontribuar në këtë mënyrë, pra me politikë?

Donika Gërvalla: Siç është e njohur për opinionin familja jonë mbas atentatit ndaj babit në Gjermani në vitin 1982 kemi shkuar dhe kemi jetuar në Tiranë ku kam përfunduar shkollën dhe studimet në vitin ’92 dhe kam përjetuar në Tiranë proceset e demokratizimit të Shqipërisë, ndërsa të tjerat kamë qenë pjesëmarrëse në protestat e studentëve dhe në grevën e urisë. Në këtë kuadër pra të interesimit  të përgjithshëm politik, jo vetëm për Kosovën që është vendlindja ime por duke pasur parasysh rrethanat që në vitin ’89 ndodhën shumë ngjarje, viti ‘90 solli ngjarje të reja në Kosovë. Unë kam qenë e impresionuar nga forma , pra stili i ri që solli LDK në skenën politike në Kosovë. LDK krijoi  rrethana që të gjithë të kenë mundësi të bashkohen në një vend dhe të luftojnë armikun e përbashkët siç ishte pushtimi serb. Në momentin kur kam dal nga greva e studentëve të nesërmen në radhë të parë për vizitë në Shqipëri ishte presidenti Rugova dhe pastaj erdhi edhe në shtëpinë tonë ku më solli librezën e LDK-së dhe prej asaj dite jam anëtare e kësaj partie.

Arbresh.info: A mund të  bëni një krahasim si ishte LDK-ja në kohën e ish-presidentit Rugova dhe në kohët e tashme kur në krye të saj fillimisht ishte Sejdiu e tani Mustafa?

Donika Gërvalla: Jo vetëm LDK është ndryshe por edhe rrethanat në Kosovë janë ndryshe. Kur flasim për LDK-në e Presidentit Rugova gjithmonë kemi ndërmend kohën kur LDK-ja ishte një lëvizje masive, çlirimtare e cila i bashkonte rezistencën civile por edhe përpjekjet për mbrojtjen e popullsisë, aksionet për vetëmbrojtje e tjera të cilat janë zhvilluar në ato vite, pra kjo është LDK e Rugovës. Me mbarimin e luftës rrethanat politike kanë ndryshuar shumë, edhe për  LDK-në ka lindur domosdoshmëria që të reformohet dhe të shndërrohet  në një parti politike të mirëfilltë sepse në  një lëvizje çlirimtare mund ti bashkosh disa rryma ndërsa në një parti politike  të mirëfilltë rrethanat janë më specifike. Për aq kohë sa Presidenti Rugova ishte gjallë ai arriti të unifikoj spektrin politik edhe brenda LDK-së., me gjithë konkurrencën që bënin partitë e dala nga lufta. Por, me largimin e Presidentit Rugova, profesor Sejdiu nuk arriti ta bëjë kapërcimin final nga një parti politike pasardhëse e një lëvizje çlirimtare në një parti politike të mirëfilltë dhe, vulën ia vuri Isa Mustafa i cili LDK-në e shndërroi në një parti si të gjitha tjerat me të njëjtat  mekanizma, me të njëjtat vlera të pavlera, me të njëjtat oportunitete të cilat kanë të bëjnë me temat e mëdha të vendit.

Me Presidentin Rugova tema si demarkacioni ose asociacioni i komunave serbe ose tema tjera për vendin me siguri që do të ishin zgjidhur në forma tjera për shkak se Presidenti Rugova kishte edhe autoritetin ndaj ndërkombëtarëve që të impononte zgjidhje të pranueshme edhe për shqiptarët e Kosovës. Ajo ka pasojë më vonë me Hashim Thaçin si kryeministër dhe më pas me Isa Mustafën si kryeministër. Është një histori e gjatë e kompromiseve të dëmshme në kurriz jo vetëm të territorit por edhe të ardhmes së Kosovës.

Arbresh.info: Akademik Nexhat Daci në një intervistë të dhënë thoshte se në atë kohë sa ishte Rugova, ai së bashku me të ishin shtyrë ta nënshkruanin marrëveshjen ‘Debollde’ nga ndërkombëtarët mirëpo kishin refuzuar një gjë të tillë. Sipas Dacit fjala e Rugovës ishte se ‘edhe Zoti po të vinte nuk e nënshkruante atë marrëveshje’, ndërsa tani me ardhjen e Sejdiut pastaj Jakup Krasniqit në krye të Kuvendit këta të dy e nënshkruajnë atë marrëveshje. A ka qenë ky presion i ndërkombëtarëve sipas jush apo të dy kanë rënë pre e disa ndryshimeve të atëhershme?

Donika Gërvalla: Ka një keqkuptim të madh rreth ndërkombëtarëve në këtë vend. Ne kemi pasur fatin që në një fazë shumë të rrezikshme për ekzistencën tonë  NATO, SHBA, Gjermania, shtetet tjera, bota e civilizuar ndërhyri në favorin tonë dhe me sulme ushtarake e përzunë Serbinë nga ky vend. Këto vende janë mike tona dhe janë të interesuara që ne të kemi përparime, të ecim sa më mirë. Interesi i tyre primar është që temat ti zgjidhin sa më shpejt. Te ne një përshtypje që e has unë është se shumicës së njerëzve këtu u duket që Kosova është kërthiza e botës, por nuk është. Në listën e prioriteteve të shteteve si Amerika, Gjermania, Kosova nuk hyn as në 50-tëshen e parë sepse bota ka probleme më të mëdha. Pra është iluzion të mendosh se ndërkombëtarët kanë ardhur të na i zgjidhin çështjet tona pasi që ato duhet ti zgjidhim ne sepse janë tonat. Natyrisht të gjithë miqtë tanë gëzohen kur ne i zgjedhim punët me sukses. Nëse ndërkombëtarët vijnë këtu ata vijnë të na ndihmojnë dhe duan ta heqin dosjen nga tavolina, prapë se prapë ne duhet ta kemi parasysh se ky është vendi ynë dhe fëmijët tanë do të rriten këtu. Për ndërkombëtarët nuk ka qenë shumë i lehtë presidenti Rugova në negociata sepse ai ka qenë shumë stoik në qëndrimet e tij, ai ka biseduar me fjalë por thoshte se kufiri i tij është deri në një masë. Ky është dallimi mes Thaçit dhe Rugovës.

Donika Gervalla foto 12

Arbresh.info: Si përfaqësuese e Degës së LDK-së në Gjermani, cilat janë të arriturat apo ndryshimet që janë bërë në këtë degë?

Donika Gërvalla: Në kohën e rezistencës civile në Kosovë, degët në diasporë në përgjithësi jo vetëm ajo në Gjermani kanë luajtur një rol shumë të jashtëzakonshëm thjesht për mbijetesën e këtyre njerëzve, por ky ka qenë vetëm njëri spektër i punës së degëve në mërgatë, spektri tjetër ka qenë politika në vendet që kemi jetuar d.m.th krijimi i një ambienti politik në vendet ku jetojmë sidomos në Gjermani dhe SHBA i cili mundëson një përkrahje në momentin  kur ne na duhet përkrahja më shumë se kurrë, atëherë kur filloi ofensiva ushtarake serbe dhe dëbimet në Kosovë. Pra kontributi ynë ishte në dy vija, në radhë të parë mbledhja e financave për sigurimin e mbijetesës dhe më ekzistenciale ka qenë puna politike në vendet ku kemi jetuar.

Arbresh.info: Kohën e  fundit dolën në pah disa gjëra, ndonëse jo të mira për publikun, pra pengimi juaj që të merrni pjesë në mbledhjet e partisë të cilës i takoni e tash së fundi edhe në kuvendin e së shtunës. Pse po ndodh një gjë e tillë, për çfarë arsye po pengoheni të merrni pjesë?

Donika Gërvalla: Secili që e lexon statutin e LDK-së, edhe atë para kësaj të shtune, edhe këtë që është tkurr edhe më tepër mbas kuvendit të së shtunës, e din që LDK-ja veprimtarinë e saj e bazon në një statut që është dokument i një partie totalitare dhe autokratike asgjë demokratike nuk ka në atë statut, kjo është një tendencë për ta ç’demokratizuar LDK-në. Prandaj në kuadër të këtij degradimi i cili manifestohet shumë qartë në statut një pjesë e kryesisë së LDK-së është bërë shumë e padurueshme ndaj çdo lloj kritike, ndaj çdo lloj mendimi konstruktiv që mund ti vijë nga jashtë kryesisë. Ai është manifestuar në ditën e premte para dyerve të këshillit të përgjithshëm me një ngjarje të shëmtuar ndaj meje por në një miniformë ai ndodh çdo ditë sepse në mini degë të LDK-së njerëzve çdo ditë u mbyllet goja me arsyetimin kështu sillet Prishtina, kështu sillemi edhe ne. Ajo që ka ndodhur të premten dhe të shtunën nuk ka të bëj aspak me procedura të zgjedhjeve  sepse ata e din shumë mirë që zgjedhjet tona kanë qenë të drejta sepse ne i kemi dokumentuar shumë mirë, pra nuk kemi probleme procedurale, problemet janë të asaj natyre që është krijuar një rreth njerëzish që e kanë zabtuar LDK-në që jo vetëm që nuk përpiqen të bëjnë reforma  por janë të ndjeshëm ndaj çdo lloj rreziku që ata e shohin për pozicionin e tyre. Nuk shohin asnjë lloj alternative nga debati ndërkohë që partitë politike forcohen nga debati.

Arbresh.info: Disa fjalë tuaja e keni quajtur shumë herë frikacak Isa Mustafën, në çka e bazoni këtë kur e thoni, nga çka ka frikë Mustafa sipas jush?

Donika Gërvalla: Frika që Isa Mustafa ka ndaj personave si Donika Gërvalla, Shefqet Dibrani dhe të tjerë për mua është shumë joracionale. Në fund të fundit aty janë 355 delegatë, çfarë mund të bëjë unë si Donikë që po e rrezikojka atë kuvend? Kaq shumë paska peshë fjala ime? Nëse mendohet për ndonjë sekret ose skandal që unë e di le ta heq nga mendja Mustafa sepse unë nuk kam këso gjërash. Mendoj që sekreti është tek ajo që këta burra nuk janë mësuar të ballafaqohen me argumente, këta janë ballafaquar me hile të cilët e dinë dhe janë organizuar që t’ua mbyllin fjalën kujt. Tek ne në diasporë nuk është kjo sepse kur kam unë ndonjë çështje unë e lë punën time dhe shkoj bisedoj me njerëz që kanë ndikim në çështje të rëndësishme për Kosovën.

Arbresh.info: A frikësohet Mustafa se njerëz të mirëfilltë, njerëz që punojnë më shumë për partinë mund ta marrin drejtimin e partisë?

Donika Gërvalla: Pse duhet të frikësohet për këtë ai, sepse edhe nëse nuk është zgjedhur në formë jo legjitime ai kryen funksionin e të parit të partisë. Ata duhet të jenë të sigurt sepse në fund të fundit dikush do të vijë dhe ti largojë ata nga aty. Me siguri se nuk do të jem unë vetë, ose Vjosa vetë, pra asnjëri prej nesh veç e veç por ne kemi filluar një lëvizje reformatore e cila në mos herët ose vonë LDK-në do ta kthej në vlera të saj pasi që kjo çka kemi ne nuk ka të bëjë fare me LDK-në. Këtë e dëshmojnë edhe votuesit të cilët thonë që ne votojmë LDK-në por jo ata persona. Skena politike në Kosovë është e tillë, kemi PDK që ka votuesit konstant, kemi AAK, NISMA që edhe ata e kanë të kufizuar rrethin, VV që herë ka më shumë e herë më pak vota por e vetmja që në mënyrë konstante që nga viti 2007 e këtej çdoherë merr dukshëm më pak vota është LDK. Dhe kur është e fortë LDK-ja në Kosovë gjendja politike është më stabile ndërsa në këto rrethana siç është LDK-ja gjendja është ashtu siç është. Pra është e domosdoshme që të riformatojmë LDK dhe njerëzit si Isa Mustafa duhet ta pranojnë këtë dhe ta pranojnë që nuk janë vetë në LDK…/vijon.

Në vazhdimin e intërvistës dhënë portalit Arbresh.info Donika Gërvalla flet për deputetët e LDK-së të cilët e mbështesin atë, për ndikimin që këto ngjarje sjellin tek dega e LDK-së në Gjermani, për fondin e 3%, mënyrën se si u keqpërdor ky fond dhe për fundosjen ose  ecjen përpara të LDK-së. V.Berisha/Arbresh.info.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme