Ishin paralajmëruar disa javë më parë, por tashmë janë bërë zyrtare.
UEFA, përmes një komunikate në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni, ka njoftuar modifikimin e rregullores për kompeticionet e organizuara pikërisht prej qeverisë europiane të futbollit.
Duke qenë se kemi disa kompeticione të UEFA-s, të cilat nga sezoni i ardhshëm do të hyjnë në një cikël 3-vjeçar, risitë në rregullore nuk janë të pakta e do të zbatohet nga edicioni 2018-2019. Sigurisht, ato do të prekin Champions League, Europa League dhe Superkupën e Europës.
Por cilat janë këto ndryshime?
Nga sezoni 2018-19, ekipet do të mund të bëjnë një zëvendësim të katërt në ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë, por vetëm në kohët shtesë. Ky modifikim nuk do të ketë aspak ndikim te 3 zëvendësimet klasike, me të cilat jemi mësuar.
Veçanërisht për finalen e Championsit, Europa League apo Superkupës së Europës, ekipet do të mund të grumbullojnë 23 lojtarë, nga 18 që kanë për detyrim në ndeshjet e tjera. Kjo do t’u mundësojë ekipeve pjesëmarrëse të kenë 12 lojtarë në pankinë, nga 7 që jemi mësuar deri më sot, vetëm në finalet e sipërpërmendura. Kjo u jep trajnerëve më shumë mundësi zgjedhjeve, për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
Më tej, një tjetër ndryshim ka të bëjë me oraret e nisjes së ndeshjeve të Championsit dhe Europa League.
Ndeshjet e “play off”-it të CHL, ato në fazën e grupeve, ato për 1/8-at e finaleve, çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të luhen që të gjitha në orën 21:00. Por, gjatë raundeve të fazës së grupeve, dy ndeshje të së martës dhe dy të së mërkurës do të nisin në orën 18:55, me përjashtim të ndeshjeve të fundit të grupeve, që do të luhen njëkohësisht. Përjashtime në raste specifike do të mund të bëhen vetëm me vendim të administratës së UEFA-s.
Sa i përket Europa League, nga faza e grupeve e deri në 1/8-at e finaleve ndeshjet do të luhen më 18:55 dhe 21:00. Se cilat sfida do të luhen në fashën e parë të orarit dhe në të dytën, do të përcaktohen me short. Ndeshjet e fundit në grupe, edhe këtu do të luhen njëkohësisht. Ndërsa, nga çerekfinalet, gjysmëfinalet e deri në finalen e madhe, të gjitha ndeshjet do të luhen më 21:00, me përjashtim të ndonjë rasti specifik me vendim të administratës së UEFA-s.
Një risi është edhe ajo që ka të bëjë me regjistrimin e listës së lojtarëve, pas fazës së grupeve të Championsit dhe Europa League. Në këtë rast, çdo klub do të mund të përfshijë në ekip 3 emra të rinj të përshtatshëm për t’u aktivizuar, pa kufizime. Ky ndryshim bëhet për të qenë në të njëjtën linjë me normat e kampionateve kombëtare, që nuk vendosin kufizime për lojtarët e regjistruar pas transferimit gjatë merkatos dimërore.
Skuadrat që do të mund të futen drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Championsit do të jenë 26, mes të cilave fituesja e Championsit dhe Europa League të edicionit paraardhës. Ndërkohë 6 vende do të zihen nga skuadrat që do të kualifikohen nga turet parakualifikuese dhe “play off”-i. Çdo skuadër e eliminuar nga kualifikueset e Championsit do të ketë një mundësi të dytë në kompeticionin e dytë për nga rëndësia, Europa League.
E në fund, ashtu siç ndodhi në Champions League këtë sezon, duke nisur nga 2018-19 skuadrat që e kanë fituar Europa Leaguen (ose ish-Kupën UEFA) plot 3 herë me radhë, ose minimumi 5 herë, do të mund të mbajnë në fanellë stemën përkatëse. E vetmja skuadër që preket nga ky ndryshim për sezonin e ri do të jetë Sevilla, që e ka fituar Europa Leaguen 5 herë (2006, 2007, 2014, 2015 dhe 2016).
Të shtëna me armë drejt një makine, plumbat e kapin në kokë,...
Makina përplas kamionin në tunelin “Elbasan-Tiranë”, pas god...
A janë puthur Diana dhe Arioni?
Operacion policor në Universitetin e Elbasanit, dyshohet për...
Izraeli e bombardon jugun e Bejrutit
Murati: Raportimet se shpenzimi për karburante të veturave p...