Një vepër e madhe që nuk guxon të harrohet

13:35 | 8 Gusht 2015
Arbresh.info

Shkruan: Fatmir M. Shatri, matematikan

Duke u bazuar në një thënie të përfaqësuesve të shkollës juridike të historisë se “çfarë nuk gjendet e shkruar në letër, nuk ekziston në jetë”, por edhe në faktin se ne shqiptarët e Kosovës kurrë nuk mundëm ta shkruajmë historinë tonë të mirëfilltë , sepse ndodheshim ndërmjet dy armiqve të mëdhenj të identitetit tonë iliro-shqiptar, Apokalipses kanonike ortodokse sllave dhe Manifestit Komunist, e ndjeva si detyrë intelektuale pikë së pari, të shkruaj një opinion për një vepër të madhe e cila i kalon kufijtë e trojeve shqiptare e ndoshta mbërrin edhe te ata botëror. Vepra ndoshta më të vogla se kjo sot janë të shënuara në “Libër të Ginisit” ose janë shpërblyer me çmime prestigjioze duke arritur edhe deri te çmimi Nobel.

Është fjala këtu për kontributin dhe qëndresën e femrës shqiptare, Nënës Zike, siç e quanim në shenjë respekti. Kjo grua me besë më të fortë se guri, e strehoi mu në qendër të Istogut, kunatin me të shoqen për më se 11 vjet nga përndjekjet e serbëve të cilët udhëhiqnin me shtetin e sapo formuar komunist jugosllav të udhëhequr nga Tito. Nëna Zike e thirrshin të gjithë që e njihnin atë, në shenjë respekti, nga se nuk mund të ia kalonte askush për bujari, zemërgjerësi dhe shpirtmadhësi që kishte. Nëna Zike ishte e bija e Tahir Bujupajt nga Istogu, e lindur me 1895 dhe ka vdekur me 1983. Tahir Bujupaj me familje gëzonte një autoritet dhe respekt në krejt Podgurin dhe më gjerë. Nëna Zike ishte e martuar me Sadri Blakajn nga familja  gjerë e Blakajve të Istogut. I kishte katër fëmijë , tre djem dhe një vajzë. Djali i dytë Xhema , është profesori i parë i Matematikës në komunën e Istogut , i cili punoi disa vjet si mësimdhënës i kësaj lënde në gjimnazin e Istogut, e mandej ka punuar si redaktor i teksteve të matematikës për shkollat fillore dhe të mesme, në entin për botime të teksteve dhe mjeteve mësimore të KSA të Kosovës ( siç quhej atëherë )

Tani është i pensionuar, në moshën përafërsisht 85 vjeçare dhe jeton në Prishtinë së bashku me familjen e ngushtë. Baba i profesor Xhemës kishte vdekur qysh herët, dhe për organizimin e jetës familjare u përkujdes e ëma – Nëna Zike. Vëllau i madh i profesorit ishte i sëmurë nga TBC e mushkërive, sëmundje kjo e cila në atë kohë bënte kërdi në popullatën shqiptare të Kosovës. Për ketë djalë përkujdesej e ëma, e cila në të njëjtën kohë përkujdesej edhe për dy djemtë e tjerë, Xhemën dhe Alinë, por edhe për vajzën gati të traumatizuar nga dhuna e shfrenuar dhe keqtrajtimet çnjerëzore që i bëheshin kësaj familje prej milicisë dhe OZN-ës serbo-jugosllave.

Ngjarja ka ndodhur në fillim të funksionimit si shtet tëJugosllavisë së Re, ose që quhej atëherë  Jugosllavia e Titos. Pra ,madhështia e kësaj vepre qëndron në atë se në një vend siç ishte Istogu që karakterizohej me një numër të madh të serbëve dhe malazezëve, e që ishin mjaft të fortë në veprim kundër shqiptarëve për shkak të pozitës gjeo-strategjike që kishin, Nëna Zike  së bashku me dy djemtë, Xhemën dhe Alinë, e mbajtën në shtëpi të fshehur për 11 vjet kunatin Riza Blakaj së bashku me gruan, dhe shteti jugosllav duke e përdorur krejt aparatin shtetëror që dispononte, nuk mundi ta zbulojë kurrë sa ishte i gjall, por atë e bëri tek disa javë pas vdekjes së Rizës. Me fjalë tjera, Nëna Zike së bashku me dy djemtë e vet e mbajtën dhe e ushqyen kunatin dhe kunatën e saj, duke i strehuar e fshehur në një kthinë të veçantë në shtëpinë  njëkatëshe prej gurit, ku jetonin edhe vet familja e tyre.

Ndriçimi i kësaj vepre madhështore , të pa dëgjuar e të pa parë diku tjetër, iu takon historianëve – punëtorëve të Institutit të Historisë së Kosovës, dhe pas trajtimit shkencor të kësaj ngjarje, t’i  jepet vendi i merituar në historinë e popullit tonë. Shpresojmë se veç shkrimeve nga studiuesit për ketë vepër madhështore, të kemi edhe filma dokumentar, të punuar nga ndonjë shtëpi filmike prestigjioze te ne, ku do të përshkruhej kjo vepër e madhe, e gjeneratat e reja të kenë rastin të dëgjojnë dëshmitarët e gjallë si profesorin Xhemë, të vëllain Alinë  i cili jeton në Istog dhe është gjithashtu në moshë të shtyrë, si dhe shumë dëshmitarë të tjerë që kanë patë lidhje me ketë familje.

Mirëpo, për fat të keq, edhe vet ne shqiptarët, ende nuk sillemi si duhet ndaj të kaluarës sonë materiale dhe shpirtërore, ndaj veprave të pa përsëritshme që i bëri populli ynë. Lejojmë e nuk reagojmë fare që për një përfitim krejt të vogël material apo për ndonjë interes të rasti, të shitën, të asgjësohen ose të tretën shumë sende, objekte të punës dhe banimit, të veshmbathjes, vegla të ndryshme pune dhe produkte artizanale. Është lëshim shumë i madh se shumë objekte të kulturës materiale dhe shpirtërore nuk janë mbledhur as ruajtur në masën që ato e meritojnë. Madje, shumë vlera të pa përsëritshme edhe sot zhdukën para syve tanë, e ne me një gjakftohtësi shumë të madhe i lëmë ato në mëshirën e kohës. Pr , është problem të gjendet ilaçi që duhet ta përdorim ne shqiptarët,për të shëruar sëmundjen e zhdukjes së vlerave të mirëfillta me të cilat identifikohemi para botës dhe përmes tyre iu japim edukatëmorale gjeneratave të reja.

Në asnjë mënyrë  nuk është e drejtë të lejohet që të shkatërrohen veprat materiale e shpirtërore të së kaluarës sonë dhe të harrohen autorët e tyre, të harrohen të gjitha dijet dhe urtësitë e popullit, që organizoi jetën, që nga lindja deri në vdekje, veshmbathjen që nga opingat e deri në plis, që punoi në kushte shumë të vështira, nën okupimin e egër të pushtuesve të huaj, dhe shekuj me radhë, i krijoi këto të mira, me ndihmën e të cilave mbijetoi.

Si përfundim të kësaj çka shtjelluam, mund të themi se është për keqardhje të madhe që një vepër kaq e madhe, e bërë nga Nëna Zike dhe dy djemtë e saj, të mbetet krejt e heshtur, ose më mirë të thuhet se për ketë nam të madh të bërë nga kjo familje, e cila po të bëhej në ndonjë popull tjetër, do të mësonte krejt bota e për të do të shkruhej në librat e historisë botërore, e tek ne dinë vetëm njerëzit që në ndonjë mënyrë kanë patë lidhje me ketë familje, e nuk din askush tjetër. Për shumë vepra të tjera dhe autorët e tyre, të vetmin burim të informimit e kemi këngën folklorike që është kënduar brez pas brezi e që kjo për shkencën është shumë pak. Ndërsa për veprën e Nënës Zike me dy djemtë e saj, kemi të shkruar më pak se një faqe në librin e Ibrahim Metajt ” Shtigjeve të jetës sime ” shtypur në ” Lumbardhi ” në Prizren me 1912 , e askund tjetër.

Andaj, shpresojmë se së shpejti të dalim nga gjumi i thellë që na ka nxënë si popull, të punojmë shumë për ndërtimin e shtetit tonë ashtu siç kërkohet dhe në ballë ta sjellim një pushtet të pastër, nga institucionet e të cilit do të zbardhej e kaluara jonë. Nga këto institucione do të shkruhej historia e mirëfilltë e popullit tonë dhe vepra e Nënës Zike me dy djemtë e vet, të ndriçohet, të përjetësohet, sepse një vepër e tillë me peshën që e ka, në asnjë mënyrë nuk guxon të harrohet.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme