Babalja kërkon azil në Kosovë, autoritetet nisin procedurat

16:10 | 30 Maj 2018
Arbresh.info

Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedurat për azil për Albert Veliun të njohur ndryshe si “Dëshmitari X”, njeriu qe deklaroi se ka biseduar me vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj për të siguruar prej tij kalimin e një sasie marijuane në Itali.

Veliu së bashku me të birin u ndalua pak ditë më parë nga autoritetet policore në Kosovë, nën dyshimet se ai kishte hyrë ilegalisht në territorin e saj.

Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, i thanë Zërit të Amerikës se Veliu ka kërkuar azil me motivin se në Shqipëri atij i kërcënohet jeta. Të njëjtat burime shpjeguan se “do të konsultohen edhe me autoritetet e Shqipërisë” para çdo vendimi, ndërsa theksuan se “do të respektohen të gjitha procedurat për azil”.

Veliu, një ish-i dënuar për trafik droge, pranoi publikisht se zëri në audio përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike, ishte i tij, por deklaratat për rastin ishin kontradiktore. Ai mohoi të kishte patur dijeni se biseda po përgjohej, por më pas gazetari Jetmir Olldashi, autor i përgjimit si pjesë e një investigimi gazetaresk, bëri të ditur se kishte qenë ai vetë që i kishte vënë pajisjen e përgjimit Veliut.

Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë që të ketë zhvilluar ndonjë bisede me Veliun. Prokuroria ka bërë ndërkaq të ditur se materiali audio është dërguar për ekspertizë në një laborator jashtë Shqipërisë./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme