Google ADS

Tatuazhi me armë në këmbë, FA i del në mbrojtje Sterlingut pas justifikimit të tij

11:35 | 30 Maj 2018
Arbresh.info

Federata e Futbollit (e vetmja që nuk identifikohet si “angleze” për shkak se konsiderohet si shpikësja e futbollit) ka dalë në mbrojtje të sulmuesit të Anglisë, Raheem Sterling, pas kritikave të shumta që kanë vërshuar në drejtim të tij për një tatuazh në këmbën e djathtë, një armë zjarri “M16”, nga drejtues të fushatës kundër armëve.

Një zëdhënës i FA-së tha se “të gjithë ne e mbështesim Raheem Sterling dhe e mirëkuptojmë llogaridhënien e tij të sinqertë dhe të çiltër që dha përmes rrjetit social Instagram, një natë më parë. Ai dhe pjesa tjetër e skuadrës janë të fokusuar vetëm në përgatitjet për ndeshjet e Kupës së Botës”.

Më herët, 23-vjeçari që aktivizohet me kampionët e Premier League, Manchester City, publikoi një foto të tijën teksa stërvitej me shokët e kombëtares së Anglisë në “St. George’s Park”.

Tatuazhi, me përmbajtje një armë zjarri “M16” në anë të kërcirit, ishte tejet e dukshme.

Lucy Cope, themeluesja e “Nënat kundër Armëve” pasi djali i saj, Damian, u qëllua për vdekje jashtë një klubi nate në qendër të Londrës, në korrik të vitit 2002, tha se tatuazhi ishte “tërësisht i papranueshëm”.

Duke folur për “The Sun”, në emër të organizatës që përfaqëson ajo kërkoi që “tatuazhi të zhdukej me lazer ose të mbulohej nga një tjetër i tillë. E nëse ai refuzonte, duhej të largohej nga ekipi i Anglisë”. Kjo, sepse “ai supozohet të jetë një model për t’u ndjekur, e jo të reklamojë armët”.

Por, reagimi i ish-lojtarit të Liverpoolit, i cili është mes 5 sulmuesve që do të udhëtojnë drejt Rusisë për Kupën e Botës, nuk vonoi, e sërish përmes rrjetit social “Instagram” theksoi se tatuazhi i tij i ri kishte një “domethënie më të thellë”.

“Në moshën 2-vjeçare, babai im ndërroi jetë pas një sulmi me armë. Kam bërë një premtim, që nuk do të prek kurrë ndonjë armë me duart e mia, në jetën time. Vendosa të ‘godas’ me këmbën time të djathtë, por ai ka një domethënie më të thellë dhe është ende i papërfunduar”, shkroi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme