Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori kryetarin e Bashkisë së Belshit dhe pesë zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, pasi gjatë auditimit kanë gjetur shkelje në dhënien e tenderave, që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit miliona lekë humbje.
KLSH thotë se ka gjetur shkelje në 14 procedura në total, nga të cilat 10 prokurimi dhe 4 zbatimi, që të gjitha në fushën e infrastrukturës. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, kryesisht në përzgjedhjen e procedurës së prokurimi, vlerësimin e ofertave ekonomike duke vepruar me dy standarde vlerësimi dhe zbatimin e investimeve.
Njoftimi i KLSH
Për 10 procedura të prokurimit dhe 4 procedura të zbatimit të punimeve në infrastrukturë ndër shkeljet kryesore, sipas KLSH janë: Në 8 (tetë) tendera për kualifikikim dhe shpalljen fitues pa drejtë të operatorë ekonomikë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e vendosura, duke mos garantuar kryerjen me cilësi e sukses të kontratës, me pasojë përdorim të fondeve publike për investime, pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet në vlerën totale 286,080,460 lekë, në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe në shkelje të parimit të barazisë para ligjit.
Në 3 (tre) tendera për dëmin ekonomik në vlerën 11,403,571 lekë shkaktuar si rezultat i diferencës ndërmjet vlerës së ofertës të operatorit ekonomik të kualifikuar padrejtësisht (me vlerë më të lartë) dhe vlerës së ofertës të operatorit ekonomik të skualifikuar padrejtësisht (me vlerë më të ulët), duke sjellë shpenzimin e më shumë fondeve buxhetore, skualifikim të padretjë dhe shpallje fitues të ofertës që nuk ka plotësuar standardet.
Në 1 rast KLSH ka gjetur shkelje të lidhjes të shtesë kontratës, pa ekzistuar rrethana ligjore për kryerjen e punimeve nëpërmjet shtesës kontratës, duke bërë devijimin e procedurave të prokurimit, kontraktuar subjektin pa zhvilluar procedura, mos lejuar pjesëmarrjen e operatorëve dhe nxitjen e konkurrencës ndërmjet tyre, mos sigurimin e transparencës për përzgjedhjen e operatorit pasi tenderi nuk është hedhur në sistemin e APP dhe fituesi nuk ka dalë si rrjedhojë e konkurimit.
Në 4 investime publike për dëmin ekonomik në vlerën 40,395,547 lekë shkaktuar nga diferenca në volume pune të situacionuara dhe likuiduara, por të pakryera në terren.
Në 1 (rast) për dëmin ekonomik në vlerën prej 23,917,140 lekë, nga likuidimi i punimeve të kryera jo sipas specifikimeve teknike të projektit, preventivit dhe termave të referencës të DST, duke lejuar sipërmarrësin që gjatë zbatimit të investimit të përdorë materiale të ndryshme nga ato të kontraktuara, në ndryshim nga projekti dhe në kushtet kur materiali i përdorur është paguar për të njëjtin lloj materiali si në kontratë, edhe pse me diferencë të konsiderueshme në cmim.
Veprime në kundërshtim e mospërputhje me nenin 1 “Objekti dhe qëllimi”, pika 1, 2/a/b/c/ç/dh, nenin 2, “Parimet e përzgjedhjes”, nenin 24 “Anulimi i një procedure prokurimi”, nenin 33 “Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit” nenin 46 “Kualifikimi i ofertuesve”, pika 1; nenin 53 “Shqyrtimi i ofertave”, pika 3; 5, të ligjit nr. 9643 “Për prokurimin publik”, datë 20.11.2006, i ndryshuar, nenin 36 “Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, nenin 56 “Titullari i autoritetit kontraktor ose zyrtari i autorizuar” të VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me nenin 7 dhe 12 të ligjit nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar, ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, Kreun I, pika 3, nënpikat 3.2 dhe 3.3. Kreun II pika 3 të UKM nr. 3, datë 15.02.2001 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar, UKM nr. 2, datë 13.05.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar, si dhe kontratave të shëbimit të mbikëqyrjes të punimeve.
Për këto shkelje dhe të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me shkresën nr. 6/12 dhe 6/13 datë 22.05.2018 kallëzim penal ndaj A.T. me detyrë Kryetar i Bashkisë në cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor, H.F. me detyrë Drejtor i Bujqësisë në Bashkinë Belsh, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), H.XH. me detyrë ish-Përgjegjës i Urbanistikës, në cilësinë e anëtarit të KVO, I.H. me detyrë ish-Juriste, në cilësinë e anëtarit të KVO, R.T. në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve në 4 raste, M.K. në cilësinë e kolaudatores së punimeve në 3 dhe P.M. në cilësinë e kolaudatores së punimeve në 2 raste, për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal.
KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës i ka rekomanduar Bashkisë Belsh masa me karakter organizativ në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, të ardhura të munguara në vlerën 65,929 mijë lekë.
Shënim: Në Ëeb-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 42, datë 12.05.2018 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim./Top Channel
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?