Kryeparlamentari Veseli takoi kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti

14:12 | 29 Maj 2018
Arbresh.info

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e Maqedoni, si dhe për mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart raportet ndërfqinjësore dhe theksuan nevojën e kultivimit të mëtejmë të tyre e të bashkëpunimit me interes reciprok, si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe të arsimit e të kulturës.

Veseli e Ahmeti konsideruan se Kosova dhe Maqedonia, si dy faktorë të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, tashmë kanë hyrë në rrugën e pandalshme të integrimit euro-atlantik, si perspektivë e vetme për të ardhmen e të dyja vendeve.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm, ashtu edhe në orientimin euro-atlantiktë Maqedonisë.

Nga ana e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerësoi lart hapat që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe rritjen e përfaqësimit e të njohjes ndërkombëtare të saj. ​

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme