NATO shpalos agjendën për samitin e korrikut

17:44 | 28 Maj 2018
Arbresh.info

NATO tha të hënën se do të përqendrohet në pesë fusha kyçe, nga modernizimi deri te marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, në samitin që do të mbajë në korrik.

NATO vuri theksin edhe mbi “menaxhimin” e marrëdhënieve me, siç tha, një Rusi gjithnjë e më kategorike.

Sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, tha para Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Varshavë se samiti do të përqendrohet edhe në “projektimin e stabilitetit në rajonet kufitare, sidomos në jug, si dhe në ndarjen e shpenzimeve”.

Duke u bazuar në vendimin e Aleancës për vendosjen e grupeve luftarake në krahun e saj lindor, që kufizohet me Rusinë, Stoltenberg tha se pret që në samitin e 11 dhe 12 korrikut në Bruksel, udhëheqësit e shteteve “të marrin vendime edhe mbi përforcimin e gatishmërsë ushtarake”.

“Mbrojtja jonë nuk varet vetëm nga forcat që i kemi vendosur, por edhe nga aftësia jonë për t’i lëvizur ato forca shpejt nëse është e nevojshme”, tha Stoltenberg.

Vendet anëtare të NATO-s kanë vendosur rreth 4,000 trupa në shtetet e Baltikut dhe në Poloni, për t’iu kundërvënë kërcënimit rus, sidomos pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, në vitin 2014.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme