Paralajmërohen ndëshkime për shpërndarësit e Testit të Maturës në rrjetet sociale

16:46 | 28 Maj 2018
Arbresh.info

Testet e maturës në rrjetet sociale, paralajmërohen ndëshkime për shpërndarësit Gjatë ditës së sotme rreth 7 mijë e 700 maturantë të regjionit të Ferizajt dhe Gjilanit i janë nënshtruar provimit shtetëror të maturës, e si çdo vit tjetër ky proces nuk po i shpëton mundësisë së kopjimit.
Me të filluar testimi në orën 10:00, në një grup të përbashkët maturantët kanë kërkuar ndihmë me pyetje të parashtruara.

Në këtë grup të maturantëve kryesisht janë parë pyetjet e testit A dhe B, ndërsa, kopjim ka pasur edhe ndërmjet nxënësve nëpër klasa.

KosovaPress gjatë ditës së sotme ka qëndruar në gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ku një nxënës me të përfunduar testimin ka pranuar se ka kopjuar me nxënësit e tjerë që kanë qenë në të njëjtën klasë.

Ai duke mos dashur të bëj publik emrin, ka deklaruar se të gjitha pyetjet e grupeve kanë qenë të njëjta, veçse iu është ndërruar renditja.

“Testi ishte i lehtë, krejt pyetjet e grupeve kanë qenë njëjtë, veç ia kanë ndërruar vendet, kështu që shumë lehtë… Grupet kanë qenë A, B, C, vetëm ia kanë ndërruar vendet pyetjet, shumë i lehtë ka qenë… Unë telefonin nuk e kam pasur hiç, veç aty nëpër klasë pasi grupet e njëjta, krejt ka një e kanë ditë, kështu që kemi bërë diçka”, tha ai.

Shpërndarja e testeve nëpër rrjete sociale për nxënësen, Erëza Shkodra, është një dëmtim për nxënësit e mirë, ku ajo thotë se ata që guxojnë të kopjojnë, marrin pikë më shumë se sa studentët e mirë.

“Telefonat i kemi dorëzuar aty, dëgjova që kanë vjedhë ata tjerët, kjo është shumë keq për neve, se ata munden me mbërri e ne jo”, tha ajo.

Se nxënësit kanë kopjuar ndërmjet vete e ka pranuar edhe zëvendësdrejtori i gjimnazit “Xhavit Ahmeti”, Agim Asllani.

“Ka lëvizje të vogla, si çdo nxënës tentojnë të bëjnë diçka me bashkëpunua me njëri-tjetrin, por ato janë normale si nxënës”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se nxënësve iu kanë marrë telefonat para hyrjes në qendër të testimit dhe që do t’i marrin pas përfundimit të testimit.

Shpërndarjen e testeve të maturës nëpër rrjete sociale e ka dënuar edhe kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, i cili ka thënë se hiqet dorë nga kopjimi në këtë testim.

Madje, ai për KosovaPress ka përmendur edhe atë se çka do të duhej të bënte MASHT-i për të parandaluar kopjimin në testin e maturës, në mënyrë që rezultatet vërtet të jenë reale.

“Së pari, duhet ta identifikoj, ta zbuloj qoftë personin, qoftë grupin e njerëzve të cilët po i bëjnë publike këto teste të cilat vërtet duhet të ruhen në mënyrën më të mirë të mundshme. Ministria është zotuar se këtë herë jo vetëm se nuk do të dalin testet, po me masat që i ka paraparë nuk do të ketë mundësi as të kopjimit dhe këto teste do të paraqesin vetëm njohuritë e atyre maturantëve të cilët hyjnë në test. Nëse gjëra të tilla ndodhin, atëherë çdo gjë është e devalvuar dhe do të duhej gjetur mënyrën tjetër për ta bërë testimin ashtu siç duhet. Testi siç ka ndodhur deri tani, do të thotë është kopjuar në të gjitha anët, nuk është testim, është më tepër një çështje jo serioze nga e cila duhet hequr dorë dhe ministria është e obliguar ta gjejë mënyrën që të mos lejojë që testet të dalin në publik dhe të mos lejoj që gjatë kohës së testit maturantët të kopjojnë”, tha ai.

Kurteshi ka thënë se për të parandaluar kopjimin në testin e maturës, MASHT duhet të bëhet serioze dhe të ndërmarrë të gjitha masat sipas ligjit për shkelësit.

Komisioni Shtetëror i Maturës në kuadër të përgatitjeve që kishte bërë për mbarëvajtjen e këtij testimi, kishte marrë vendim që nxënësit dhe administruesit të mos lejoheshin të hyjnë në qendrat e testimit me telefona. Mirëpo, kjo duket se nuk është respektuar, pasi që në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”, në Ferizaj telefonat janë parë në një tavolinë në hyrje të klasës.

Rreth kësaj çështje ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi ka thënë se vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin e tyre se nxënësit që zihen me telefon duke kopjuar të përjashtohen nga testimi.

Ndërsa, sa i përket shpërndarjes së testeve nëpër rrjete sociale, kreu i arsimit ka thënë se duhet parë se si kanë rrjedhur këto teste, e më pastaj do të njoftojnë organet kompetente për të ndërmarrë të gjitha masat sipas ligjit.

“Janë gjëra që duhet parë, sepse këto janë defekte që kanë qenë edhe në të kaluarën. Jemi munduar t’i zvogëlojmë këto defekte, por nuk është e lehtë që menjëherë të gjitha defektet të eliminohen. Konsideroj se është bërë një hap pozitiv, por do të shohim tutje si ka rrjedh testi dhe si do të jetë ndikimi i këtij testi në rrjete sociale. Shpresojmë që mos përdorimi i telefonave në klasë nuk do të ndikoj në publikimin e këtij testi. Pra, qëllimi kryesor është se çfarë do publikimi që të mos ndikoj në rezultate…Do t’i njoftojmë organet kompetente dhe të shohim kah kanë rrjedh, sepse duhet parë se nga kanë rrjedh dhe pastaj do të jenë masat të cilat janë të parapara me ligj”, tha ai.

Testi i maturës do të jetë i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e dytë pyetjet do të jenë varësisht nga profili i shkollimit të nxënësve. Regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit ju kanë nënshtruar së pari këtij testimi, ndërsa pjesën e dytë të testit ky regjion do ta ketë më 5 qershor.

Nesër testimit do t’i nënshtrohen maturantët e regjionit të Prishtinës, më 30 maj ata të regjionit të Prizrenit dhe Gjakovës, ndërsa më 31 maj regjioni i Pejës dhe Mitrovicës.

Provimit të maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 29 mijë e 816 nxënës në të gjithë Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme