Analistët politikë po kritikojnë mënyrën se si janë mbajtur tryezat e partive politike deri më tani.
Sipas tyre, partitë politike kanë devijuar temat në tryezat e mbajtura deri më tani, dhe kjo u dëshmua edhe në tryezën e fundit të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e cila do të duhej të diskutonte për dialogun me Serbinë, dhe në vend të kësaj tryeza përfundoi duke folur për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Analisti Behlul Beqaj thotë se ka devijim të temave, dhe sipas tij asnjë tryezë nuk konsiderohet e suksesshme nëse bëhen ndalesa rreth temave të caktuara.
“Mendoj se kanë devijuar temat. Zgjedhjet kanë qenë një nga arsyet të cilat nuk kanë dal në sipërfaqe si prioritet i organizatorëve të tryezave të mëhershme. Por, gjithsesi nuk konsiderohet asnjë tryezë e suksesshme nëse bëhen ndalesa rreth temave për të cilat ndoshta një pjesëmarrës i tryezës është i interesuar që të hapet si dilemë. Në këtë kuptim pavarësisht se çfarë teme hapet, çfarë çështje diskutohet nëse ka gatishmëri nga partnerët që të diskutohet në kuptimin e ndikimit në zgjidhjen adekuate të problemit që këtë rast ka të bëjë me zgjedhjet, pse të mos diskutohet edhe për këtë. Por, në anën tjetër nëse bëhet një zëvendësim i tezës në vend se të diskutohet për temat të cilat kanë qenë arsye e organizimit të tryezës dhe del ndonjë temë jashtë arsyes pse organizohet tryeza duhet të ketë parasysh edhe motivi i atij pse e bënë këtë. Prandaj, unë thash pjesëmarrësit nëse kanë motivin e përbashkët mund të dalin me mendime të cilat ndikojnë pozitivisht në vendimmarrje”, tha ai.
Sipas Beqajt, nëse pjesëmarrësit e tryezës kanë motive të ndryshme atëherë tryeza mund të jetë vetëm një kohë e humbur. Efikasiteti i bashkëveprimeve në interes të përbashkët sipas Beqajt, është formula që mund të rrëzojë çdo qeveri.
“Sa ma shumë që organizohen tryeza të kota, gjithnjë e më tepër krijohen kushte që të vazhdohet pushteti. Pra, efikasiteti i bashkëveprimeve në interes të përbashkët është formula që mund të rrëzojë çdo qeveri dhe në anën tjetër nëse ka interesa taktizuese brenda partnerëve qoftë të opozitës apo të pozitës kjo vetëm se i bënë atyre që i organizojnë tryeza, se ata dalin më jo serioz se pushteti të cilin ata dëshirojnë për ta rrënuar. Pra, mbetet në logjikën, në përgjegjësinë e atyre të cilët janë bashkëpjesëmarrës çoftë si organizues apo si partnerë të cilët dëshirojnë eventualisht të bëjnë ndonjë zgjidhje qoftë çështja që ka të bëjë me zgjedhje apo çështja që ka të bëjë me ndonjë problem, siç janë temat kapitale këto të dialogut, asociacionit… Nëse komunikimi i tyre është i harmonizuar me interesin e përbashkët logjikisht ajo tryezë mund të konsiderohet e suksesshme, por nëse motiv i tyre është dis-harmonik, është partikular atëherë tryeza vetëm është një humbje kohe ndoshta, ndoshta edhe mund të ketë efekte negative në aspektin propagandistik, psikologjik dhe informativ”, tha Beqaj.
Pak më ndryshe nga ai, sa i përket temave të diskutimit, mendon analisti Artan Murati. Ky tha për KosovaPress se nuk ka devijim të trajtimit të temave, pasi që sipas tij përcaktimi i temave nuk është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Vazhdimisht ka pasur diskutime se çka do të diskutohet. Edhe liderët politikë të subjekteve të ndryshme patën tendencë se do të diskutohen pesë pika, do të diskutohet kjo apo ajo, pra nuk është se ka pasur ndonjë agjendë të qartë se a do të diskutohet për zgjedhjet apo do të diskutohet për dialogun me Serbinë, transformimin e FSK-së në ushtri e kështu me radhë. Pra, nuk mund të themi se ka devijuar prej asaj pse janë iniciuar këto tryeza politike, sepse edhe LDK-ja që ishte e para që ka mbajtur një tryezë të caktuar politike në temë ka qenë në fakt edhe diskutimi për zgjedhje, ndoshta një pajtueshmëri për zgjedhjet e përgjithshme që LVV e specifikoi edhe më tepër dhe u fokusua vetëm tek ajo temë. Mirëpo, po duket se nuk ka vullnet dhe interesim për momentin për t’u diskutuar për zgjedhje të parakohshme”, tha Murati.
Murati tha po ashtu se pas tri tryezave të mbajtura është parë se këto tryeza nuk do të prodhojnë ndonjë efekt të dëshirueshëm. Kjo sipas tij është shpërfaqur edhe në tryezën e fundit ku është parë se goxha larg janë subjektet politike për të arritur një konsensus për çfarëdo teme.
“Nëse flasim për partitë politike në tërësi është çdo herë e vështirë të thuhet nëse ka pajtueshmëri të gjerë për të shkuar në zgjedhje. Konsideroj se një gjë të tillë nuk do ta arrijmë asnjëherë ta kemi, pra ku të gjitha subjektet politike do të pajtohen të shkojnë në zgjedhje. Konsideroj se ka disa subjekte politike të cilat mund të jenë edhe të gatshme për zgjedhje, mirëpo një numër i konsiderueshëm i të tjerave dhe numri më i madh i subjekteve konsideroj se nuk është e gatshme për zgjedhje. Duke marrë parasysh reformat e brendshme të cilat janë duke i bërë disa subjekte politike, rezultatet nga zgjedhjet lokale që nuk i kanë nxjerrë bash mirë disa subjekte të tjera. Kështu që në përgjithësi mendoj që do të ketë tentim që të shtyhet sadopak edhe koha e zgjedhjeve, mirëpo kjo mbetet të shihet se si do të bashkëpunoj edhe opozita sepse në masë të madhe varet edhe prej bashkëpunimit opozitar. Nëse ka një bashkëpunim të mirëfilltë opozitar kjo qeveri mund të bie shumë lehtë”, tha ai.
Murati po ashtu tha se për momentin ka edhe shumë tema të tjera më të rëndësishme sesa zgjedhjet për Kosovën. Sipas tij, nuk duhet të anashkalohet çështja se si po funksionon Qeveria dhe Kuvendi.
Qeveria nuk ka vota të mjaftueshme dhe nuk mund të bëjë asgjë pa dakordim me opozitën, por në të njëjtën kohë edhe opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë.
Dukë marrë për bazë këtë, Murati tha se duhet të gjendet një konsensus, për të cilin shprehet skeptik që mund të arrihet në tryezat e atij lloji çfarë janë mbajtur deri më tani.
“Shpresoj që të mos ju vije fundi [tryezave], të paktën të tentohet që të gjendet një zgjidhje. Ka mekanizma të mjaftueshëm për të diskutuar për çështje me interes nacional në vend duke përfshirë edhe mekanizmat institucional qysh është Kuvendi i Republikës së Kosovës. Mirëpo edhe këto tryeza joformale madje derisa mbahen në Kuvendin e Kosovës ose përderisa janë të këtij formati, pra gjithëpërfshirëse mendoj se është në rregull nëse do të vazhdojnë të takohen. Mirëpo, këto takime duhet të prodhojnë edhe rezultate sepse përndryshe do të humb interesimi jo vetëm i liderëve politik ose i zyrtarëve politik që po marrin pjesë, por edhe qytetarët do të fillojnë që të mos ju vënë vëmendje takimeve të tilla të cilat po organizohen”, tha Murati për KosovaPress.
Sipas radhës tryezën e ardhshme duhet ta organizojë Partia Socialdemokrate, meqë është forca e katërt në Kuvend.
Reagon Ana përmes një postimi pas daljes nga “Big Brother”
Ellek: Pres që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje
Ukraina humbi 40 për qind të territorit që kontrollonte në K...
Mijëra migrantë me azil të refuzuar morën para për të lëshua...
Turi me diasporën, Rama takon nesër shqiptarët e Londrës
Amorim ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Casemiros te Man Utd...