Google ADS

Letra e fundit e Adem Jasharit: Kështu e njihnin në luftë

07:55 | 27 Maj 2018
Arbresh.info

Letra e fundit që e la komandanti legjendar Adem Jashari, ruhet në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të UÇK-së, letër kjo e dërguar nga Adem Jashari dhe e shkruar nga i vëllai, Hamza, dhe e nënshkruar nga një grup luftëtarësh të Drenicës, që është njëri ndër mesazhet e luftës.

Përveç kësaj letre, aty ruhen edhe video incizimet e dërguara pas lufte nga bashkëluftëtar të afërt të Adem Jasharit. Tre muaj pas kësaj letre, Adem Jashari ishte vrarë së bashku me familjen e tij.

Por, nëse nuk e keni ditur, komandanti legjendar Adem Jashari, pseudonimin në luftë e kishte “Rafeta”, e kjo konfirmohet edhe në fund të kësaj letre.

Letra e plotë:

“Të dashur shokë e vëllezër,

Disa të dhëna rreth ngjarjes në fshatin Vojnik, të ndodhur me 25 nëntor 1997 në mes forcave tona dhe të policisë sekrete të okupatorit serb. Ngjarja fillon me lajmërimin e një automjeti civil të tipit ‘niva’ me katër persona civilë, i cili bënte lëvizje të dyshimta në fshat, nga lagjja në lagje. Atë e vërejtëm dhe e përcollëm deri sa erdhi tek lagjja e Binakajve dhe pikërisht afër shtëpisë ku gjendet veprimtari ynë. Sipas rrëfimit të shokut, ky tentoi t’i identifikojë, por ata tentuan ta tradhtojnë duke u paraqitur njëri prej tyre se “jemi shqiptarë” dhe porsa ai e mbaron fjalën, njeri prej tyre shtien disa herë me revolver, në drejtim të veprimtarit tonë. Shkathtësia e tij e shpëtoi nga plumbat dhe me shpejtësi të madhe ky ia kthen automatikun dhe e qëllon automjetin dhe dihet se i ka qëlluar disa nga të ndodhurit brenda. Të dyshimtit largohen me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vend shenjat e xhamave të thyer dhe shenja gjaku.

Kjo ka ndodhur rreth orës 14.00. Pasi largohen të dyshimtit, ky kthehet në shtëpi dhe bashkohet edhe me tre shokët e tjerë, të cilët ishin të gatshëm për ndihmë, por rreziku mendohej se kaloi. Vendosën të mos largohen nga fshati se mos ndodh ndonjë intervenim i mundshëm policor. Ashtu edhe ndodhi.

Pas dy orësh, pra rreth orës 16.00, në fshat hyjnë dy autoblinda, të shoqëruar edhe nga një ‘Nivë’ dhe mësyjnë lagjen e Binakajve. Këta, shokët tanë, zënë pozicionet në malin e afërt dhe në gardhiqet e afërta. Porsa mbërrin ekspedita ndëshkuese e forcave speciale, zbresin nga blindat dhe fillojnë të shtiejnë në drejtimesh të ndryshme, për të përhapur panik. Por, në atë kohë, forcat tona, të përbëra, si e thamë edhe më lart, nga katër persona, hapin zjarr dhe e kthejnë konfliktin mes tyre dhe ekspeditës ndëshkuese serbe. Të pabarabartë në numër e në teknikë, bëhet tërheqja në drejtim të pyllit. Forcat speciale serbe shtinin pa ndërprerje dhe filluan të afrohen, çka u detyruam të përdorim bombat, edhe pse të pakta. Atëherë, me përdorimin e bombave, serbët u tërhoqën në autoblinda dhe lufta bëhej vetëm nga autoblindat. Kjo zgjati deri rreth orës 18, por nuk mundën të na shtyjnë nga pozicioni që e zumë në pyll. Kjo i shtyri të largohen me shpejtësi të madhe nga lagjja dhe fshati.

Nga ana jonë nuk patëm viktima ose të plagosur: Kurse nga ana e armikut ka patur shenja gjaku në vendin e ngjarjes, sidomos të shumta ishin ku janë përdorë bombat.

Sa i përket organizimit të mëvonshëm dhe informimit të anëtarëve, ngjarja zhvillohet kështu: Në organizimin tonë ekzistojnë edhe vëzhguesit e terrenit. Njëri prej tyre vëren autoblindat duke shkuar në drejtim të Klinës apo Turiqevcit, deri sa për rastin që biseduam më lart, kishim informata. Bëhet lajmërimi i disa prej punkteve tona dhe ata bënë lajmërimin e anëtarëve, por vetëm të jemi të gatshëm, që porsa të marrim lajmin se çfarë po ndodh në terren, të jemi të gatshëm për ndihmë. Nata e bëri të veten dhe me vonesë u bë e ditur se ishte fshati Vojnik ku shkuan forcat policore. Edhe pse ne shpejtuam drejt Vojnikut, tërheqja e policisë bëri që të mos konfrontohemi atë mbrëmje. U tubuam dhe konstatuam se nga forcat tona nuk kishte humbje. Vendosëm që të jemi në vëzhgim të terrenit, në të gjitha rrugët që të shpien drejt vendit të ngjarjes. Dërguam vëzhguesit, pra edhe të tjerët, vendosëm, pasi e morëm edhe pëlqimin e shokut në ngjarje të drejtpërdrejtë që: nëse policia do të ndërmarrë ndonjë operacion ndëshkues, të bëjmë rezistencë. U vendos që para mëngjesit të zihen pikat më strategjike në rrugët që shpien drejt rajonit të rrezikuar, duke e patur parasysh se forcat mund të ndërhyjnë nga Mitrovica, Peja, por edhe nga Prishtina. U caktuan grupet që do të zënë pritat, por edhe vëzhguesit për lajmërim. Çdo gjë në Drenicë dhe rreth saj ishte nën kontroll. Dëshira jonë ishte dhe luteshim, që bash në vendin ku edhe ndodhi konfrontimi, të jetë ashtu.

Pra, aty e parashikonim se do të korrnim fitore. Kemi pasë mundësi edhe më herët, pra në vend tjetër t´i ‘shkurtojmë’, por bash aty, ku edhe e dëshironim, na erdhën, ishim disa grupe, në disa prita. Kolona ishte e gjatë. Kishim lajmin nga vëzhguesit se janë të shoqëruar edhe me helikopterë. I pritëm deri sa hynë në mesin e të gjithë grupeve nga 3-4 e deri në pesë veta në grup, ku numri i përgjithshëm nga ne ishte prej 23 vetash (kuptohet prej fshatit Lludeviq deri tek vendi i quajtur ‘kryqat e popit’). Të tjerët ishin në vende të tjera, për të mos i përshkruar tash të gjitha.

Kolona hyri ku dëshironim. Së pari sulmuam me minahedhës, e pastaj disa me bomba e disa me armë zjarri të ndryshme, si automatikë, snajperë e mitraloz. Konfrontimi filloi rreth orës 10 ku zgjati deri rreth orës 13-14.

Operacioni ishte shumë i vështirë, luftë e ashpër, e pandërprerë, harxhuam shumë municione, sidomos në helikopterët. Disponimi në forcat tona ishte në nivel, edhe pse disa ishin të parët, përveç harxhimeve në municion, nga forcat tona nuk pati humbje e as të plagosur. Çka është më e rëndësishmja, edhe fshatarët e këtyre anëve u përgjigjen dhe u mbushen malet me luftëtarë të gatshëm, ku gjatë tërheqjes policia u sulmua nga të gjitha anët, e ku policia në panik shtiu kah mundi, në objekte civile, shkolla e xhami.

Pasi i shtymë të tërhiqen forcat speciale serbe shkuam në vendin e ngjarjes ku ishin forcat armike. Ata kishin lënë në vend shumë dëshmi që të tregojnë se kanë pasur humbje dhe se kanë qenë të hendikepuar nga paniku. Gjetëm municion të ndryshëm të kalibrit të madh e deri tek revolverët, veshje antiplumb të përgjakura, shlema, karikatorë të ndryshëm, maska kundër gazrave, patrona lotsjellës e shumë e shumë të tjera. E gjithë rruga që nga fshati Lludeviq e deri në vendin ‘Kryqat e popit’ ishte e mbuluar nga gëzhojat. Damet e pësuara nga armiku, çka na i kemi parë, janë një autoblind i kallur, një i prishur, mitralozin e shkatërruar, njërin nga ‘pizgauerët’ e djegur e disa blinde të damtuar pjesërisht. Helikopteri dyshojmë se ka qenë i goditur, se shumë shpejt u largua dhe më nuk u duk, duke i lënë forcat e veta të vetmuara, gjysmë ore para se të tërhiqeshin.

Kemi kërkesa të mëdha për anëtarësim, por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqësohemi me nji nga shokët tonë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin e tij konspirativ ‘Veshi’.

Në fund të këtij rrëfimi ju përshëndesim përzemërsisht nga Drenica.

Lavdi të rënëve për liri.

Nga një grup shokësh,

Të nënshkruar: Rafeta, Gipa, Zena, Dili, Nura, Dyli, Gafurri”.

Kush janë të nënshkruarit?

– “Rafeta” ishte pseudonimi i Adem Jasharit,

– “Gipa” ishte Iliaz Kodra (komandant i brigadës “Fehmi Lladrovci”- vrarë në luftë),

– “Zena” ishte Zenun Kodra,

– “Dili” ishte Fadil Kodra,

– “Nura” ishte Nuredin Lushtaku,

– “Dyli” ishte Hamëz Jashari,

– “Gafurri” ishte Abedin Rexha, i njohur më vonë si “Sandokani”, komandant brigade, i vrarë në luftë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme