Promovohen dy doracakë të rinj për lëndën e historisë në gjuhën shqipe

07:38 | 24 Maj 2018
Arbresh.info

Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE) me seli në Selanik, organizon sot në Prishtinë promovimin e dy doracakëve të rinj për lëndën e historisë në gjuhën shqipe, periudha 1944-2008.

Ky promovim është pjesë kulmore e Projektit për Historinë e Përbashkët II (JHP II).

Në promovim do të marrin pjesë dhe do të flasin përfaqësues të lartë të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Pas prezantimit dhe të debatit në formë të panelit, do të organizohet një punëtori me ligjërues të historisë në shkollat e Kosovës.

Projekti për Historinë e Përbashkët implementohet nga CDRSEE për 20 vjet. Ai përqendrohet në arsimin dhe qëllimi i tij i përgjithshëm është që t’u ofrojë ligjëruesve të historisë doracakë për këtë lëndë, duke ofruar më shumë perspektiva për të njëjtat ngjarje.

Deri më tani, projekti ka përgatitur gjashtë doracakë mësimorë – katër prej të cilave janë botuar në 11 gjuhë dhe përfshijnë periudhën nga Perandoria Osmane deri te fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Doracakët historikë janë bërë një mjet efektiv për rritjen e ndërgjegjësimit dhe për përqendrimin mbi politikat e BE-së për forcimin e mësimdhënies të historisë me një multiperspektivë, si dhe për promovimin e pajtimit.

Përveç doracakut, në kuadër të projektit janë mbajtur deri më tani gjithsej 70 seminare, gjatë të cilave u trajnuan më shumë se 2.000 mësimdhënës për përdorimin e këtyre librave. Në këtë mënyrë, projekti ka arritur deri në 500.000 nxënës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme