Drita dhe Prishtina fitojnë shuma të majme parash

20:03 | 22 Maj 2018
Arbresh.info

Drita dhe Prishtina e dominuan futbollin kosovar këtë sezon, shkruan sot gazeta Zëri.

E para u shpall kampione, ndërsa e dyta nënkampione, derisa kryeqytetasit janë në lojë ta fitojnë edhe trofeun e Kupës së Kosovës.

Mundi dhe sakrifica gati njëvjeçare gjithsesi se do t’u shpërblehet këtyre dy klubeve dhe atë në forma të ndryshme.

Fillimisht, më e rëndësishmja është se ato do të luajnë në Evropë, e cila është arsyeja kryesore pse lufton një klub të jetë i suksesshëm në kampionatin nacional.

Me këtë rast gjilanasit si kampionë do të luajnë në Ligën e Kampionëve, për herë të parë në histori të tyre e prishtinasit do të marrin pjesë në Europa League për herë të dytë radhazi qoftë si fitues të Kupës apo edhe si nënkampionë, duke e pasur parasysh se finalisti tjetër i Kupës, Vëllaznimi, nuk e ka marrë licencën për të luajtur në Evropë.

Evropa ua mbush kasat

Pjesëmarrja në Evropë do t’i pasurojë edhe arkat e Dritës dhe Prishtinës.

Nëse bazohemi në shpërblimet që janë ndarë në sezonin paraprak dhe nëse nuk do të ketë ndryshime eventuale gjatë verës gjilanasit do t’i përfitojnë afro gjysmë milioni nga UEFA.

Në fakt, ata do t’i marrin 260 mijë euro për shpalljen kampionë dhe 220 mijë të tjera për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve.

Edhe pse do të luajnë nga faza preliminare, Bardhekaltrit pritet t’i marrin 220 mijë, të cilat i kanë të sigurta ekipet e fazës së parë eliminatore.

Këtë e ka konfirmuar javë më parë për “Zërin” edhe menaxheri për licencim të klubeve në FFK, Bajram Shala.

“Te pjesa financiare nuk ka ndryshim. 480 mijë do t’i marrë kampioni, që luan në Champions dhe 215 mijë ekipi që luan në Europa League. Ndryshimi i vetëm ka të bëjë me mënyrën e kualifikimit, respektivisht me aspektin sportiv, por jo me atë të pjesës financiare. Është plotësisht e njëjtë”, ka thënë ai.

Mirëpo kjo nuk është e tëra. Krahas 480 mijë eurove që pritet t’i marrë nga UEFA, Drita do të shpërblehet edhe në rrafshin vendor.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) do ta shpërblejë klubin gjilanas me 30 mijë euro që është shpallur kampion, ndërsa ky klub nga të drejtat televizive do t’i marrë edhe 20 mijë euro, një shpërblim ky linear për të gjitha klubet e Superligës.

Në total kjo i bie që Drita do t’i përfitojë 530 mijë euro, pra rreth gjysmë milioni.

Sa i përket Prishtinës, për pjesëmarrje në Europa League ky ekip do t’i marrë 215 mijë euro nga UEFA, ndërsa 20 mijë të tjera do t’i takojnë për shpalljen nënkampion, pra që e mbylli sezonin e dyta.

Këtyre mund t’ua shtojmë edhe 20 mijë të tjera nga të drejtat televizive, që në total i bie t’i fitojë 235 mijë euro.

Kryeqytetasit kanë mundësi të fitojnë ende. Nëse triumfojnë në Kupën e Kosovës ata do t’i fitojnë 20 mijë euro nga FFK-ja, ndërsa nëse humbin nga Vëllaznimi si finalist do t’i marrin 10 mijë euro.

Në total prishtinasit mund t’i fitojnë 255 mijë euro, pra rreth një çerek milioni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme