Në Dubravë na vranë veç pse ishim shqiptarë, flet Bislim Zogaj

18:34 | 22 Maj 2018
M. A.

I mbijetuari i masakrës të Dubravës, Bislim Zogaj, ka thënë se e gjitha ishte e organizuar me një qëllim të qartë: të vriten shqiptarët, jo sepse ishin personalitete, apo se ishin politikanë, por thjesht sepse ishin shqiptarë.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka thënë se synimi i autoriteteve serbe ka qenë që asnjë shqiptar të mos mbetet i gjallë në Dubravë, por se fati dhe organizimi në ato kushte të vështira bënë që të shpëtojnë.

“Në atë moment në Dubravë kanë qenë mbi 800 të burgosur. Disa kanë arritur të vijnë. Një pjesë e vogël kanë qenë në pjesë tjera të burgut, por shumica kanë qenë aty. Aty nuk është zgjedhur asgjë – as mjetet. Jemi vrarë si shqiptarë. Jo si politikanë, apo personalitete, por si shqiptarë. Ka qenë masakër e organizuar. Kjo masakër dallon nga masakrat tjera për dy arsye: ka qenë në hapësirë të kufizuar, pra ka qenë e pamundur të iket. Arsyeja tjetër është se kjo ka qenë e organizuar: kanë dashur t’i vrasin shqiptarët. Ukshin Hoti edhe pse u lirua para skenarit, ai edhe sot është i zhdukur”.

“Gjithsesi fat. Në momentet kur kanë gjuajtur, kanë synuar t’i vrasin të gjithë. Por ne jemi shpërndarë aq shpejt sa nuk kanë mundur të na vrasin të gjithëve. Pastaj kanë ardhur ditëve tjera dhe kanë vrarë, pa e pasur problem, apo pa u rrezikuar, sepse ne kemi qenë të paarmatosur. Masakra do të mund të ishte edhe më e rëndë, po të mos organizoheshim. Janë përgatitur grupe për të përgatitur ushqimin dhe për t’u dhënë ndihmë të plagosurve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme