Është atdheu i dy këngëtareve më të famshme të kohëve të fundit, Dua Lipa dhe Rita Ora, kryeqyteti i shtetit më të ri në Europë dhe fsheh një nga lagjet më të bukura në Ballkan, sipas New York Times.
Ja ku është Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, një qytet i ri për të vizituar tani, para se të gjithë ta vënë re atë.
Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në një artikull të botuar në Vanity Fair Italia, kushtuar kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.
Që Kosova ka ndryshuar, vihet re menjëherë sapo vendos këmbë në Prishtinë.
Kryeqyteti i gjallëruar, me 200 mijë banorë është qendra kulturale, ekonomike dhe artistike më e rëndësishme e Kosovës.
Një vend i ri, përkundrazi shumë i ri (mosha mesatare e kosovarëve është 25 vjeç, pra 20 krahasuar me Italinë) me një histori të rëndësishme në supe dhe një të ardhme jo të sigurt.
Por, si është Prishtina sot pothuajse 20 vite pas përfundimit të luftës dhe pastrimit etnik të mëparshëm nga presidenti i atëhershëm serb Slobodan Milosheviq kundër popullatës shqiptare, që ende pret drejtësi dhe respekt?
Pjesa më e madhe është ende atje, ndërtesat, kujtimet e gjalla në mendjet e njerëzve, por kaq shumë janë shtuar në qytet, si monumenti Newborn, i ngritur më 17 shkurt 2008 (ditën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Serbia) katedralja mbresëlënëse kushtuar Nënë Terezës (e lindur në Shkup nga një familje shqiptare nga Kosova) e shenjtëruar në shtator të vitit të kaluar.
Prishtina është një destinacion që po hyn ngadalë në radarët e adhuruesve të udhëtimeve më të çuditshëm që, të lodhur nga destinacionet e zakonshme, vendosin të ndërmarrin një nga udhëtimet më të bukura dhe më pak të njohura të Ballkanit. Është kryeqyteti që duhet të zbulohet tani, para se gjithkush të jetë i vetëdijshëm për të, një qytet që vizitohet lehtësisht në fundjavë. I gjithë i bazuar në art, kulturë dhe jetën e natës.
Zemra e kryeqytetit të Kosovës Bulevardi “Nënë Terezë”, një shëtitore pedonale përreth së cilës ka një labirint rrugësh të ngushta, ku shfaqen si kërpudha, restorantet, klubet e natës dhe kafenetë moderne. Këtu, në shkurt të këtij viti, këngëtarja me origjinë kosovare Rita Ora mbajti një koncert për të festuar pavarësinë dhjetëvjeçare të vendit.
Gjëja e parë që duhet të bëni është të porosisni një kafe mes Soma Book Station dhe Dit’e’Nat ‘, dy restorantet më të njohura në Prishtinë. Në të dyja ka një koleksion të konsiderueshëm librash, një koktej bar, një kuzhinë ku përgatiten pjatat cilësore me produkte nga fshatrat e afërta dhe me një klientelë të rinjsh, studentë universiteti dhe të rritur që jetojnë dhe punojnë në kryeqytetin e gjallë të Kosovës. Për ata që nuk e dinë, kafja, në këto pjesë, nuk është thjesht një pije, por një mënyrë jetese, një ritual pa të cilin është e pamundur të rrish. Prandaj është e këshillueshme që të marrësh pak kohë për të shijuar këtë moment të shenjtë.
Mos u shqetësoni për të humbur në labirintin e rrugicave, që formojnë qytetin e vjetër të Prishtinës, sepse këtu nëse kërkoni informacion në rrugë, gjithmonë ka dikush që dëshiron t’ju shoqërojë personalisht në destinacionin tuaj.
Meriton një vizitë Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku”, i vendosur në një shtëpi otomane tradicionale të shekullit të XVIII, e cila ofron një afresk interesant të kulturës së vendit dhe mbi të gjitha, vitet e sundimit osman.
Dy hapa më tej është Xhamia e mrekullueshme Mehmet Fatih, e zbukuruar në brendësi dhe në pjesën e jashtme, me një kopsht ku fëmijët e të gjitha moshave luajnë pa kujdes.
Vizioni i islamit të dukshëm, të paktën rreth meje, është më i relaksuar sesa ai i paraqitur nga mediat perëndimore. Ndodh shpesh që të shohim grupe të vajzave, disa me pantallona të shkurtra, të tjera që mbulohen, duke biseduar pa gjykuar njëra tjetrën. E paimagjinueshme në anët tona.
Nëse pyesni se çfarë tjetër duhet të shikoni në Prishtinë, mos harroni të vizitoni Bibliotekën Komëbtare “Pjetër Bogdani”, një ndërtesë e çuditshme e arkitektit kroat Andrija Mutnjaković, emblemë e arkitekturës socialiste jugosllave.
Edhe Telegraph e ka futur në vendin e 18-të të listës së ndërtesave më të shëmtuara në botë. Biblioteka është një vend i kërkuar për të pasionuarit e arkitekturës socialiste, falë 99 kupolave të saj prej xhami , të gjitha me forma të ndryshme dhe fasadat e mbuluara me rrjetë metalike .
Aty mund të admirosh koleksione librash që tregojnë për historinë e vendit, salla leximi, një sallë ku mund të vëzhgosh kupolat nga një tjetër perspektivë.
Pranë bibliotekës ka edhe një hapësirë të madhe të gjelbër dhe kisha ortodokse serbe. Sipas planeve të Millosheviçit do të bëhej kisha më e madhe në vend, por për shkak të shpërthimit të luftës asnjëherë nuk është përfunduar. Sot serbët, në qytet, janë të paktë. Pas luftës, shumë prej tyre kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe janë kthyer në Serbi, të frikësuar nga hakmarrja e shqiptarëve. Kundër krimeve të dyshuara të kryera nga UÇK-ja, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në dëm të civilëve serbë, gjithashtu u ngrit një gjykatë speciale.
Në mbrëmje, atëherë, magjia zbret në Prishtinë. Ekspozita, koncerte, opera, festivale (si PriFest, ngjarje kinematografisë e mbajtur për dhjetë vjet në korrik) ndjekin njëri-tjetrin në kalendarin e qytetit. Një kafe ose një pijetore bosh nuk mund të gjendet në asnjë kohë.
Vështirë për të zgjedhur midis ngjarjeve të shumta kulturore në kryeqytet. Një turmë e të rinjve ka mbushur lokalet e qendrës, një brez i ri që mbart mbi supe barrën e ndërtimit të themeleve të një shteti të ri dhe që duket se ka lënë pas tragjeditë dhe padrejtësitë e asaj marrëzie njerëzore, e cila në vitet e turbullta të ’90 tronditi një popullatë të tërë, transmeton atsh.
Shumë kanë humbur të dashurit e tyre dhe nuk kanë marrë ende drejtësi dhe ndoshta kurrë nuk do të marrin atë. Unë nuk mund të mos mendoj për fatin që kam pasur kur në të njëjtat vite, kur unë luaja me motrën time dhe shkoja në det me prindërit e mi, ata ishin viktima të një prej momenteve më tragjike të historisë bashkëkohore evropiane.
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...