Në ceremoninë e betimit të 61 vjeçares Haspel, që u mbajt në selinë qëndrore të CIA-s në dalje të Uashingtonit, mori pjesë edhe Presidenti Donald Trump.
“Gina është e fortë, e vendosur dhe kur vjen puna për të mbrojtur Amerikën, ajo nuk tërhiqet kurrë”, tha presidenti Trump. “Burrat dhe gratë e kësaj agjencie meritojnë udhëheqje të jashtëzakonshme dhe atë po marrin“, tha ai.
Zoti Trump e quajti zonjës Haspel “një person shumë të veçantë … që i ka shërbyer vendit me aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”.
“Askush në këtë vend nuk është më i kualifikuar se ju për këtë detyrë të jashtëzakonshme”, i tha presidenti zonjës Haspel.
Gina Haspel zëvendëson në këtë detyrë Mike Pompeon, i cili së fundmi mori detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Zoti Pompeo ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e betimit të drejtores së re të CIA-s.
Për zonjën Haspel puna e saj në CIA dhe ajo punonjësve të tjerë të shërbimit të fshehtë amerikan është “më shumë se një karrierë”. Sipas saj, ajo ka të bëjë më tepër me “një thirrje” për të mbrojtur vendin nga sulmet terroriste.
“Ne jemi më të mirët dhe sfida jonë është të jemi gjithmonë më të mirët”, u tha ajo punonjësve të CIA-s gjatë fjalimit të saj.
Senati amerikan e miratoi kandidaturën e zonjës Haspel të enjten e kaluar me 54 vota pro dhe 45 kundër, duke i dhënë fund një procesi të trazuar të emërimit saj, gjatë të cilit ligjvënësit rishqyrtuan praktikat e mëparshme të marrjes në pyetje që zbatoheshin nga CIA.
Gjashtë demokratë votuan në favor të zonjës Haspel, ndërsa dy republikanë e kundërshtuan emërimin e saj.
Udhëheqësi i shumicës në senatin amerikan Mitch McConnell, një republikan i Kentakit, e vlerësoi zonjën Haspel si “të kualifikuar në mënyrë të veçantë për t’u përballur me sfidat më të mëdha të sigurisë kombëtare të Amerikës”, duke shtuar se ajo “ka fituar respektin dhe admirimin e burrave dhe grave të CIA-s”.
Përzgjedhja nga zoti Trump e zonjës Haspel për drejtimin e agjencisë së zbulimit shkaktoi polemika, duke pasur parasysh gabimet e saj me praktikat e ashpra të marrjes në pyetje të të burgosurve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë. Ajo gjithashtu shkroi një dokument, nëpërmjet së cilit autorizonte shkatërrimin e video-kasetave të agjencisë së zbulimit, në të cilat sipas shumë studiuesve ligjorë ishin filmuar torturat ndaj të dyshuarve për terrorizëm.
Demokrati Patrick Leahy njoftoi kundërshtimin e tij ndaj zonjës Haspel pak përpara votimit, duke i quajtur disa nga dokumentat mbi veprimtarinë e saj “shqetësuese”.
“Nuk e vë në dyshim angazhimin e znj. Haspel në funksion të sigurinë sonë kombëtare. Ajo ç’ka vë në dyshim është besnikëria e saj ndaj një vlere thelbësore të kombit tonë, asaj që të gjithë njerëzit kanë të drejta të caktuara, të patjetërsueshme”,tha zoti Leahy në një deklaratë duke shtuar se dinjiteti themelor i qenieve njerëzore “është i papajtueshëm me praktikat ç’njerëzore sikurse torturat”.
Gjatë seancës për miratimin e saj, zonja Haspel në mënyrë të përsëritur nuk pranoi të thotë nëse teknikat e ashpra të marrjes në pyetje ishin moralisht të gabuara. Megjithatë javën e kaluar, ajo i shkroi një letër përfaqësuesit më të lartë të demokratëve në komision, Mark Warner, ku shkruante se CIA nuk duhet të kishte kryer praktika abusive të marrjes në pyetje.
“Si drejtore e CIA-s, Gina Haspel do të jetë zyrtarja e parë e operacioneve në më shumë se pesë dekada, që do të udhëheqë agjencinë,” tha zoti Warner në një deklaratë. “Besoj se ajo është dikush që mundet dhe nuk do të lëkundet, nëse presidenti e urdhëron të bëjë diçka të paligjshme apo të pamoralshme siç mund të jetë kthimi tek praktikat e torturës”, tha ai./VoA/
Shtohen masat e sigurisë në ndeshjen Shqipëri – Çeki
Driloni kujton këngët e fëmijërisë, Gresa i këndon
Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk...
Reagon, Amir Rrahmani: Ne jemi Kosova
Alarm në Paris/ Pronari i restorantit mban peng punëtorët e ...
Shqipëria godet rrjetin e trafikimit që fshihte kokainën në ...