Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha të hënën se pafuqia e koalicionit të pakicës për të ndërmarrë reforma do të votojë integrimin evropian të Kosovës dhe para se gjithash liberalizimin e vizave.
Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kryeministri Ramush Haradinaj i gjendur në një situatë të tillë fajëson LDK-në se po pengon liberalizimin e vizave.
Lexoni të plotë postimin e Hotit në Facebook:
“Samiti i Sofjes javën që shkoi e ri-konfirmoi qëndrimin e BE-së për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Promovimi i demokracisë, drejtësi efikase, rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, fqinjësia e mirë, menaxhimi i migracionit dhe çështje të tjera, mbesin sfidë për Kosovën, në veçanti duke pasur parasysh brishtësinë e Qeverisë për shkak të mungesës të shumicës parlamentare për të ndërmarrë këto reforma.
Nuk ka dyshim se pafuqia e koalicionit të pakicës për të ndërmarrë këto reforma do të vonojë integrimin evropian të Kosovës dhe para se gjithash liberalizimin e vizave.
I gjendur në një situatë tillë, z.Haradinaj fajëson LDK-në se po pengon liberalizimin e vizave. Sikur z.Haradinaj të mos përdorte dhunë të shfrenuar ndaj institucioneve gjatë mandatit të kaluar, sot qytetarët e Kosovës do të udhëtonin të lirë. Ai duhet të ketë dinjitetin të pranojë këtë fakt.
Është e qartë për të gjithë se me këtë Qeveri, demokracia dhe sistemi jonë parlamentar janë në rrezik. Kryeministri nuk i përgjigjet Kuvendit. Ai dhe ministrat nuk marrin pjesë në seanca dhe Komisione Parlamentare. Vendimet e Qeverisë në plot raste janë arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin. Kryeministri ndërhynë drejtpërdrejt në vendim-marrje të organeve të pavarura. Çfarë sinjali dërgojmë në Bruksel kur katër ministra me aktakuza të ngritura vazhdojnë të shërbejnë në Qeveri?
Si mund të merret seriozisht kjo Qeveri nga Brukseli dhe nga qytetarët e Kosovës kur dokumenti kryesor për integrim evropian për tri vitet e ardhshme, Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së për 2018-2020, u diskutua në Kuvendin e Kosovës të premten e javës që shkoi në mungesë të plotë të Kabinetit Qeveritar.
Si mund të na besojë BE-ja se kemi një demokraci funksionale, sado të brishtë, kur pa asnjë procedurë ligjore i dëbojmë shtetasit turq, ose pa pritur ndërmarrim iniciativa ligjore për t’ju ikur obligimeve ndërkombëtare? Si mund të na besojnë në Bruksel në rendin demokratik e parlamentar kur vetë deputetët shkelin ligjin dhe ndërmarrim nismë ligjore për të siguruar amnisti për veten?”
Konjufca pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedon...
Del video ku Edi dhe Driloni kanë ofenduar Sarën
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’