Blloku i klerikut shiit i fiton zgjedhjet në Irak

12:13 | 19 Maj 2018
Arbresh.info

Aleanca e klerikut shiit, Muqtada al-Sadr ka fituar shumicën e ulëseve në Parlamentin irakian, pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare nga Komisioni Zgjedhor.

Zgjedhjet në Irak ishin mbajtur më 12 maj. Blloku i kryeministrit aktual, Haidar al-Abadi ka dalë në vendin e tretë. Ndërkaq, një koalicion i kandidatëve që kanë lidhje me milicitë e mbështetura nga Irani, kanë arritur të dalin në vendin e dytë.

Asnjë nga tre grupet nuk kanë arritur të fitojnë mbi 50 ulëse në Parlament.

Bisedimet për formimin e Qeverisë së re pritet të zgjasin për muaj të tërë.

“Vota juaj është nderë për ne”, Sadr ka thënë përmes një deklarate, pas publikimit të rezultateve përfundimtare.

Sadr, kleriku anti-amerikan, që ka mbështetje kryesisht në zonat e varfëra urbane të Bagdadit, në të kaluarën kishte qenë lider i Ushtrisë Mahdi, që ka luftuar me forcat amerikane më 2003.

Kjo milici ishte shkatërruar më 2008 dhe ishte zëvendësuar me Brigadat e Paqes, që kanë ndihmuar në largimin e militantëve të Shtetit Islamik në zonat përreth Bagdadit më 2014./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme