Google ADS

Serbi me shtetësi kosovare thotë se për veprën e kryer në Kosovë u gjykua në Serbi

23:42 | 17 Maj 2018
Arbresh.info

Në gjykimin për vrasje në tentativë të Nebojsha Rashiqit, vepër të cilën akuzohen ta kenë kryer Daniell Tomiq së bashku me Dushan Petroviq, i akuzuari i parë ka deklaruar se për veprën e njëjtë penale tashmë është gjykuar nga gjykata e Serbisë.

I akuzuari Tomiq po ashtu tha se në Serbi e ka vuajtur dënimin për këtë rast.

“Unë në Nish jam përgjigjur për veprën e njëjtë. Atje jam i dënuar me 2 vite. Por dokumentacionin nuk e kam me vetë. Do të konsultohem me avokatin Azem Vllasi”, tha i akuzuari.

Ndërsa kur i njëjti u pyet nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj se si është e mundur që për një vepër penale e cila ka ndodhur në shtetin e Kosovës, kryesi të dënohet në shtetin e Serbisë, i akuzuari deklaroi se kjo ka ndodhur për faktin se shteti i Serbisë nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe kjo ka qenë arsyeja se pse ai është gjykuar atje.

“Në gjykimin që është mbajtur në Serbi unë me mbrojtësin tim e kam dorëzuar të gjitha dokumentacionin. Ata më kanë thënë se nuk e pranojnë shtetin e Kosovës dhe për këtë vepër duhet të përgjigjeni në Nish. Atje kam qenë në paraburgim për 6 muaj”, deklaroi Tomiq.

Ai tha se gjyqtari i Serbisë ia kishte pranuar edhe masën e paraburgimit të cilën ai e kishte vuajtur në Kosovë dhe i njëjti për këtë vepër penale nga gjykata në Serbi ishte dënuar me 2 vjet burgim.

Ndërsa për seancën e radhës ai deklaroi se do të vijë së bashku me avokatin e tij dhe do i sjellë me vete edhe dokumentet të cilat dëshmojnë se ai e ka vuajtur një herë dënimin për këtë vepër për të cilën po akuzohet.

Seanca e radhës është caktuar për më 18 qershor.

Sipas aktakuzës, në mars të vitit 2009 pas mesnatës në kafenenë “Klub S”, në Graçanicë, deri sa i dëmtuari Nebojsha Rashiq ka dalë nga objekti, i pandehuri Daniell Tomiq së bashku me Dushan Petroviqin e sulmojnë, i kërcejnë në shpinë dhe fillojnë ta godasin me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i pandehuri Daniell me dashje që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Nebojsha, e godet katër-pesë herë me mjet të fortë të mprehtë, i përshtatshëm për të shkaktuar lëndime trupore dhe atë në gjoks, në anën e djathtë nën shpatull dhe në dorën e djathtë nën bërryl, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit.

Me pretendimin se i ka kryer këto veprime penale, prokuroria atë e akuzon për veprën penale vrasje në tentativë ndërsa Dushan Petroviq akuzohet ta ketë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje./Kallxo.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme