Sipas një prej avokatëve të ekipit mbrojtës të Presidentit Trump, edhe nëse ka prova se zoti Trump ka kryer akte të paligjshme, ose ka penguar drejtësinë në procesin hetimor mbi zgjedhjet e 2016, prokurorët amerikanë nuk do të ngrenë akt-padi ndaj tij.
Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, aktualisht pjesë e ekipit të avokatëve të presidentit, tha për emisionin Fox & Friends të kanalit Fox News se juristë të ekipit të Prokurorit Special Robert Mueller i kishin thënë ditët e fundit se do të ndiqnin një praktikë të vjetër të Departamentit të Drejtësisë, në bazë të së cilës edhe nëse zbulohen prova të besueshme për shkelje penale, nuk do të ngrinin akt-padi kundër një presidenti gjatë mandatit të tij.
“E vetmja gjë që mund të bëjnë është të shkruajnë një raport dhe pavarësisht se sa i fortë mund të jetë raporti, do merremi me të,” tha zoti Giuliani.
Rudy Giuliani tha se prokurorët mund t’ia paraqesin raportin Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili mbikqyr procesin hetimor që po zhvillon Robert Mueller. Më pas zoti Rosenstein mund t’ia kalojë raportin Dhomës së Përfaqësuesve. Ligjvënësit, nëse e shohin me vend, mund të fillojnë procesin për shkarkimin e presidentit nga detyra.
“E gjitha këtu përfundon: nëse do të hapet procesi në Kongres për shkarkimin e presidentit”. Ekspertët ligjorë thonë se, nëse e shohin me vend, prokurorët mund ta identifikojnë presidentin në dokumente gjyqësore si një person bashkëpunëtor në një komplot ku ka pasur shkelje ligji, por pa ngritur akuza ndaj tij.
Zoti Trump përsëri këmbënguli këtë javë se nuk ka kryer shkelje, ndërkohë që u mbush një vit që kur Rod Rosenstein emëroi Robert Muellerin si prokuror special. Rod Rosenstein, numri dy në Departamentin e Drejtësisë e mori në dorë mbikqyrjen e procesit hetimor lidhur me zgjedhjet e 2016, pasi Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions u tërhoq nga procesi hetimor pasi kishte pasur kontakte me ambasadorin rus në Uashington gjatë fushatës presidenciale.
Presidenti postoi një koment në Twitter: “Urime, Amerikë! Kemi hyrë në vitin e dytë të gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë amerikane… ende nuk kanë gjetur as bashkëpunim të fshehtë, as pengim drejtësie. I vetmi bashkëpunim i fshehtë u bë nga demokratët, që gjithsesi nuk arritën të fitonin në zgjedhje, megjithëse shpenzuan shumë më tepër fonde”.
Në një tjetër postim në Twitter, zoti Trump citon një artikull të New York Times se një agjent i FBI-së mund të ketë infiltruar fushatën e tij presidenciale.
“Nëse është e vërtetë, ky skandal do të ishte më i madh se Watergate,” tha zoti Trump, duke aluduar për skandalin politik të 1972 që çoi në dorëheqjen e presidentit të atëhershëm Richard Nixon.
Procesi hetimor që po zhvillon Prokurori Mueller nuk duket se do të mbyllet së shpejti. Deri tani ai ka siguruar deklarimin e fajësisë nga disa ish-bashkëpunëtorë të zotit Trump, përfshirë ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn dhe ish-këshilltarin për çështje të jashtme në fushatën Trump, George Papadopoulos. Të dy ata pranuan se kishin dhënë dëshmi të rreme lidhur me kontaktet që kishin pasur me shtetas rusë. Ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, Paul Manfort, i akuzuar për vepra penale gjatë punës së tij si lobist për Ukrainën para fushatës presidenciale të 2016, do të dalë në gjyq këtë vit.
Avokatët e zotit Trump dhe ekipi i zotit Mueller kanë diskutuar nëse zoti Trump do të merret në intervistë për rolin që luajti Rusia në zgjedhjet presidenciale dhe nëse ai pengoi drejtësinë kur një vit më parë pushoi nga detyra ish-drejtorin e FBI-së James Comey, ndërkohë që ai po kryesonte procesin hetimor mbi ndikimin rus në zgjedhje, para se të emërohej zoti Mueller.
“Mendoj se hetimi duhet të anulohet,” tha zoti Giuliani. Ai tha se hetimi filloi “me një akt të paligjshëm,” pasi James Comey nxori hollësi nga biseda private që kishte zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me zotin Trump, para se presidenti ta pushonte.
“Presidenti dëshiron të japë dëshmi,” tha zoti Giuliani në intervistë me rrjetin Fox. Ai tha se avokatët e zotit Mueller “besojnë se mund t’i analizojnë motivet” e presidentit për një numër aktesh, përfshirë edhe pushimin e ish-drejtorit të FBI-së, Comey.
Prokurori Mueller ka thënë se mund ta thërrasë zyrtarisht presidentin të japë intervistë, nëse ekipi i tij dhe avokatët e presidentit nuk bien dakord që presidenti të vijë vullnetarisht për t’iu përgjigjur pyetjeve.
Por avokati i presidentit, Rudy Giuliani, tha se Prokurori Mueller “nuk do të jetë në gjendje të thërrasë zyrtarisht presidentin për intervistë”, gjë që mund të çojë në një përplasje ligjore lidhur me pyetjen nëse mund të detyrohet një president gjatë mandatit të dalë, jashtë vullnetit të tij, para një jurie të madhe për t’iu përgjigjur pyetjeve. Kjo çështje mund të zgjidhet në Gjykatën e Lartë.
Në intervista të tjera zoti Giuliani ka ngritur idenë se nëse presidenti thirret zyrtarisht për t’iu përgjigjur pyetjeve, pasi të ketë bërë betimin për të treguar të vërtetën, ai mund të përdorë të drejtën e tij kushtetuese për të mos iu përgjigjur pyetjeve që mund ta kompromentojnë.
Zoti Giuliani tha se Presidenti Trump mund të pranojë t’u përgjigjet pyetjeve të ekipit të zotit Mueller, por shtoi “Do ta pranojmë këtë vetëm nëse përmes këtij hapi e shkurtojmë procesin”. Rudy Giuliani tha se avokatët e zotit Trump “do të viheshin në lojë nga të gjithë juristët nëse e lënë klientin e tyre të japë dëshmi” në një proces pa afate të paracaktuara kohore.
“Presidenti është plotësisht i pafajshëm,” tha zoti Giuliani./VoA/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...