Rama: Evropa është feja jonë

15:26 | 17 Maj 2018
M. A.

“Shqiptarët janë mbështetës entuziastë të BE-së dhe Evropa është feja jonë”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ku foli për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Me anëtarësimin në BE, theksoi Rama, “ne do të ndërtojmë një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes sonë”.

Duke folur për rëndësinë që ka për Shqipërinë integrimi në Bashkimin Evropian, Rama tha se “për ne dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është çështje për jetë a vdekje”.

“Pas aq shumë e shumë vitesh dhimbjeje dhe ankthi, Evropa përcakton të ardhmen tonë. Siç mund të jeni në dijeni, Shqipëria ka pasur regjimin më të frikshëm komunist në Evropë dhe jo shumë larg në kohë, ne kemi përjetuar disa prej luftërave më të përgjakshme në Evropë gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ose në Kosovë”, tha Rama.

I pyetur lidhur me “koston” që do të ketë për BE-në anëtarësimi i Serbisë apo Shqipërisë, dhe dyshimet që krijon një hap i tillë kur bëhet një analogji me situatën e krijuar me Greqinë, Rama tha se, “ky nuk është problemi im, por është problem që duhet të zgjidhet nga politikanët gjermanë dhe britanikë”, transmeton atsh.

“Shoqëritë tuaja nuk kanë përjetuar luftëra prej tre brezash. Shoqëritë tuaja janë në njëfarë mënyre të shkëputura nga realitetet e ashpra të botës përtej BE-së. Nga këndvështrimi ekonomik, shoqëritë tuaja janë në gjendje të mirë dhe kjo ndoshta mund të jetë arsyeja përse evropianët harrojnë se sa me fat janë”, tha Rama.

Ndërsa lidhur me avantazhet që do të ketë për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, Kryeministri Rama u shpreh se “nuk dua të shqetësoj ata që nuk dëshirojnë që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, pasi është një rrugë e gjatë për ne drejt BE-së”.

“Duke e thënë me fjalët e presidentit francez, Macron: Evropa, së pari ka nevojë për integrimin përpara se të fillojë zgjerimin e saj. Po, BE-ja ka nevojë për disa reforma. Dhe ne gjithashtu, duhet të ndërmarrim reforma në vendin tonë. Por, shpresojmë se rrugët tona do të bashkohen një ditë. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, janë të një rëndësie vendimtare për paqen dhe sigurinë e Evropës. Ne jemi një zonë gri në Evropë dhe kjo duhet të ndryshojë”, theksoi ai.

Lidhur me progresin e Shqipërisë, Rama tha se “shumë gjëra kanë ndryshuar, por sinqerisht, kjo në të vërtetë varet nga mënyra se si e sheh situatën”. “Nëse e mendoni nga ku ne kemi filluar, ne kemi bërë një rrugë të gjatë në Shqipëri. Por nëse e gjykoni ku ne duam të jemi, atëherë ka ende rrugë për të bërë. Transformimi ynë duhet të bëhet më i qëndrueshëm”, tha ai.

Reforma jonë gjyqësore, vijoi Rama, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese, po transformon pothuajse gjithçka sot. “Gjyqtarët dhe prokurorët tanë janë vënë nën mbikëqyrje, burimi i tyre financiar dhe e kaluara e tyre profesionale, janë duke u verifikuar. Shumë zyrtarë të lartë kanë humbur punën dhe kjo do të pastrojë sistemin tonë gjyqësor”, theksoi kryeministri Edi Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme