Google ADS

Kosova përgatit infrastrukturën për zonën ekonomike amerikane

14:08 | 16 Maj 2018
Arbresh.info

Krijimi i një zone ekonomike amerikane në Kosovë po shihet si një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe tërheqjen e kompanive të mëdha amerikane që kapitalin e tyre ta shtrijnë në këtë zonë.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se krijimi i një zone të tillë ka qenë kërkesë që prej kohësh edhe nga vet investitorët amerikanë.

Ndërkohë, bëhet e ditur se kompanitë amerikane po shprehin interesim që investimin e tyre ta shtrijnë në miniera dhe energji dhe jo vetëm me energjinë me thëngjill, por edhe në energjinë e ripërtërishme dhe në sektorë të tjerë.

Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka nxjerr një vendim për themelimin e grupit punues, i cili ka për detyrë që të analizojë tërë legjislacionin dhe dokumentacionit administrativ të nevojshëm, i cili pastaj do të paraqitet para Qeverisë së Kosovës për të nxjerrë themelimin e zonës ekonomike amerikane.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa thotë se ideja e Qeverisë së Kosovës është që të krijojë një zonë të veçantë ekonomike vetëm për investitorët amerikanë.

Sipas tij, një gjë e tillë pritet të bëhet në bashkëpunim me institucionet publike të Qeverisë amerikane dhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Kosovë.

“Tani kemi një grup punues i cili do të shqyrtojë të gjitha opsionet. Kemi disa opsione sa i përket lokacioneve, këto opsione i kemi diskutuar dhe jemi duke i hulumtuar së bashku me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të cilët menaxhojnë me prona publike, të cilët janë edhe pjesë e këtij grupi punues për këtë zonë amerikane dhe do të identifikojmë lokacionin më të mirë për themelimin e kësaj zone”, thotë Mustafa.

Mustafa thotë se tani është e pamundur të jepet një afat kohor rreth themelimit të kësaj zone, megjithatë, qëllimi i Qeverisë së Kosovës është të përfundojë sa më parë.

Sipas tij, fillimisht për këtë zonë ekonomike amerikane do të diskutohet edhe me investitorët potencialë që do të ndërtojnë fabrikat e tyre në këtë zonë.

“Kjo zonë ekonomike besojmë që do të ndihmojë mjaft për faktin se Amerika është ekonomia më e zhvilluar në botë dhe kompanitë private të Amerikës janë ndër më të zhvilluara dhe besojmë që përveç investimeve amerikane, që do të tërheqim përmes kësaj zone ekonomike, njëkohësisht do të transferohen në teknologji dhe njohuri edhe tek kompanitë kosovare, duke i ndërlidhur ato me investitorët amerikanë brenda kësaj zone amerikane”, thotë Mustafa.

Krijimin e zonave të veçanta ekonomike në Kosovë, ekspertët e fushës i konsiderojnë mjaft të rëndësishme për vendin.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se këto zona ekonomike do të ju ofrojnë lehtësira të mëdha kompanive që vijnë të investojnë në Kosovë.

“Krijimi i zonave ekonomike është i mirëpritur për investitorët e jashtëm për arsye se ofron kushte infrastrukturore për krijimin e bizneseve dhe çka është me rëndësi jep tokë falas për ndërtimin e objekteve tjera të cilat përdoren nga bizneset ndërkombëtare. Çdo zonë ekonomike i bën mirë Kosovës, mirëpo duhet të shikohet krahas zonave ekonomike të krijohen kushte më të favorshme për inkurajimin e investitorëve të jashtëm”, thotë Gashi.

Investitorët amerikanë dhe investitorë tjerë ndërkombëtarë, shton Gashi, përballen me shumë burokraci në komunat e Kosovës.

“Sa i përket kushteve të favorshme për investitorët, kushti kryesor duhet të jetë stabiliteti politik dhe institucional, një funksionim më i mirë i gjyqësorit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, heqja e burokracisë nëpër institucionet publike, përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore, lehtësim në pikat doganore e të tjera”, thotë Gashi.

Ndryshe, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka theksuar si të domosdoshme krijimin e një zonë të tillë. Megjithatë, ai është shprehur skeptik se një gjë e tillë mund të realizohet.

“Nëse e marrim si shembull një referencë nga viti 2013, kur është miratuar Ligji për zona ekonomike edhe e shohim se ligji asnjëherë nuk është zbatuar tani e pesë vjet, atëherë kjo me të drejtë e nxitë skepticizmin tonë se as kësaj radhe zona e veçantë ekonomike amerikane mund të mos jetësohet asnjëherë”, ka thënë ai.

Zeka ishte shprehur mjaft kritik sa u përket Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, siç ka thënë Zeka, për koncept-dokumentin për krijimin e kësaj zonë asnjëherë nuk është diskutuar me organizatat ekonomike në vend, siç është Oda Ekonomike Amerikane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme