Google ADS

Ish-Ambasadori e sheh të vështirë përfundimin e dialogut në një afat prej 9 muajsh

17:44 | 15 Maj 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i sigurt se gjashtë deri në nëntë muaj do të jetë zgjidhja përfundimtare rreth çështjes së dialogut me Serbinë. Por, të vështirë e sheh realizimin e kësaj, ish- ambasadori i Kosovës në Beograd Lulzim Peci. Ajo që është e qartë sipas Pecit, në dialogun mes dyja shteteve nuk mund të ndodh normalizimi i plotë pa hyrje të Kosovës në BE dhe pranim të pavarësisë së saj nga Serbia.
Kosova shpejt pritet të ia nis fazës së fundit të dialogut me shtetin serb, mandatar i së cilës për t’i udhëhequr këto negociata do të jetë shefi i shtetit Hashim Thaçi. Gjithsesi se për të qenë në krye të kësaj Thaçit i duhet miratimi i Kuvendit të Kosovës.

Thaçi, ka thënë se procesi i bisedimeve me Serbinë do të përfundojë pas 6-9 muaj, dhe ka bërë të ditur se kancelarja gjermane Angela Merkel është zotuar që të jap kontributin e saj në negociata dhe normalizimin e tyre. Një kornizë kohore të përafërt e ka përmendur edhe Aleksandar Vuçiq.

Megjithëse, Peci ka shpjeguar të martën për Express se nuk mund të predikojë se kur mund të marrë epilog dialogu, por thotë se një gjë është e qartë. “Ajo se ky dialog nuk mund të shpie tek normalizimi i plotë i marrëdhënieve pa hyrje te Kosovës në OKB dhe pranim te pavarësisë së saj nga Serbia”, ka shtuar Peci.

Siç shprehet ai, çdo marrëveshje që nuk i plotëson këto dy elemente, do të lë çështje të hapura në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat sipas tij, më së shumti do ta dëmtojnë vendin tonë, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.

Kosova dhe Serbia vazhdimisht kanë pasur përplasje deklaratash me njëra – tjetrën se nuk po i respektojnë vendimet të cilat janë nënshkruar në Bruksel. Ish- ambasadori thekson se duhet pasur parasysh që nëse nuk do të kishte tensione në mes dy vendeve, atëherë nuk do të kishte nevojë për dialog për normalizim të marrëdhënieve, pasi do të nënkuptohej se ato tanimë janë të normalizuara.

“Projektimi i kësaj kornize kohore për përfundim të dialogut është reale nëse plotësohen disa premisa paraprake, dhe atë se pari arritja e konsensusit në Kosove për dialogun, pasi çdo marrëveshje qe arrihet ne Bruksel duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, dhe se dyti, BE-ja para fillimit të këtij dialogu duhet të përcaktojë parimet e tij, pasi kjo do të mundësoj përfundimin e pavonuar te tyre”, ka bërë të ditur ai.

Peci madje kujton se nuk duhet harruar që dialogu i tanishëm që është zhvilluar pa parime të përcaktuara paraprakisht ka zgjatur mbi shtatë vite dhe ka sjell rezultate të limituara në praktikë.

Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. Që nga fillimi i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me 8 mars 2011, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Që nga fillimi i dialogut e deri më tani janë arritur 19 marrëveshje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme