Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës po vazhdon gjykimi kundër të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile, Zoran Vukotiq.
Në seancën e sotme të mbajtur në këtë Gjykatë i akuzuari ka paraqitur mbrojtjen e tij lidhur me veprën penale krime kundër njerëzimit për të cilën akuzohet nga Prokuroria.
Rrjedha e seancës vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit nga mbrojtësi i tij Miro Deleviq.
Pas pyetjes së avokatit Deleviq se ku kishte punuar, i akuzuari tha se pas përfundimit të shërbimit ushtarak kishte punuar në ndërmarrjen ndërtimore “Kosova” dhe në Gjykatën komunale .
Vukotiq po ashtu deklaroi se në vitin 1998 – 99 kishte punuar si polic rezervë në qytetin e Vushtrrisë.
Pas pyetjes së avokatit të tij, Vukotiq tregoi se ai nuk kishte shkuar vullnetarisht si rezervist i Policisë por se ishin mobilizuar.
Ndërsa lidhur me atë se çfarë do të ndodhte po që se nuk do të shkonte si polic rezervë, ai tha se me siguri do ta dërgonin si pjesë rezervë në ushtri.
Tutje në deklarimin e tij Vukotiq tregoi se pas mobilizimit ai ishte pajisur me pushkë automatike dhe pistoletë si dhe me uniformë me ngjyrë të kaltër të mbyllët.
Kurse lidhur me municionin me te cilin ishte pajisur ai tha se nuk ishte lejuar që ta përdornin pa miratimin e eprorëve dhe se nëse do ta përdornin do të dënoheshin.
“Do të ishim dënuar. Me gjasë largimi nga komponenti rezervë i Policisë, e çfarë dënimi do të merrnim nuk e di”, tha Vukotiq.
Ashtu siç edhe kishin pohuar dëshmitarët në seancat e mëhershme të mbajtura kundër të akuzuarit Zoran Vukotiq, bazuar edhe në deklarimin e tij të sotëm, ai para luftës kishte punuar në Gjykatën Komunale, përkatësisht në vendin ku ishte marrë dhe dërguar posta si dhe në vendin ku ishin marrë vërtetime lidhur me hetime.
Pas marrjes në pyetje nga ana e avokatit të tij edhe prokurori Paul Flynn i bëri disa pyetje të akuzuarit Zoran Vukotiq.
Flynn e pyeti se kur kishte punuar si polic rezervë në stacionin policor në Vushtrri kush kishte qenë mbikëqyrësi i tij. Vukotiq u shpreh se nuk dëshironte të fliste për këtë.
I akuzuari Vukotiq madje nuk i përmendi as emrat e personave të cilët kishin punuar në sektorin e njëjtë me të.
Ndërsa pas pyetjes së prokurorit se a e kishte njohur personin e quajtur Gorolub Paunoviq, për të cilin shumica e dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar lidhur me këtë rast kanë pohuar se e kanë parë bashkë me të akuzuarin Zoran Vukotiq në maj të vitit 1999, kur ishin vrarë katër shqiptarët, Vukotiq deklaroi se e njihte por se sipas tij ai kishte punuar në postë dhe nuk kishte të bënte me ushtrinë paramilitare.
Kurse pasi që u pyet nga prokurori se a kishte dëgjuar për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë, Vukotiq deklaroi se nuk dinte asgjë dhe se nuk kishte dëgjuar madje as nga kolegët për ketë vrasje.
Lidhur me patrullimet të cilat i kishin bërë në qytet i akuzuari dhe policët e tjerë, Vukotiq deklaroi se nuk kishin shkuar çdo herë personat e njëjtë, por as për këta u shpreh se nuk dëshiron të deklarohet, ani pse prokurori Flynn disa herë e pyeti për këtë.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe palët e dëmtuara.
Ndërsa dëshmitari Bedri Fazliu, i cili edhe me herët kishte dhënë dëshminë në këtë rast, ishte ftuar nga Gjykata për të bërë disa sqarime lidhur me hartën e vendbanimit, ku kishte ndodhur ngjarja.
Nga tri aktakuzat e ngritura kundër tij Vukotiq sot në Gjykatë u paraqit lidhur me aktakuzën për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë në maj të vitit 1999.
Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.
Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.
Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.
Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.
Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.
Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.
Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.
Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.
Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.
Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.
Në lidhje me këto akuza Vukotiq është deklaruar i pafajshëm në gusht të vitit që shkoi./kallxo.com/
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?
Kearns, Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që f...
Leverkuseni i Xhakës synon vetëm fitore ndaj Salzburg