Rita Ora: “Është privilegj të jem pjesë e një fushate kaq frymëzuese”

17:49 | 14 Maj 2018
Arbresh.info

UEFA ka njoftuar se do të jetë sponsori zyrtar i turneut “The Girls Tour” të Rita Orës si pjesë e fushatës së tyre “Together #WePlayStrong”.

Në një njoftim thuhet se UEFA i ka bashkuar forcat me këngëtaren Rita Ora, në një partneritet novator që ka për qëllim transformimin e imazhit të futbollit femëror dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e femrave.

Përveç UEFA-s, njoftimin e ka bërë të ditur edhe këngëtarja përmes një postimi në Instagram, duke thënë se do ta mbështesë fushatën e UEFA-s, Together #WePlayStrong.

“Kam lajme! Jam shumë e gëzuar që do t’i bashkoj forcat me #WePlayStrong të UEFA-s në ‘The Girls Tour’, për t’i dhënë mbështetje vetëbesimit të femrave, bashkimit dhe aspirimit përmes fuqisë së futbollit dhe muzikës – dy prej dashurive të mia!. Ata kanë projekte mbresëlënëse që po vijnë këtë vit, në mënyrë që sa më shumë femra ta shijojnë dhe të luajnë futboll, dhe do t’i ndaj me ju gjatë turneut tim dhe më pas! Ndiqeni #WePlayStrong dhe ejani në këtë rrugëtim me ne”, ka shkruar Rita.

‘The Girls Tour’ është turneu i parë evropian i Rita Orës brenda pesë vitesh, ndërsa do të performojë në 13 qytete të Evropës.

“Është privilegj të jem pjesë e një fushate kaq frymëzuese”, ka thënë këngëtarja duke i inkurajuar femrat që të merren me futboll.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme