Thaçi dekoroi antropologen Bertit Backer me Medaljen Presidenciale Jubilare

14:23 | 14 Maj 2018
Arbresh.info

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar antropologen norvegjeze Berit Backer, pas vdekjes, me Medaljen Presidenciale Jubilare.

Presidenti Thaçi ka thënë se antropologia Berit Backer ishte ndër zërat e parë që ka folur për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Kosovë.

“Ishte ndër zërat e parë që ka folur për Kosovën dhe për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Duhet ta kujtojmë se sa e vështirë ka qenë të flitet asokohe në atë kontekst për shqiptarët dhe për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit u shpreh i lumtur që në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës po e dekoron pas vdekjes antropologen Berit Backer për kontributin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“I jemi mirënjohës familjes së saj, shtetit norvegjez dhe popullit norvegjez për përkrahjen dhe miqësinë”, shtoi presidenti Thaçi.

Antropologia norvegjeze, Berit Backer, në masë të madhe karrierën e vet ia kishte dedikuar shqiptarëve.

Në emër të familjes Backer, dekoratën e ka pranuar Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, bashkë me grupin iniciues në përbërje të Nufri Lekajt, Ann Christine Ekk dhe Shkëlzen Kuklecit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme