Një natë për t’u mos harruar nga Enis Bardhi, i shënoi dy gola Barcelonës

23:14 | 13 Maj 2018
Arbresh.info

Kur të gjithë po e pritnin fitoren e radhës dhe rutinore të Barcelonës, Enis Bardhi dhe shokët e tij të Levantes, kishin një mendim ndryshe.

Levante mposhti Barcelonën me rezultat 5 – 4, duke arritur një fitore historike.

Fitorja e fundit e Levantes ndaj Barçës, ishte nga sezonin i largët 1964/65, në shtëpi me rezultat 5 – 1.

Siç e dimë, për skuadrën modeste spanjolle luajnë dy futbollistë shqitpar, Enis Bardhi dhe Armando Sadiku.

Enis Bardhi, duke e festuar golin e tij ndaj Barcelonës

Enis Bardhi është pjesë e Levantes që nga viti 2017, ndërsa sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadiku, që nga janari i këtij viti.

Skuadra vendase me një barazim siguronte statusin e saj në La Liga, edhe për sezonin e ardhshëm, por befasoi të gjithë duke fituar tre pikët e plota, ndaj skuadrës kampione të këtij sezoni.

Barcelona ka zhvilluar një super sezon dhe kjo është humbja e parë nën urdhërat e trajnerit, Ernesto Valverde.

Humbja e fundit e katalunasve ishte në sezonin e kaluar ndaj Malagas në La Rosaleda, më saktë para 400 ditëve.

Enisi i cili luan në pozitë e anësorit të majt, deri më tani është paraqitur në 24 ndeshje duke shënuar shtatë gola, dy sonte ndaj mbrojtjes më të mirë në ligë.

Tre golat tjerë i realizoi sulmuesi, Emanuel Boateng.

22 vjeçari në këto javët e fundit është duke kaluar në formë të mirë dhe tashmë e ka fituar besimin e trajnerit, Paco Lopez.

Megjithatë, futbollisti tjetër shqiptar, Sadiku, edhe pse ishte i gatshëm për këtë takim, nuk arriti të ishte pjesë e listës përfundimtare për këtë takim.

Bardhi shënoi në minutat 46 dhe 56. Goli i parë ishte thjeshtë fantastik, duke e mposhtur me klas portierin gjerman të Barcelonës, Ter Stegen.

Në aksionin e golit të pestë të Levantes dhe të dytin personal, Enisi, ishte ai që e filloi aksionin dhe e përfundoi me një finalizim të bukur.

 

Kjo natë sigurisht se nuk do të harrohet nga ai dhe tifozët shqiptar. Ai njihet për goditjet e tij nga gjuajtjet e lira, pasi gjatë këtij sezoni ka shënuar disa supergola.

Bardhi në Levante kishte kaluar nga skuadra Ujpest, më 17 gusht të vitit 2017.

Enis Bardhi edhe pse është shqiptar, ai mbron ngjyrat e kombëtares së Maqedonisë.

Levante me këtë fitore renditet në pozitën e 15-të me 46 pikë, ndërsa Barcelona në të paren me 90 pikë, kur ka mbetur edhe një xhiro për t’u zhvilluar në kampionatin spanjoll. /arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme