Qeveria italiane, Salvini e Di Maio vendosin këtë të dielë

19:52 | 13 Maj 2018
Trina Galanxhi

Kur italianët shkuan në zgjedhje në fillim të marsit, mesazhi ishte i qartë dhe i fortë: Është koha që partitë që kanë dominuar që nga fillimvitet ’90 të dalin nga skena politike.

Mbi 50 për qind e zgjedhësve mbështetën dy partitë e ardhura nga jashtë atij që mund të quhet “establishment”, “Lëvizjen 5 yjet” dhe “Lega Nord”-in e ekstremit të djathtë.

Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet, këto dy parti janë në prag të krijimit të një qeverie koalicioni, që mund të shkëputet ndjeshëm nga politikat centriste të mëhershme.

Matteo Salvini, udhëheqës i “Lega Nord”, dhe homologu i tij i “5 yjeve”, Luigi di Maio, duket se kanë ravijëzuar një marrëveshje që mund të publikohet shpejt.

Salvini dhe Di Maio, një dyshe disi e çuditshme, kanë kaluar pjesën më të madhe të dy muajve të shkuar duke shkëmbyer fyerje, por tani po punojnë për të hartuar një dokument politik dhe pritet të informojnë presidentin Mattarella më vonë gjatë ditës.

Di Maio ka thënë se hapa të konsiderueshëm përpara janë ndërmarrë për një program politik, me akordime në çështje të vështira si ligjet mbi emigracionin, reformën e pensionit, taksën e sheshtë dhe të ardhurat bazë universale.

Por, sidoqoftë, mbetet e paqartë se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Italisë. Mes emrave të përmendur nga shtypi italian janë edhe zv.kryetari i “Lega Nord”, Giancarlo Giorgetti; drejtuesi i kompanisë që ndërton anije, “Fincantieri”, Giampiero Massolo; ish-shef i shërbimit sekret; si dhe Elisabetta Belloni, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Jashtme.

Në çdo rast, kandidati do të jetë dikush që do të mbajë parasysh paralajmërimin e Mattarellës, të enjten, kundër çdo distancimi të mundshëm nga Europa. “Lëvizja 5 yjet” e ka zbutur qëndrimin e saj mbi BE-në, duke thënë se do të donte të hapte diskutime mbi disa marrëveshje dhe jo ta tërhiqte Italinë, ndërsa Salvini ka thënë se do të mbrojë Italinë brenda bllokut. Nëse edhe ky rast do të lëshohet nga duart, atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme