Kuvendi që ndryshoi historinë e Shqipërisë

01:03 | 13 Maj 2018
Trina Galanxhi

Kur flasim për një Kuvend apo Koncil Provincial të Kishës në trojet shqiptare, me të drejtë lind pyetja: Për cilin Koncil është fjala? Sepse në Historinë e Kishës Shqiptare njihen dokumentat e tre Koncileve.

Nën papninë e  Klementit XI, në vitin 1703, u mblodh Koncili I, me rëndësi të posaçme për  gjuhën dhe letërsinë shqipe, sepse Dokumentet e tij u shkruan si latinisht, ashtu edhe shqip, sipas dëshirës së shprehur nga vetë Papa.

Koncili II u mblodh më 1871, në kohën e papnisë së Piut IX. Ka vlerë të posaçme në jetën e Kishës ndër shqiptarë, sepse mori vendime tepër të rëndësishme për njohjen e mësimeve të Selisë së Shenjtë, për rolin dhe mbarështimin e sakramenteve, për detyrat e ipeshkvijve, priftërinjve, rregulltarëve vendas e misionarë, për organizimin e famullive etj. Dokumentat e tij janë të shkruara në gjuhën latine nga don Ejëll Radoja, që ishte sekretar i Koncilit.

Koncili III  Kombëtar Shqiptar, që u kremtua në Shkodër nga 19 maji deri më 23 qershor 1895 në Kishën Katedrale të qytetit, shpalli Zojën e Këshillit të Mirë si Pajtore e Shqiptarëve. Në javën e fundit të vitit 1995, në kremtimet e 100 vjetorit të tij, u organizua edhe shtegtimi i dytë i madh historik i shqiptarëve, të udhëhequr nga ipeshkvijtë, në Gjenacan të Italisë, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite figurja e mrekullueshme e Zojës  – Pajtores së Shqiptarëve.

Koncili apo Kuvendi I i Arbnit u mbajt më 14 e 15 janar të vitit 1703 në Kishën e Shën Gjonit në katundin Mërqî, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Visk (Vinçenc) Zmajeviçit.

Në Kuvend morën pjesë Kryeipeshkvi i Durrësit, i Shkupit, i Sapës, i Lezhës, i Pultit, katër vikarët e përgjithshëm të françeskanëve të Shqipërisë dhe 44 klerikë të tjerë. Nga ky numër i madh pjesëmarrësish mund ta marrim me mend sesa materiale u paraqitën e u diskutuan për t’u botuar.

Kuvendi u organizua me nismën e Papës Klementi XI, i cili kishte dëshirë të flaktë për t’i zgjidhur problemet e mprehta të shqiptarëve nën thundrën e turkut. Ky fakt ndikoi së tepërmi, madje ishte vendimtar për suksesin e madh të kuvendit të Arbnit.

Kuvendi i Arbnit, si ai i Matit (1462), mbledhur në kohën e Skënderbeut nën udhëheqjen e Imzot Pal Engjëllit, Kryeipeshkëv i Durrësit (prej të cilit deri më sot nuk njihet asnjë dokument), kishte për qëllim organizimin sa më të mirë të jetës dhe të veprimtarisë kishtare – politike, për të përballuar pushtimin turk. Nga të gjitha materialet e këtij Kuvendi, që janë tri shkresa të Zmajeviçit dhe dekretet apo aktet normative, kuptojmë angazhimin e krerëve shqiptarë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të popullsisë shqiptare. Ndonëse në shikimin e parë duket se kerkesat themelore të organizimit ishin të drejtuara vetëm për mbajtjen e rendit kishtar, duhet thënë se njëlloj me to radhiten edhe kërkesat që dalin nga nevojat e ruajtjes së identitetit etnik të popullsisë.

Nuk ishte fjala këtu vetëm që të gjithë misionarët dhe krerët fetarë të dinin shqip, por sidomos që të vazhdonte veprimtaria e shkollave në gjuhën shqipe, që materialet e Kuvendit të botoheshin në gjuhën shqipe, që në Kishë të flitej e të shkruhej shqip. Vatikani vetë kërkoi që edhe nga tribuna e një kuvendi të organizuar prej tij, të miratohej përdorimi i shqipes për qëllime fetare. Madje urdhërohet që “gjuha e  shqiptarëve” (këtu  përdoret për të parën herë në histori emri shqiptar), të mësohet nga meshtarët, që mund të jenë edhe të huaj. Këtu qëndronte edhe dallimi qenësor i popullsisë katolike, prej pjesës dërmuese të popullsisë, që kishte marrë rrugën e islamizmit, duke përdorur edhe gjuhët e tij të shenjta: arabishten e turqishten e duke zvogëluar arsyet e shkrimit të shqipes.

Pra  Kuvendi merr në mbrojtje dy çështjet më jetike për Vendin: fenë dhe kombin. Në Kuvendin e Arbënit, pothuajse çdo gjë që është e mirë, vendoset në suazat shqiptar (Arbën) dhe katolik, përkundër së keqes myslimane dhe sllavo-ortodokse në radhët e shqiptarëve, që paraqiteshin si jo shqiptarë. Në Dokumentet e Kuvendit, ky qëndrim ishte shumë i bindshëm, ngaqë në krye të tekstit theksohet disa herë se edhe Papa, i pari i katolikëve, është Arbënesh. Me një fjalë të gjitha elementet etnike vishen me petkun konfesional, arma më e fortë e një rrethi të ngushtë e të vogël besimtarësh katolikë, të shkelur e të torturuar në shekuj nga presionet më brutale të të huajit, që ishte bërë zot në një tokë, e cila s’i përkiste. Prandaj shqiptarizmi i tyre shkëlqen nga sinqeriteti, në bashkim me të gjitha forcat ballkanike, në luftë kundër armikut të përbashkët.

Materialet e Kuvendit në gjuhën latine u hartuan nga Imzot Vinçenc Zmajeviqi. Përkthimi i parë në gjuhën shqipe mendohet të jetë i Atë Françesko da Lecce, siç e vërtetojnë edhe të dhënat për jetën e gramatikanit të parë të shqipes. U botua në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, pa dritën e shtypit në Romë, i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, Don Ejëll Radojës, më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar me 1872. Rëndësi të dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit të ishin sa ma të kuptueshme për masat e popullit.

Botimi shqip i materialeve të Kuvendit të Arbënit “çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën tonë”, me aq sa dihet. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të vyer për gjendjen e vështirë ekonomike të Shqipërisë në atë kohë, për gjeografinë, problemet e shkollimit etj.

Vepra në tërësinë e saj nuk kishte kërkesa për gjuhë artistike, megjithatë herë-herë ndeshet një përpjekje e tillë. Vende-vende lexohen shkrime me një shije të shquar letrare, si ato të Imzot Zmajeviqit të hartuara në krye të akteve, kushtesa e punuar në Perast më 10 korrik 1703, Thirrja, e lëshuar në Kurbin më 2 dhjetor 1703 si dhe Ligjërata e mbajtur në mbledhjen e Mërqîsë së Lezhës nga gjysma e janarit 1703.

Teksti shqip i “Kuvendit të Arbënit” është një dëshmi e 1706-tës në historinë e shkrimit të shqipes. Ai ka vlera të mëdha për historinë e gjuhës, të cilës i thotë “gjuha e shqiptarëve”. E kjo është e para herë ndër botime shqipe që në vend të emrit arban, më të vjetër, doli një tjetër, emri etnik shqiptar. Monument i çmueshëm i gjuhës shqipe janë aktet e Kuvendit të Arbënit.

Me studimin e tyre janë marrë Doktor Atë Vinçenc Malaj, Profesor Kolë Ashta, doktor Engjëll Sedaj e Rexhep Ismaili.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme