Google ADS

Bllokimi i rrugës Kaçanik-Han i Elezit rrezikon mbylljen e shkollës

20:26 | 12 Maj 2018
Arbresh.info

Të martën është mbyllur për qarkullim rruga Kaçanik – Han i Elezit.

Për shkak të rrezikut nga shembja e dheut dhe punimeve në të, Ministria e Infrastrukturës ka marrë vendim që të ndalojë qarkullimin në të për një muaj.

Por, mbyllja e saj ka lënë të bllokuar mbi 500 banorë të fshatrave Kotlinë dhe Gjurgjedell, në zonat malore të Kaçanikut.

Kjo, pasi rruga kryesore që çon në këto dy fshatra ka hyrje-daljen në pjesën e mbyllur për qarkullim.

Shqetësim për këtë vendim të Ministrisë së Infrastrukturës ka shprehur edhe kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, që thotë se ajo nuk e ka njoftuar atë për mbylljen e rrugës.

Për shkak të bllokadës, banorët thonë se nxënësit mund të detyrohen ta ndërpresin mësimin.

E vetmja alternativë për ta është rruga që i lidh me fshatrat Ivajë e Gajre.

Por, terreni i saj është malor dhe një pjesë e saj është e pakalueshme.

Në pamundësi për të vazhduar rrugën me automjet deri në këto fshatra, ekipi i televizionit ka filmuar me dron, prej nga shihen rrugët malore nëpër të cilat duhet kaluar për të arritur në këtë fshat. E po ashtu, edhe shtëpitë e këtyre dy fshatrave, raporton KTV.

Banorët i kanë dhënë një ultimatum 24 orësh ministrisë për gjetjen e një zgjidhjeje – ndërsa në rast të injorimit të kërkesave të tyre, kanë paralajmëruar mosrespektim të vendimit për ndalim të qarkullimit dhe protesta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme