Hoxhaj: Nuk duhet të japim afate për liberalizimin e vizave, por të lobojmë

18:50 | 12 Maj 2018
Arbresh.info

Pas deklaratave nga zv/presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland se për heqjen e vizave nuk ka afat, Enver Hoxhaj po thotë se nga zyrtarët e Kosovës duhet të ketë më pak afate dhe deklarata, e më shumë punë në Bruksel dhe qendra tjera evropiane.

Në një deklaratë për lajmi.net Hoxhaj deklaroi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, dhe topi për këtë çështje sipas tij, është tek BE-ja.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe në krahasim me vendet tjera të rajonit, që pothuajse se 10 vite gëzojnë udhëtimin pa viza drejt vendeve Shengen. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Ajo se çfarë është e varur nga vendimmarrja ynë dhe puna e institucioneve tona, është bërë, dhe tash topi është tek BE, ku shpresoj shumë që edhe Komisioni dhe Parlamenti Evropian do të jenë pozitivë në vendimmarrjen e tyre”, tha fillimisht zv/kryeministri i Kosovës.

Hoxhaj deklaroi se polemikat me zyrarët evropianë, duhet të shndërrohen në një agjendë pune me forcë argumentuese.

Sipas tij, Kosova duhet të lobojë më shumë në Bruksel dhe te vendet anëtare për liberalizimin e vizave.

“Por ne nuk duhet të bëjmë shumë deklarata në Prishtinë as për afatet dhe as për pritjet tona, por duhet të lobojmë edhe më shumë në Bruksel, dhe në çdo kryeqytet evropianë, sidomos te shtetet anëtare. Polemikën me zyrtarë dhe deputetë evropianë, duhet ta zëvendësojmë me një agjendë të mençur, prani fizike kudo që duhet dhe me forcë argumentuese së qytetarët duhet te shpërblehen me liberalizim të vizave si rezultat i punës së disa qeverive që nga viti 2012 e deri më tani”, deklaroi nënkryetari i PDK-së për lajmi.net.

Hoxhaj gjithashtu theksoi se Kosova ka pasur durim duke plotësuar 98 kriteret e kërkuara.

Ai tha se nuk ka vend për dëshpërim dhe reagime të parakohshme.

“Nëse ne nuk e kemi humb durimin për 8 vitet dhe kemi punuar deri më tash që të permbushën 98 kriteret, duhet fushatë informuese dhe lobuese kudo që është e mundur dhe duhet ta bëjmë përkrah çdo politikani dhe zyrtari në çdo kryqytet evropianë. Por pozicioni i Kosoves është shumë i mirë dhe nuk ka nevojë për diskurse dëshpëruesë apo reagime të parakoheshme”, përfundoi Enver Hoxhaj.

Deklarata për liberalizimin e vizave së fundi ka dhënë kryeministri Haradinaj.

Të premten në një konferencë për media Haradinaj tha se Kosova do ta marrë në qershor rekomandimin për heqjen e vizave. E që nga fundi i vitit qytetarët do të lëvizin lirshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme